Si bashkëpunoi Vulin dhe BIA serbe me shërbimet sekrete ruse?
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, i ka dorëzuar Kremlinit transkriptet e bisedave të përgjuara në Beograd mes anëtarëve të opozitës ruse, ka njoftuar politikani i opozitës ruse, Vladimir Kara-Murza. Si rezultat i këtyre veprimeve, Andrei Pivovarov ish-drejtori i OJQ-së, “Open Russia”, u arrestua në Rusi.
“Majin e kaluar, Vulin vizitoi Moskën për të dorëzuar transkriptet e takimeve tona në Beograd. Ai u takua me sekretarin e Sigurisë Kombëtare Aleksei Patrushev dhe më pas ata formuan një të ashtuquajtur grup pune për luftimin e revolucioneve me ngjyra,” deklaroi Kara-Murza për edicionin e së mërkurës të së përditshmes Nova.
Gazeta e përshkruan Kara-Murza-n si një politikan, shkrimtar dhe historian rus, i cili ishte i dobishëm për miratimin e Aktit Magnitsky në Shtetet e Bashkuara, Kanada, BE dhe Britani të Madhe – një ligj që urdhëron sanksione kundër qytetarëve rusë që shkelin të drejtat e njeriut.
Kara-Murza deklaroi se anëtarët e opozitës ruse kishin tentuar të mbanin një tubim në Moskë, por se “disa dhjetëra njësi policie të armatosur deri në dhëmbë hynë në dhomë” dhe i arrestuan ata.
Sipas tij, kjo ka bërë që ata të takohen më vonë në një hotel në Beograd. “Konferenca [jonë] zgjati një javë dhe ne vumë re menjëherë se po na ndiqnin. Të gjitha bisedat tona u regjistruan”, tha Kara-Murza, duke shtuar se Pivovarov kishte organizuar mbledhjen e tyre në Beograd.
Më parë, media raportoi se Beogradi u zgjodh pasi shtetasit rusë mund të hyjnë në Serbi pa vizë.
Rruga Press