Lajme

FOTO/ Shqipëria, e fundit në Europë për zbatimin e ligjit, kampione në korrupsion

Shqipëria renditet e 83-a nga 139 shtete, e fundit në Europë, në Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021 të publikuar së fundmi nga ‘World Justice Project’, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria merr 0.49 pikë, me rënie me 0.01 pikë në raport me një vit më parë (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë).

Në krahasim me renditjen e 2018-2019, kur ishte në vendin e 71, (0.51 pikë), Shqipëria është përkeqësuar me 12 pozicione.

Indeksi mat zbatimin e ligjeve në praktikë, përmes sondazheve me popullatën dhe pyetësorëve të kualifikuar, duke dhënë informacion origjinal që reflekton përvojën dhe perceptimin e publikut të përgjithshëm, në 139 vende. Raporti thekson se zbatimi efektiv i ligjit redukton korrupsionin, lufton varfërinë dhe sëmundjet dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë e mëdha dhe të vogla.

Shqipëria ka pozicionimin më të keq në Europë dhe rajon, duke ia kaluar dhe Serbisë, që deri tani renditej e fundit. Në raportin e 2020-2021, Serbia u pozicionua në vendin e 81. Qeverisje më të fortë ka Maqedonia (në vend të 64), Bosnja është në vend të 72 (Në renditje nuk përfshihen Mali i Zi dhe Kosova).

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Shqipëria ka një renditje tepër negative në treguesin e korrupsionit, ku është në vendin e 105 nga 139 vendet (duke u përkeqësuar në raport me vitet e mëparshme kur ishte në vend të 93 dhe më pas 103). Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon.

Image

Bosnja është në vend të 87, Maqedonia e Veriut në vend të 72, Serbia në vend të 84. Në përgjithësi, të gjitha vendet e rajonit kanë bërë hapa pas me korrupsionin vitet e fundit. Treguesi i korrupsionit mat ryshfetin, pagesat informale, konkurrencën në kontratat e punëve publike, ryshfetin në gjyqësor dhe politikë etj.

Shqipëria ka bërë një përkeqësim të dukshëm edhe në treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, ku renditet në vendin e 109, nga pozicioni i 79 në raportin e 2018-2019, duke u pozicionuar krah shteteve si Afganistani, Mozambiku, Uganda, Kazakistani etj. Shteti i dytë më afër Shqipërisë, është Maqedonia e Veriut, në vend të 92. Ky tregues mat shkallën në të cilën ata që qeverisin janë të kufizuar nga ligji. Ai mat sa i pavarur është gjyqësori, sa funksionojnë agjencitë audituese dhe sa pavarësi kanë ato të bëjnë kontrolle ndaj qeverisë; nëse zyrtarët hetohen dhe dënohen për shkelje; nëse mediat janë të pavarura; nëse zyrtarët zgjidhen sipas rregullave e procedurave të parashikuara nga kushtetuta.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Korrupsioni dhe kufizimet në fuqinë e qeverisë janë dy treguesit ku Shqipëria ka renditjen më negative, në Indeksin e fundit të Zbatimit të Ligjit.

Në qeverisjen e hapur, vendi është në pozicionin e 82. Më mirë është në tregun e të drejtave themelore (66), dhe të renditu dhe sigurisë (47), ndonëse me përkeqësim, nga pozicioni i 31 që ishte në 2018-2019.

Për të drejtën civile jemi  në vendin e 92, për drejtësinë kriminale (80) .

Tre shtetet me ecurinë më të mirë në raportin e 2020-2021 ishin Danimarka (1), Norvegjia (2) dhe Finlanda (3); një renditje që mbetet e pandryshuar. Tre të fundit janë Kongo (137), Kamboxhia (138) dhe Venezuela (139), edhe këta të pandryshuar në krahasim me renditjet e mëparshme.

/Nga Revista Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *