Video/Polici pa numër identifikimi aksidenton qytetarin që po lëvizte me motorr, duke ia hapur derën e makinës
Rruga Press mëson se efektivët e Policisë së Shtetit sapo kanë shkaktuar aksident në Rrugën Ismail Qemali, në Tiranë, pranë Gjykatës së Apelit, duke lënë me lëndime të lehta një qytetar që po lëvizte me motorr.
Mësohet se polici e ka ndaluar makinën në rrugë dhe në momentin që ka hapur derën e shoferit ka përplasur qytetarin që po ecte me mjetin motorrik.
Në momentin e përplasjes ai është goditur nga motorri i tij, duke marrë lëndime në këmbë.
Gjithashtu, policia ka bërë edhe një shkelje tjetër, duke e lëvizur makinën që shkaktoi aksidentin përpara se të kryhej ekspertiza hetimore.
Nga ana tjetër, polici që ka shkaktuar aksidentin nuk ka qenë i pajisur me numër identifikues në uniformën e tij, shkelje e rëndë kjo, e cila kërkon hetim që lidhet jo vetëm me aksidentin, por edhe me ushtrimin e detyrës së personit zyrtar.
Qytetari e ka marrë ndihmën e parë nga efektivët e policisë dhe më pas është shoqëruar për në spital nga ambulanca.
©Rruga Press