Bota

Shumë varre të Srebrenicës mbeten të braktisur dhe të pashënuar

Baza e të dhënave e azhurnuar rishtas e BIRN për varret masive të kohës së luftës tregon se pak nga 94 vendet ku ishin varrosur viktimat e Srebrenicës janë shënuar, ndërsa të tjerë janë mbuluar nga shkurret ose janë përdorur si vendgrumbullime mbeturinash, janë shfrytëzuar për bujqësi ose janë shitur si truall ndërtimi.

“Bitter Land”, baza e të dhënave e BIRN për vendet e varreve masive nga luftërat jugosllave është azhurnuar përpara përkujtimores së 11 korrikut të gjenocidit të Srebrenicës, për të përfshirë informacione në lidhje me një sërë varresh nga masakrat e vitit 1995 nga forcat serbe të Bosnjës, shumë prej të cilëve mbeten ende të pashënuar.

“Baza e të dhënave është azhurnuar me varre masive dytësore në zonat e Srebrenicës dhe Zvornikut, shumë prej tyre të lidhura me vrasjet në një depo në Kravica, ku 1,313 boshnjakë u ekzekutuan pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995”, shpjegoi Nejra Mulaomerovic, e cila zhvilloi projektin me drejtoreshën rajonale të BIRN, Marija Ristic.

“Varret që fshehën me qindra trupa mbeten të pashënuar deri më sot dhe të afërmit e viktimave janë ende në kërkim të eshtrave të njerëzve të tyre të dashur si pasojë e operacioneve të mëvonshme për fshehjen e trupave në vitin 1995”, shtoi Mulaomerovic.

Në disa vende, toka përreth varreve është lëruar për përdorim bujqësor ose është përdorur për ndërtimin e shtëpive, bizneseve ose për hedhje mbeturinash.

Përveç Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, nuk ka vende të mëdha përkujtimore. Pak varre të shënuar të viktimave të Srebrenicës janë rreth fshatit Kamenica, ku disa nga 13 varret janë përkujtuar me pllaka të vogla nga boshnjakët që u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftës.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Përpjekjet për memorizim janë penguar nga fakti se shumica e vendeve janë në entitetin e Republikës Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës, liderët e të cilës nuk e pranojnë që masakrat e korrikut 1995 ishin gjenocid. Vendosja e monumenteve për viktimat boshnjake shpesh nuk lejohet dhe vendndodhjet e disa varreve dihet vetëm nga pak vendas ose të afërm.

Baza e të dhënave “Bitter Land” e BIRN u prezantua muajin e kaluar dhe përshkruan vendet më të mëdha të varreve masive nga luftërat jugosllave.

Ajo përmban vendndodhjet, foto aktuale dhe arkivë, prova mjeko-ligjore, dokumente gjyqësore, dëshmi dëshmitarësh dhe hulumtime në terren të varreve, duke ilustruar shkallën e dhunës dhe operacionin pasues për fshehjen e trupave, si dhe llogaridhënien aktuale dhe përpjekjet për memoralizim.


Pamje ajrore e varrit Liplje 1 ku u gjetën eshtrat e 148 boshnjakëve nga Srebrenica. Foto: BIRN/Zlatan Menkovic.

Dyshimet rreth varreve masive pas masakrave të Srebrenicës u shfaqën për herë të parë pasi qeveria amerikane publikoi imazhe satelitore një muaj pas vrasjeve të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995.

Që atëherë janë gjetur mijëra trupa, por kërkimi për rreth 1,000 viktima të Srebrenicës vazhdon ende, megjithëse pengohet nga mungesa e burimeve dhe informacioneve të dëshmitarëve rreth vendeve, si dhe nga pandemia e koronavirusit.

Shumica e varreve që janë gjetur janë rreth qyteteve të Zvornikut dhe Bratunacit, duke përfshirë vendet e vrasjeve dhe varret masive ku trupat u rivarrosën si pjesë e përpjekjes për fshehje të masakrave.

Hulumtimet e BIRN tregojnë se ekzistonte një model në të gjithë ish-Jugosllavinë, në të cilin forcat ushtarake dhe policore kapnin grupe të mëdha njerëzish, i transportonin me autobusë ose kamionë në vendet e vrasjes, ku skuadrat e vrasjeve prisnin për t’i ekzekutuar.

Njësitë e nivelit më të ulët dhe punonjësit besnikë të shërbimeve publike do të transportonin trupat me kamionë në vendet e varrimit – gropa, komplekse minierash, male, fusha, pyje dhe rrugë të vogla.

Lexo më shumë  Ukraina: Rusia ka dërguar numër rekord dronësh për të na sulmuar gjatë natës

Operacioni më i madh për fshehjen e këtyre krimeve ishte pas asaj që ndodhi në Srebrenicë. Fillimisht, viktimat u varrosën në afërsi të vendeve të vrasjes, por më vonë, në verën e vitit 1995, u dhanë urdhra që këto varre të rihapeshin dhe kufomat të rivarroseshin në varre dytësore në një përpjekje për t’i fshehur ato më mirë.

Operacioni i fshehjes supozohej të ishte i fshehtë, por u krye hapur dhe kërkoi përfshirjen e shumë njerëzve, burimeve, pasurive dhe automjeteve, si dhe përfshirjen e policisë civile.

Deri më tani, gjykata e KB në Hagë dhe gjykatat vendase në Ballkan kanë dënuar gjithsej 48 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë. Më i fundit që u dënua ishte ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiç, dënimi me burgim të përjetshëm i të cilit u konfirmua muajin e kaluar.

Liderët e lartë serbë të Bosnjës u dënuan gjithashtu për organizimin e operacionit të fshehjes së trupave të viktimave, por shumë të tjerë që morën pjesë drejtpërdrejt në operacione mbeten të lirë.

Nuk është bërë kurrë asnjë përpjekje për të ngritur çështje në gjykatat vendase ose ndërkombëtare kundër kompanive ose menaxherëve të tyre që ofruan mbështetje logjistike për gjenocidin e Srebrenicës.

Baza e të dhënave “Bitter Land” ofron informacione mbi vendndodhjen e varreve masive nga luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë në tre gjuhë – anglisht, boshnjake/kroate/serbe dhe në shqip.

Informacioni i ofruar përfshin numrin e viktimave të identifikuara pas zhvarrosjeve, raporte dhe pamje arkiv, plus detaje të çështjeve gjyqësore përkatëse, dëshmi dëshmitarësh dhe burime të tjera..balkaninsight/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *