Mehaj takohet me ministrin e Mbrojtjes së Letonisë, zotohen për thellim të bashkëpunimit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe homologu i tij nga Letonia, Artis Pabriks, gjatë një takimi sot janë dakorduar për të intensifikuar bashkëpunimin në mes dy shteteve, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Pas takimit, ministri Mehaj deklaroi se me homologun e tij kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, ku tha se me fokus do të jetë ofrimi i përvojës së Letonisë në procesin e anëtarësimit në NATO, operacioneve paqeruajtëse.
Mehaj tha se Kosova është falënderuese për kontributin e shtetit të Letonisë për sigurinë e Kosovës, sidomos me shërbimin që 130 pjesëtarë të Letonisë ofrojnë në kuadër të KFOR-it.
“Për ne që jemi në fazën e zhvillimit dhe aftësive, kapaciteteve operacionale përvoja e Republikës së Letonisë si vend anëtar i NATO-s dhe Evropës është shumë e rëndësishme për shtet-ndërtimin dhe fazat që po i kalon Kosova dhe Ushtria e Kosovës. Ministritë tona kanë vendosur bashkëpunim bilaterale gjatë një dekade, me Pabriks jemi dakorduar që intensifikimi i aktiviteteve tona të përbashkëta të ngritën, sidomos sa i përket fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, këtu jemi dakorduar që të ndryshojmë, por edhe të rrisim bashkëpunimin me memorandume së bashku. Shumë shpejt në shtetin e Letonisë grupet punuese do t’ia nisin punës dhe të punojnë në atë drejtim. Bashkëpunimi ynë do të shtrihet në fusha të ndryshme, por me fokus do të jetë ofrimi i përvojës së Letonisë në procesin e anëtarësimit në NATO, operacioneve paqeruajtëse, si dhe shkëmbimin e përvojave të fushës specialistike mes dy Forcave”, tha Mehaj.
Mehaj tha se Letonia ka përvojë të jashtëzakonshme në operacione ndërkombëtare, dhe në funksion të kësaj do të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit sa i përket operacioneve ndërkombëtare.
Me qëllim të realizimit të kësaj, ai theksoi se grupet e ekspertëve të të dyjave vendeve do të angazhohen për të dizajnuar projektet e përbashkëta për operacione ndërkombëtare.
I pari i ministrisë së Mbrojtës tha se homologun e tij e ka njoftuar edhe për zhvillimet e fundit në FSK, fazën e tranzicionit, pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare së bashku me SHBA-të.
“Jemi krenarë që e mbështesim operacionin humanitar të NATO-s sa i përket evakuimit të refugjatëve afgan. Kosova është mbështetës serioz i këtij operacioni humanitar dhe siç e dini Kosova ka pranuar mbështetjen deri në 2 mijë afganë derisa të caktohet destinacioni i ardhshëm. Ne si popull kemi kaluar shumë faza të rënda përmes luftës, e dimë se çfarë nevoje e çfarë kërkesa ka një popull në këto faza, kështu që edhe ne do të jemi në mbështetje të operacionit humanitar të NATO-s siç është ajo me afganët. Për këtë jemi shumë krenarë që mundemi krahë për krahë shteteve aleate edhe NATO-s t’i mbështesim me kapacitetet tona ushtarake dhe shtetërore”, tha ai.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Artis Pabriks, u shpreh i gatshëm për të ofruar mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësim të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ai tha se si shtet janë të përfaqësuar në trupat e KFOR-it me 115 ushtarë të cilët aktualisht janë në Kosovë.
“Ne jemi në gjendje të ndihmojmë kurdo që është e nevojshme ne rrugën tuaj drejt përmirësimit të vendit tuaj në aspektin politik, sigurisht ne do t’iu ndihmojmë në rrugën tuaj për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. E dimë sa e vështirë është kjo, sepse ne jemi duke e kaluar edhe vetë këtë rrugë. Mendoj se jemi gjithmonë jemi të gatshëm t’i ndajmë përvojat tona, po e bëjmë këtë me miqtë tanë në Ukrainë, Gjeorgji dhe këtu në Ballkan. Kur e shohim se nevojitet ndihma jonë, ushtarët tanë janë gjithherë të gatshëm. Së pari, ne duhet të rishikojmë memorandumin e mirëkuptimit e arritur para 12 vjetësh dhe tashmë ka kaluar shumë kohë, kështu që njerëzit tanë do të angazhohen menjëherë që të bëjmë një ri-aranzhim dhe do ta bëjmë të vlefshme këtë marrëveshje për sfidat që na presin”, tha Pabriks.
Pabriks ka ftuar ministrin Mehaj që të vizitojë shtetin e Letonisë, për siç tha si, thellimin e bashkëpunimin në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike.
“Na duhet të gjejmë mënyra se si të thellojmë bashkëpunimin tonë në tri fusha, politike, ushtarake, dhe ekonomike. Ne jemi një vend i vogël sikurse Kosova, dhe jemi duke e zhvilluar industrinë ushtarake, teknologjitë tona të reja, jemi në mesin e vendeve më të mira në botë sa i përket teknologjisë IT, sistemit WiFi etj. Kështu që, do të donim t’ju ofronim disa njohuri se si e bëjmë këtë, me sistemet që jemi duke i prodhuar për qëllime ushtarake dhe civile, ndoshta edhe me ushqimin qe ushtarët e konsumojnë, ose ndoshta edhe me diçka tjetër që juve do iu interesonte. Ne do të donim të ndanim eksperienca në sistemin mbrojtës gjithëpërfshirës, që përfshinë jo vetëm ushtritë tona, por edhe shoqëritë civile, pasi jetojmë në një botë shumë sfiduese, ku ka shume lajme të rreme, ndarje mes shoqërisë, polarizim të shoqërive të ndryshme, nuk mundemi më të jetojmë në shekullin 21 sikur të ishim në shekullin 20, gjë që kërkon një mirëkuptim totalisht tjetër të shoqërive tona. Kjo është ajo që ne po bëjnë dhe jemi ndër të parët në Evropë që jemi angazhuar në krijimin e një sistemi modern mbrojtës gjithëpërfshirës”, tha ai.