Qeveria miraton shpronësimin, gati varrezat e reja të ushtarëve grekë
Greqia kërkon ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në jug të Shqipërisë, qeveria miraton shpronësimin e truallit privat për realizim brenda çdo afati kohor që parashikon ligji (vendimi i dt.24 dhjetor 2020). Një grupim shqiptarësh patriotë kërkojnë një leje për projektin e rikonstruksionit të memorialit përkujtues për 217 hormovitët e masakruar nga shovinistët grekë në marsin e vitit 1914, bashkia rilindase e Tepelenës i pengon prej muajsh duke mos ju lëshuar një miratim.
Qeveria ka miratuar shpronësimin e tokave ku do të ndërtohen varrezat e ushtarëve grekë. Përmes një VKM-je të miratuar ditën e mërkurë, është vendosur vijimi i procedurës së ndërtimit të varrezave të ushtarëve të rënë në luftën italo-greke, në vitet 1940-1941.
Varrezat po ndërtohen në bazë të marrëveshjes së arritur mes Athinës dhe Tiranës për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë në territorin shqiptar në vijim të vendimit nr.742, datë 13.12.2017, të Këshillit të Ministrave.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit është rreth 733 mijë lekë dhe shpenzimet procedurale, arrijnë vlerën 50 mijë lekë, të cilat do të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.
Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
Në fillim të këtij viti, Greqia i rikujton Shqipërisë nëpëmjet presidentit Prokopis Pavlopoulos, se afrimi i saj në familjen europiane dhe raportet e mira fqinjësore kushtëzohen nga çështje të cilat Tirana zyrtare ende nuk po i adreson dhe veçanërish ajo e varreve të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në jugun e Shqipërisë gjatë viteve 1940-41.
Rruga Press