Lajme

“Jetuam një muaj në pyll për t’iu shpëtuar bombave”, historia rrëqethëse e yllit të Kosovës: Hipëm në traktorë, të fshehur nën thasët me grurë…

Dhoma e zhveshjes së përfaqësueses së Kosovës mbartin një sërë historish të jashtëzakonshme, përvoja të tmerrshme. Janë këta djem të rinj që sot shijojnë futbollin dhe jetën, por ekzistenca e të cilëve ishte një hap larg nga “ferri”, si pasojë e luftës së tmerrshme që shkaktoi mijëra vdekje dhe njerëz të shpërngulur… Një dramë që ende e turpëron Europën dy dekada më vonë.

Në mars, Samir Ujkani i tha MARCA sesi babai i tij e nxori jashtë vendit, sepse një gjykatës serb e paralajmëroi: nëse nuk largohej, serbët do ta përndiqnin. Të afërmit e tij që vendosën të qëndrojnë në Kosovë humbën jetën nga lufta, bombardimet serbe. Vedat Muriqi, sulmuesi i Lazios, në moshën 4-vjeçare e dinte se si është zhurma e kallashnikovit dhe e raketave.

Ai mban mend që iku nga shtëpia, u fsheh në një tavernë me më shumë se 50 njerëz, flinte në kuti me shishe dhe me dy litra qumësht për të gjithë. Në shpirt mban lotët e nënës së tij dhe të fëmijëve të tjerë të mbyllur atje, kur kërkonin ushqim. “Dieta” e tij; mëngjes, drekë dhe darkë, ishte qepë dhe bukë. Trupat serbe mbërritën në shtëpinë e tyre dhe u dhanë dy orë kohë për të shpëtuar, para se t’i fshinin të gjithë. “Zoti na mbrojti”, – kujton ai.

Historia e Mërgim Vojvodës është një tjetër dramë, që të rrëqeth trupin. Prindërit e tij vendosën të iknin në veri. Lojtari i cila aktualisht aktivizohet te Torino duhej të linte shtëpinë e tij dhe të fshihej për t’iu shpëtuar bombardimeve të vazhdueshme të paramilitarëve serbë.

Ishte vetëm 3 vjeç, kur toka e tij ishte mbushur me gjak. Babai i tij, një ushtarak, e kuptoi menjëherë pas kësaj që, nëse nuk iknin, më e keqja i priste në një vend ku vdekja ishte e shfrenuar. Me gruan dhe katër fëmijët, ai shkoi në veri, në një pyll. Mërgimi nuk e harron dramën e përjetuar qysh fëmijë:

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

“Ne jetuam në pyll për një muaj, që t’iu shpëtonim bombave, fshatrave të shkatërruar. Hipëm në traktorë, të fshehur nën thasët me grurë. Na duhej të flinim në natyrë: të lodhur, të uritur, në të ftohtë, plot etje për ujë…”

Familja Vojvoda ia doli mbanë dhe një ditë kaloi kufirin e Republikës Çeke. Ata lanë tokën e tyre prapa, që u përshkua nga lumenj gjaku. Sidoqoftë, “Odiseja” e tij nuk kishte mbaruar. Babai, vëllai dhe motra e Mërgimit u arrestuan për hyrje të paligjshme në vend. Për javë të tëra, familja e tij u shpërnda.

Së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e tjerë, ai duhej të mbijetonte në kushte të jashtëzakonshme. Gjashtë muaj më vonë u bashkuan përsëri dhe gjetën një mënyrë për të arritur në një vend, që u bë streha e mijëra kosovarëve, përfshirë edhe tezen e Mërgimit: Belgjika.

Atje, Vojvoda gjeti paqen që kërkonte, por me dhimbjen e të diturit se shumë nga njerëzit që njihnin nuk do t’i shihnin më kurrë. Futbolli, i cili ishte një element tjetër i përditshëm në familjen e tij, shërbeu si mjet i rëndësishëm për integrimin e një djali që luajti si mbrojtës i djathtë. Në moshën 16 vjeçare, më 2011, ai hyri në akademinë e Standard Liezh. Dera e futbollit profesional u hap dy vite më vonë, kur u huazua te St.Truiden me premtimin se në kthim do të ishte pjesë e ekipit të parë.

Sidoqoftë, e gënjyen. Në moshën 20 vjeçare u dërgua te Karl-Zeis Jena, ekip nga ish-RDGJ, që militonte në kategoritë e ulta të futbollit gjerman. Në një hotel me kushte dëshpëruese dhe duke fituar 600 euro në muaj, Mërgimi edhe një herë u ndje i braktisur nga fati. Aq sa mendoi ta linte futbollin dhe të kërkonte një punë. Megjithatë, nuk mundi të hiqte dorë nga pasioni i madh.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Dhe kishte të drejtë. Klubi belg i Mouskron “vuri bast” për të dhe e afroi për t’u blerë përsëri nga Standard Liezh (1.2 milionë euro). Sot është lojtar i rëndësishëm për Torinon në Serie A, ku luan nga sezoni i kaluar.

Vojvoda tani ka një kontratë elite si futbollistit, por nuk harron se nga vjen: “Unë fitoj para, sa nuk i kisha menduar kurrë. Kam gjëra që nuk mund t’i imagjinoja, por nuk harroj nga vij. E di se sa kushton për të fituar para dhe jam krenar për atë që kam arritur”.

Drama e kaluar bëri që ta shikonte gjithnjë Kosovën me mall, si për atdheun e tij. Për këtë arsye, kur FIFA lejoi “Dardanët” të luanin në kualifikuese, ai nuk hezitoi. Pranoi ndryshimin që i lejoi kosovarët të ndryshonin ekipin e tyre kombëtar.

Ai është një nga ata që falënderoi Shqipërinë (ku luajti me U-21) dhe veshi fanellën e Kosovës. 10 Nëntori 2016 Vojvoda mori lejen për të luajtur me Kosovën.

Më 11 qershor 2017 (1-4 kundër Turqisë) debutoi me kombëtaren “Dardane”. Ai ka luajtur tashmë 38 ndeshje (pa sfidën e mbrëmshme kundër Spanjës), një shifër që e barazon vetëm Rrahmani.

“Për mua, të luaj me Kosovën është si të jem përsëri në luftë. E konsideroj veten si një ushtar që mbron vendin e tij, shtëpinë e tij”.

Ky është Mërgimi, që në shqip do të thotë “mërgim”, nga i cili nuk kanë shpëtuar mijëra shqiptarë, këndej e andej kufirit zyrtar, por jo vetëm, nga të gjitha trojet shqipfolëse.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *