Zgjedhjet e parakohshme, Arbërie Nagavci e LVV: Me Vjosa Osmanin do të garojmë në listë të përbashkët
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, këto do të sjellin një legjitimitet të ri të institucioneve.
Ndër të tjera ajo ka theksuar se ato duhet të ishin në pushtet.
“Për fat keq është se kësaj radhe zgjedhjet po mbahen shumë shpesh.
Ka një kohë të gjatë që në Kosovë nuk ka një qeveri stabël, që të ketë një mandat të plotë, por kjo në këtë radhë është e mirëseardhur se e konfirmoi Gjykata Kushtetuese.
Në realitetin aktual, ku ne aktualisht nuk kemi kryeministër sepse sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese Hoti asnjëherë nuk ka qenë kryeministër dhe qeveria Hoti aktualisht nuk është më një qeveri legjitime. Sa më shpejt që të mbahen zgjedhjet, do të sjellin një legjitimitet të ri të institucioneve në Kosovë.
Ne aktualisht dhe ligjërisht, do të duhej të ishim në pushtet, për më tepër të gjitha sondazhet e tregojnë se Lëvizja jo vetëm që është fuqia e parë politike në vend dhe do të fitojë bindshëm, dhe do të kalojë edhe 50% dhe do arrijë që të krijojë një qeveri stabile”, tha Nagavci.
Sa i përket bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, ajo deklaroi se do të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme.
“Varet sesi do të shkojë në zgjedhje Osmani. Për aq sa ajo ka deklaruar dhe kemi parë deri më tani sigurisht që do të krijojë një listë zgjedhore dhe do të garojë bashkë me ne në listën e përbashkët. Ne besojmë që do të garojmë bashkërisht në këto zgjedhje dhe do të fitojmë shumicën”, theksoi ajo më tej.
Ndërsa për çështjen e koalicioneve me partitë e tjera, ajo nënvizoi se nuk do të ketë të tilla.
“Nuk besoj se do të kemi koalicion. Jam e bindur që nuk do të kemi me ndonjë parti, të paktën prej këtyre partive që kanë qenë në qeverisje”, ka thënë ndër të tjera Nagavci