Ministria e Shëndetësisë në Kosovë: Tashmë mund të vaksinohen edhe qytetarët e huaj
Minsitria ka miratuar rekomandimin për vaksinim edhe të qytetarëve tëhuaj atje pasi sipas tyre tani është fluksi më i madh i udhëtimeve në Kosovë.
KOSOVË – Ministria e Shëndetësisë së Kosovë ka miratuar rekomandimin e “Komitetit për imunizim kundër COVID-19”, për vaksinimin edhe të qytetarëve jo-kosovarë me vaksinën kundër COVID-19.
Sipas Ministrisë, vaksinimi i qytetarëve të huaj në Kosovë bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, sipas Ministrisë pasi në ketë periudhë të fund-vitit ka edhe fluks më të madh të ardhjeve të qytetarëve nga vende të ndryshme në Kosovë. Gjithashtu institucionet kosovare kanë mundësi që të ofrojnë vaksina për të gjithë qytetarët në Kosovë, të moshës mbi 12 vjeç, pa marrë parasysh se a janë shtetas të Republikës së Kosovës apo jo.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kompletojnë procesin e vaksinimit kundër COVID-19, duke i marrë të dy dozat, ndërsa ata që nuk janë vaksinuar ende ta bëjnë këtë sa më parë, në cilëndo qendër vaksinimi në Kosovë apo tek cilido ekip mobil i vendosur në terren, pa caktuar termin paraprakisht dhe pa marrë parasysh se në cilën komunë jetojnë.
Fushata e vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19 në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars. Deri më tani, sipas të dhënave të MSH-së, janë administruar mbi 1.5 milion doza të vaksinës. Me dy doza të vaksinës janë imunizuar mbi 739 mijë qytetarë, ndërkaq dozën e parë e kanë marrë mbi 841 mijë persona. Qeveria e Kosovës ka thënë se mëton që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të popullatës.