Lajme

BE apel Serbisë: Lejoni ministrat nga Kosova ta vizitojnë Preshevën

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për refuzimin e vizitës së katër ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.

“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, ka deklaruar Stano.

“Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore

Stano deklaron se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në përputhje me marrëveshjen dhe është dashur të lejohet.

“Vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të zhvillohet. I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë që të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme”, ka thënë Stano.

Ishte ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, që e bëri të ditur se kjo vizitë nuk u lejua nga shteti serb të shtunën.

Sipas tij, kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u refuzua pa arsye.

“Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë.Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

Lexo më shumë  Aksion i madh i policisë: Arrestohen 20 persona, sekuestrohen 120 mijë euro

“Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike.

Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”,ka shkruar Aliu.

Bashkë me të në Luginë kishte për të shkuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *