Lajme

5 vjet nga vdekja e Astrit Deharit, familja Dehari vazhdon të kërkojë zbardhjen e rastit

Edhe në 5-vjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është bërë thirrje për drejtësi, e zbardhje e rrethanave për vdekjen e tij. Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur në lidhje me hetimet për këtë rast, derisa, krerë institucionalë e aktivistë të LVV-së kanë mbajtur një sërë aktivitetesh në kujtim të tij.

Ndonëse kanë kaluar 5 vjet, ende nuk janë sqaruar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Në tetor të vitit 2019, Kryeprokurori i Shtetit e kishte kaluar lëndën e Deharit nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në Prokurorinë Speciale. Kjo e fundit është pyetur rreth rastit, por nuk ka pasur përgjigje.

Por, Prokuroria Speciale gjatë së premtes u gjuajt me ngjyrë të kuqe, nga aktivistë të Lëvizjes Studentore “Studim Kritikë Veprim”.

E nga Ministria e Drejtësisë u tha se të gjitha informatat që i kanë pasur për rastin Dehari u janë ofruar organeve përgjegjëse.

“Ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë sipas kompetencës, të gjitha informatat të cilat ka poseduar në rastin Dehari, ia ka ofruar organeve përgjegjëse. Brenda kompetencës së saj, Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar dhe e gatshme që të ndihmojë në çfarëdo forme dhe të bashkëpunojë me organet përkatëse që rasti i Astrit Deharit të zbardhet dhe përgjegjësinë e dënimin e merituar ta marrin ata që rezultojnë përgjegjës prapa këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Lexo më shumë  28 nëntori, Dua Lipa uron me vargjet e himnit kombëtar

Me kërkesë të familjes është ftuar edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Zvicra, për të nxjerrë një ekspertizë për vdekjen e tij, raport nga i cili edhe thuhej se dyshimet që Astrit Dehari të jetë vetëvrarë janë të vogla, dhe se duhej hetim i ri rreth kësaj çështjeje.

E avokati i familjes thotë se janë në pritje të ekspertizës shtesë nga instituti i Zvicrës.

Thirrjet për drejtësi po vazhdojnë edhe në këtë përvjetor të 5-të të vdekjes së tij. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, zyrtarë institucionesh dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe te varri i Deharit, ish-aktivistit të kësaj partie.

Por i shkurtër e me një porosi për Prokurorinë ka qenë fjalimi i Avni Deharit, babait të Astritit.

“Në këtë përvjetor të rënies së Astritit dhe njëherë i drejtohem Prokurorisë në emër të familjes dhe gjithë të pranishmëve që të mos i zvarrisë rastet siç i kanë zvarritur deri tash dhe ta zbardhin këtë rast dhe të gjitha rastet që duhet të zbardhen në Kosovë”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Kurti uron Von der Leyen: Mezi presim të punojmë së bashku për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit

“Me shumë dhembje e mall, por edhe me shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën, angazhimin, kontributin dhe sakrificën e tij. 5 vjet pa Astritin, janë 5 vjet padrejtësi. Ai u mbyt në burg më 5 nëntor 2016 dhe sot e kësaj dite ne nuk mund të jemi të qetë, përderisa s’ka drejtësi për Astritin. Përgjegjësit ende s’janë gjykuar e dënuar, dhe përderisa s’është zbardhur në plotëni e drejta për të”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Në pesëvjetorin e vdekjes së ish-aktivistit, është mbajtur edhe një akademi përkujtimore, e është dhuruar gjak në kujtim të tij.

Më 5 nëntor të vitit 2016, brenda qelisë së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ishte gjetur i vdekur Astrit Dehari, i cili po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës./koha/

rrugapress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *