Arben Vitia tregon projektet për rregullimin e kaosit në Prishtinë, thotë se përfundojnë brenda mandatit katër vjeçar
Arben Vitia, kandidat për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi, ka folur për kandidaturën e tij, projektet dhe synimet që ai ka nëse zgjidhet si kryetar i kryeqytetit në garën e balotazhit që do të mbahet me 14 nëntor 2021.
Vitia në këtë intervistë ka folur për problemet kryesore në Prishtinë si kaosi në komunikacion, problemet me transportin publik, zhvillimin ekonomik dhe investimet kapitale në kryeqytet.
Gjithashtu kandidati i LVV-së ka folur edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, start-up e rinj, mungesën e shkollave, investimet në shëndetësi, arsim, ambient, mungesën e parkingjeve, qasja në ngrohtoren e qytetit etj.
Vitia thotë se Prishtina do të jetë qytet i jetueshëm dhe me mundësi të barabarta.
Ai thotë se me 90 milionë euro buxhet dhe disa milionë ta tjerë në formë grantesh nga niveli qendror do të investohet në shumë sfera të jetës për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës duke folur për problemet në trafik thotë se unaza e brendshme dhe e jashtme do të kenë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e lëvizjeve në trafik.
“Do të përmirësohen edhe trotuaret, ku ecja nuk do të jetë më vetëm aktivitet i zorit por edhe i qejfit. Transportit publik do t’i shtohet autobusët e rinj, ku numri i tyre pritet të arrij në 160. Me këtë flotë të autobusëve qytetarëve do t’iu lehtësohet trafiku dhe nuk do të kenë nevojë të marrin makinën për punët e tyre”, ka deklaruar ai në Përballje transmeton Telegrafi.
Vitia thotë se edhe “Rruga A” do të lehtësojë shumë komunikacionin në kryeqytet.
“Do të ketë një qasje të re për në autostradë dhe qytetarët nuk do të kenë nevojë të futen në këto nyje problematike”.
Kandidati i LVV-së thotë se do të ndërhyhet edhe te nyja problematike te “Xhamia Llapit”.
Ai thotë se të gjitha këto projekte do të fillojnë në fillim të vitit 2022 e disa në vitin 2023, por që sipas tij këto do të përfundojnë deri në fund të mandatit.
“Një pjesë e madhe e këtyre projekteve do të bëhen edhe nga qeveria por nuk e përjashtojmë edhe kredinë. Prishtina ka shumë nevojë për investime kapitale”.
Ndryshe ai deklaron se të gjitha projektet kapitale do të kenë impakt edhe në zhvillimin e ekonomik të kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës përbëhet prej qytetit dhe 43 fshatrave dhe për vitin 2022 është parashikuar mbi 90 milionë euro buxhet./Telegrafi/