Qeveria e Kosovës shqyrton projektligjin për bujqësi, planifikon 10 milionë euro për rezerva shtetërore
Duke i paraprirë shqyrtimit të projektligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria ka planifikuar ndarjen e 10 milionë eurove për rezerva shtetërore, që do të mbushen me prodhime vendore.
Në mbledhjen e Qeverisë, ai ka thënë se Qeveria e ka rritur buxhetin për bujqësi. Ai ka deklaruar se janë adresuar obligimet ndaj fermerëve, prej rreth 40 milionë euro.
“Qeveria është duke u siguruar që të përkrah sektorin e bujqësisë si është më së miri e më sigurt. Kemi aplikuar në programin për bujqësi për grantin prej 20 milionë eurosh për fermerët e vegjël. Do të kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore që mund të mbushen me prodhime vendore. Prezantova vetëm buxhetin e shtetit pasi do të ketë edhe investime të investitorëve të huaj që synojnë afro 350 milionë euro. E gjithë kjo përkrahje në vlerë të madhe dhe donacionet nga miqtë tanë do të përfundojnë vetëm tek ata që do merren me aktivitetet bujqësore”, ka thënë ai në nisje të mbledhjes teksa projektligjin e ka quajtur garanci shtesë për zhvillim të bujqësisë.
Ky projektligj mori mbështetjen e kabinetit qeveritar.
Rruga Press