Viti i ri akademik në rrethe: Universitetet përdorin standarde të ndryshme, fokusi te këshillimi
Nisja e vitit akademik në Universitetet e rretheve është shoqëruar me standarde të ndryshme në qytete të ndryshme. Ajo që bie në sy është fakti që më pak se gjysma e studentëve në universitetet e rretheve rezultojnë të pavaksinuar dhe mes studentëve mbizotëron ideja e mosmarrjes së vaksinës anti-covid, apo edhe në rastet që janë vaksinuar deklarojnë se e kanë bërë të detyruar, pasi nuk donin të humbnin vitin shkollor.
Në Korçë, studentët shprehen sa pro, aq edhe kundër marrjes së vaksinës anti-covid.
Në Elbasan, studentët si të vaksinuar edhe ata të pavaksinuar janë lejuar të futen në auditorë, por sipas zv/rektorit kjo bëhet për të orientuar dhe këshilluar studentët që në ditët në vijim të marrin vaksinën.
E njëjta situatë ka qenë edhe në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku një pjesë e studentëve, ndonëse janë lejuar ditën e parë, shprehen se nuk do të vaksinohen.
Në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, studentët e pavaksinuar nuk janë lejuar të futen, madje edhe atyre që janë vaksinuar u është kërkuar që të marrin konfirmimin e kryerjes e vaksinës edhe nga portali e-Albania.
Edhe në Gjirokastër, drejtuesit e universitetit shprehen të bindur se studentët duhet të marrin vaksinën në ditët në vijim, ndërsa po shikojnë edhe mundësineë se si do t’i ofrohet mësimi atyre studentëve që nuk do të pranojnë të vaksinohen.
Sakaq shumë më e ulët rezulton përqindja e studentëve të vaksinuar në universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës dhe për këtë arsye, rektorja i ka bërë thirrje studentëve që të marrin dozat e vaksinës për të pasur një vit akademik sa më normal.
Dita e parë e vitit akdemik, më shumë se sa për të zbatuar udhëzimin e Ministrisë së Arsimit ka shërbyer për të këshilluar studentët për marrjen e vaksinës dhe ditët në vijim do të shikohen sesi do të zbatohen udhëzimet apo ndalimet e studentëve të pavaksinuar./a2/