Evropa bëhet kreative për të nxitur vaksinimin e qytetarëve
Në të gjithë Evropën qytetarët nxiten fuqimisht të vaksinohen. Në Britani të Madhe bëhet thirrje që të bëhet doza përforcuese pasi është vënë re rritje e të infektuarve me variantin Omicron.
Në Londër, një autobus po përdoret si një qendër vaksinimi. Autoritetet synojnë të ndjekin shembullin e SHBA duke reduktuar karantinimin nga COVID në vetëm 7 ditë, një masë kjo që pritet të lehtësojë presionin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Unë do t’i referohem gjithmonë këshillave shkencore. Sigurisht që do të ndihmonte në lehtësimin e disa prej presioneve që ka mbi shkollat, fuqinë punëtore etj. Por unë do të ndikohesha absolutisht nga këshillat e ekspertëve”, tha Nadhim Zahawi, sekretari britanik për Edukim.
Në Spanjë, një rritje e riinfektimeve me coronavirus në dy javët e fundit ka tejkaluar numrin total të infeksioneve të dokumentuara gjatë pjesës së dytë të pandemisë.
Ajo që quhet vala e gjashtë po fillon të rëndojë sistemin e kujdesit shëndetësor të Spanjës dhe shërbimet e tjera.
Edhe një herë është nevoja për t’u izoluar.
“Vetëm këtë javë pesë ose gjashtë kolegë janë infektuar, kështu që është e pamundur për departamentin të na dërgojë njerëz”, shprehet Sara Arassar, menaxhere e dyqanit.
Qyteti gjerman i Këlnit po ofron një përvojë të pazakontë vaksinimi duke mirëpritur fëmijët e moshës pesë deri në njëmbëdhjetë dhe prindërit e tyre në bordin e një Airbus.
“Mendoj se është një fushatë fantastike. Për fëmijët, është diçka krejtësisht ndryshe nga pediatria, dhe gjithçka është e organizuar shumë mirë këtu, gjithçka shkoi mirë. Shumë mirë!”, thotë Susanne Manitz, mësuese.
Ndryshe nga pjesët e tjera të botës, të cilat janë hapur pas fushatave të vaksinimit, Kina i është përgjigjur një numri të vogël të rasteve lokale me testime masive dhe bllokime të rrepta. Qyteti port kinez i Tianjin po synon të testojë 14 milionë banorët e tij brenda 48 orëve pas zbulimit të disa rasteve me coronavirus./euro/
Rruga Press