Merkel e shqetësuar për të ardhmen e BE-së
Kancelarja gjermane Angela Merkel, në largim nga skena politike, tha sot se ishte e shqetësuar për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke gjykuar se pasardhësit e saj do të kenë projekte të mëdha përpara tyre në çështjet e shtetit të së drejtës, migracionit dhe ekonomisë.
“Tani po e lë këtë Bashkim Evropian si kancelare në një situatë që më shqetëson”, deklaroi Merkel, pas samitit të saj të fundit evropian në Bruksel.
“Kemi kapërcyer shumë kriza, me respekt dhe përpjekje për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, por kemi një sërë problemesh të pazgjidhura”, paralajmëroi ajo, raporton ATSh.
Në lidhje me shtetin e së drejtës, një temë për të cilën Polonia është aktualisht nën vëzhgimin e BE-së, kancelarja përsëriti dëshirën e saj për një debat më paqësor, duke bërë thirrje për më shumë mirëkuptim për historinë e këtij vendi ish-komunist.
“Ne nuk mund t’i zgjidhim politikat kryesore të ndryshme vetëm përmes procedurave ligjore”, tha ajo, duke synuar veçanërisht kërcënimin e një ankese nga Parlamenti Evropian kundër Komisionit për ta shtyrë atë të aktivizojë një mekanizëm të ri, që lidh pagesën e fondeve evropiane me respektimin e shtetit të së drejtës.
Sipas Merkel, për sa i përket migracionit, Bashkimi Evropian është “ende i prekshëm nga jashtë”, ndërsa Bjellorusia akuzohet për kontrabandë refugjatësh përmes kufijve të saj, si hakmarrje për sanksionet evropiane.
Së fundi, kreu i shtetit gjerman shprehu shqetësimin për konkurrencën evropiane, veçanërisht në teknologjitë e reja, të tilla si inteligjenca artificiale.