Arrestohet pronarja arabe e agjencisë turistike, sillte bashkombas në Shqipëri dhe i trafikonte drejt BE
Finalizohet operacioni i koduar “UDHËRRËFYESJA” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Rinas.
Vihet në pranga 1 shtetase dhe procedohen penalisht 13 shtetas të tjerë të huaj.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin e koduar “UDHËRRËFYESJA”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetases:
A. D., 36 vjeçe, banuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kjo shtetase në bashkëpunim me persona të tjerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nën siglën e një kompanie udhëtimesh, siguronin udhëtimin e shtetasve rezident në Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë, të cilët më pas ju siguronin ndihmë për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga vendi jonë drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u proceduan penalisht dhe 13 shtetas, banues në Bangladesh, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, konkretisht:
O. M., 30 vjeç, M. S., 24 vjeç, M. H., 24 vjeç, A. A., 26 vjeç, R. Sh., 21 vjeç,Sh. A., 38 vjeç, T. M., 32 vjeç, K. K., 37 vjeç, J. A., 31 vjeç, F. H., 33 vjeç, A. S., 23 vjeç, M. R., 24 vjeç dhe R. A., 24 vjeç.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Rruga Press