KryesoreOpinion/Aktualitet

Biznesi i madh! Tarifat e energjisë janë dyfishuar, ç’do të ndodhë me të tjerët?

Për të liberalizuarit tarifat e energjisë janë dyfishuar, ç’do të ndodhë me të tjerët, kur të dalin në treg të lirë. Industria e tullave pret rritje 150% të çmimeve, ajo e përpunimit të qumështit 53%. Reflektimi te çmimet e produkteve. Nëse bizneset e lidhur në tension 20,10,6 kilovolt dalin në treg sipas ligjit në këtë periudhë krize, shumica do ta ketë të vështirë ta përballojë ortekun e çmimeve.

Nga Nertila Maho

Kriza e energjisë është kthyer në epiqendër të debateve publike dhe ekonomike, teksa shtatori dhe tetori po rezultojnë me çmime të larta importi, më të lartat me të cilat vendi është përballur ndonjëherë. Javën e shkuar, Kryeministri Edi Rama përsëriti atë që është thënë edhe më herët nën zë, se nuk bëhet më fjalë për çmime të shtrenjta importi, por për energji të disponueshme për ta blerë, pasi edhe sigurimi i saj, përtej çdo çmimi, po bëhet i vështirë. Kur sheh sesa e vështirë është bërë të sigurosh energji si qeveri dhe kompani publike, me instrumente financiare, burime njerëzore dhe përvojë të gjatë nuk mund të mos mendosh sesi po e përballojnë këtë situatë bizneset.

Bizneset e parë të liberalizuar, që i përkasin tensionit 35 kilovolt, u bënë disa vite në treg të lirë. Sigurisht dalja e tyre, e cila në fillim u mendua me një periudhë tranzitore dymujore u zgjat në dy vjet. Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), pjesë e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), garantoi energjinë me çmime tregu deri në momentin që këto biznese arritën të lidhnin kontrata me kompani private.

Liberalizimi, si politikë në vetvete, nuk paraqet kërcënim për bizneset në vende ku alternativat janë të shumta, konkurrenca e maturuar dhe siguria energjetike e diversifikuar. Por në një vend si Shqipëria, ku varësia është tërësisht te hidroenergjetika, ekspozimi i bizneseve është i dukshëm ndaj krizave dhe çmimet rriten ndjeshëm gjatë viteve jo të mira hidrike.

Ashtu sikurse në vite të mira hidrike mund të sigurosh një çmim më të lirë sesa ai në tregun e rregulluar, mund të kesh edhe çmime të “çmendura” në vite të thatë, apo në kriza si kjo e tanishmja. Por si po e përballojnë në fakt bizneset që janë në treg të lirë krizën e re energjetike, që vjen menjëherë pas krizës së COVID-19?

Rritja e çmimit të energjisë vë nën presion industrinë

Asllan Baraj, nga kompania KID-Alb, e cila ka në objekt të saj prodhimin e tullave, shprehet i shqetësuar për mënyrën sesi ka precipituar situata me energjinë. Ai shprehet se ndoshta çmimi do t’i dyfishohet në vitin 2022 në raport me këtë vit dhe kjo sigurisht që do të rrisë edhe kostot e prodhimit në mënyrë të dukshme.

“Për këtë vit, në 2021, ne kemi një kontratë që energjinë e sigurojmë për 10 lekë pa TVSH. Ishte një marrëveshje që e nënshkruam që në fillim të vitit të kaluar. Por situata do të jetë ndryshe për ne pas 1 janarit, sepse pritet që çmimi për 1 kwh energji të arrijë 25 lekë. Nuk kemi nisur ende tentativat për të negociuar për një kontratë të re. Kjo zakonisht ndodh në nëntor dhe dhjetor, por e di që do të shkojë në nivele të larta, pasi të gjithë treguesit aktualë aty të çojnë” – shprehet Baraj.

Me kushtet e reja, kur çmimi i energjisë po rritet dukshëm, ai nënvizon se industria do të jetë detyruar të zbatojë çmime të reja te produkti final, edhe pse kjo nuk është në dëshirën e tyre.

“Sot jemi të detyruar të bëjmë aplikim për çmime 30% më të larta, pasi gazi 45 lekë ka shkuar në 125 lekë. Koksi nga 14 lekë, në 32 lekë, duke shtuar këtu dyfishimin e energjisë. Sot biznesi nuk vuan vetëm kostot e shtuara nga situata e krizës së energjisë, por edhe mungesën e burimeve njerëzore dhe sidomos pjesën e kualifikuar.

Për të mbajtur në punë punonjësit, jemi të detyruar të rrisim pagat, jo më pak se 30%. Janë të paktë specialistët e fushës dhe paga më e lartë është e vetmja që mund të garantojë gjetjen e tyre. Këta faktorë, mendoj se në afat të mesëm, do të dyfishojnë çmimet e produkteve. Atëherë do të jemi në një kolaps të ri, pasi efekti që prodhohet nga rritja e çmimeve tani do të jetë zinxhir tek të gjithë sektorët.

Industria e tullave pret rritje 150% të çmimeve

Për këtë vit, në 2021, ne kemi një kontratë që energjinë e sigurojmë për 10 lekë pa TVSH. Ishte një marrëveshje që e nënshkruam që në fillim të vitit të kaluar. Por situata do të jetë ndryshe për ne pas 1 janarit, sepse pritet që çmimi për 1 kwh energji të arrijë 25 lekë

Industria e përpunimit të qumështit dhe vezët, të ekspozuara ndaj çmimit të lartë

Përpunuesit e qumështit, nga 1 korriku i këtij viti, aplikuan çmime më të larta për produktet e tyre, për shkak të ndryshimit të çmimit të plastikës dhe shtrenjtimit të çmimit të energjisë. Rritja ishte në nivelin 10%. Por rritja e çmimeve duket se nuk ka arritur të zgjidhë plotësisht problematikën e industrisë, e cila nuk e kishte parashikuar një skenar si ky i sotmi, ku tarifat do të shkonin edhe më lart. Kompanitë e industrisë së përpunimit të qumështit operojnë si të pavarur në treg, duke gjetur furnizues privatë, pasi kanë dalë nga tregu i rregulluar si pjesë e procesit të liberalizimit.

Saimir Begaj, nga kompania “Erzeni”, shprehet se ata janë të lidhur në 35 kilovolt dhe për këtë arsye, ishin të detyruar të dilnin në treg të lirë në fazën e parë të procesit të liberalizimit. Ai pohon se çmimi i lartë i energjisë me të cilin u përballën në korrik ku 1 kwh u kushtoi 13.5 lekë i dekurajoi për të lidhur një kontratë më afatgjatë. Për këtë arsye zgjodhën që të bënin një kontratë 6-mujore deri në fund të vitit.

“Pritshmëria jonë ishte që me vjeshtën dhe ardhjen e dimrit, të kishim një situatë më të mirë në treg dhe çmime më ekonomike sigurisht. Ndaj kontrata u bë 6-mujore dhe mbaron në fund të vitit. Nga ajo që kemi biseduar paraprakisht me furnizuesit, na kanë njoftuar se çmimi për 1 kwh energji do të jetë 20 lekë. Ky është çmimi që na kanë këshilluar. Nëse çmimet vazhdojnë me këto ritme, do të jetë vrasëse për biznesin në treg të lirë. Askush nuk e kishte parashikuar që mund të ndodhte diçka e tillë” – shprehet Begaj.

Lexo më shumë  Qeveria iu ndan komunave 15 milionë euro për t’i mbuluar pagat në arsim

Andi Duka, administrator i pularisë “Aiba”, u shpreh se aktualisht kompania ka në fuqi një kontratë me të cilën deri në fund të vitit energjinë do ta ketë me 12.5 lekë. Ndërkohë kriza e energjisë, sipas tij, është e përgjithshme dhe normalisht i prek të gjithë. Duka nënvizoi se në kushte të tilla, biznesi duhet të vihet në lëvizje dhe të gjejë zgjidhje alternative.

Industria e qumështit, shtrenjtim 53%

Nga ajo që kemi biseduar paraprakisht me furnizuesit, na kanë njoftuar se çmimi për 1 kwh energji do të jetë 20 lekë (nga 13 lekë/kvh në korrik). Ky është çmimi që na kanë këshilluar. Nëse vazhdohet me këto ritme, do të jetë vrasëse për biznesin në treg të lirë

Industria e blojës ndihet e rrezikuar nga kostot e reja që i shtohen asaj të grurit

Një tjetër industri që duket se po përballet me rrezikun e rritjes së kostove është ajo e blojës. Fabrikat e miellit, të cilat janë në treg të liberalizuar, po ndeshen me goditje të njëpasnjëshme të cilat së fundmi janë bërë të dukshme edhe përmes transmetimit të këtij efekti zinxhir te konsumatori.

Së pari, ishte rritja e çmimit të grurit, e cila shkaktoi një rritje të çmimeve për produktet fundore si buka, makaronat e shumë të tjera. Parashikimet janë që çmimi i grurit të vijojë rritjen, edhe si rrjedhojë e prodhimit të pakët nga prodhuesit kryesorë në botë, si dhe efekteve të ndryshimeve klimatike. Tashmë, në horizont, është kostoja e re e çmimeve të rritura të energjisë dhe naftës. Rritja është faktike, por fabrikat duket se do të përballen me të në momentin që do të nënshkruajnë kontratat e reja të energjisë.

“Sfidat janë të shumta. Më e reja është rritja e vazhdueshme e çmimit të grurit dhe sigurimi i lëndës së parë. Problem tjetër është shtrenjtimi i naftës, që po rrit kostot e transportit, por edhe kostot e prodhimit, për shkak të efektit në çmimet e disa lëndëve të para ndihmëse.

Tashmë po përballemi edhe me rrezikun e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Një problem tjetër është vështirësia për të siguruar forcën punëtore dhe rritja e kostos së punës. Së fundmi, po vërejmë një qasje negative të institucioneve kundrejt një prej industrive më moderne të vendit” – u shpreh për “Monitor”, Roland Hysa, president i Miell Tirana. Rritja e kostove për këtë industri, ashtu si për çdo tjetër sektor, është vështirë të mos përkthehet në rritje të çmimeve të produkteve për konsumatorët fundorë.

Të gjithë drejt diellit, bizneset angazhohen për projekte fotovoltaikë

Kriza e energjisë, e cila ka marrë përmasa globale dhe mbart në vetvete disa faktorë, ka nxitur reagimet e të gjithëve, duke e vënë theksin te burimet e rinovueshme. Shqipëria, edhe pse me kuadrin rregullator dhe me garat e ankandeve, i ka dhënë përparësi sidomos atij fotovoltaik, megjithatë pesha që zë kjo energji në totalin e asaj që prodhohet është shumë modeste për të bërë diferenca.

Qeveria nuk ka miratuar ende një çmim për diferencat apo tepricat e energjisë që gjenerohen në rrjet nga vetë prodhuesit, të cilët kanë të instaluar sot një impiant deri në 500 kwp. Kjo është në njëfarë mënyre dekurajuese për zbatimin e projekteve të reja, por duket se kriza e re e energjisë e ka orientuar sërish biznesin drejt fotovoltiakut. Të gjithë po mendojnë diversifikimin.

Asllan Baraj, nga “KID – Alb”, tha se me një konsum mujoj 800 mijë kwh, rritja e çmimit do ta penalizonte shumë fabrikën e tij. Për këtë arsye, diversifikimi drejt fotovoltaikut është një mundësi që po e sheh seriozisht për ta zbatuar brenda këtyre dy muajve.

“Në kam në tryezë ofertat e tre kompanive sa u takon fortovoltaikëve dhe po shoh me vëmendje zgjidhjen e secilit. Po mendoj diversifikimin dhe kapaciteti i instaluar i nevojshëm është diku tek 2 MW, por shteti e ka kufizuar diku tek 500 kwp. Mendoj që qeveria duhet të fokusohet këtë kohë dhe të lehtësojë kushtet që lidhen me këto impiante, ku së pari të lehtësohen procedurat për bizneset.

Së dyti, të mos ketë kufizim të kapacitetit, pasi sasia e lënë në dispozicion është shumë e vogël. Duke parë kushtet, ndoshta është momenti që biznesi që shkon drejt kësaj zgjidhjeje të stimulohet financiarisht për projektet dhe të ketë një rakordim mes shtetit dhe bankave për këtë aspekt, duke ulur kostot” – thekson Baraj. Edhe
Saimir Begaj nga “Erzeni” shprehet se ndoshta fotovoltaiku mund të jetë një zgjidhje ku do të fokusohen më vonë, pasi investimet e tjera në fabrikë kanë orientuar paratë në këtë drejtim.

Andi Duka nga “Aiba” konfirmon se tashmë ka dy kontrata të nënshkruara për të instaluar dy impiante, njëra me kapacitet 400 kwp dhe tjetra 200 kwp, të cilat do ta ndihmojnë të mbulojë një pjesë të mirë të energjisë për të cilën ka nevojë pularia. Ai vlerëson se investimi do të mbyllet brenda këtij viti.

Liberalizimi do të vazhdojë, së shpejti në treg të lirë bizneset e lidhur në 20/10/6kv

Mbi 90 subjekte, në përbërje të të cilëve ishin biznese dhe shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve, ishin të parët që në vitin 2018 dolën në treg të lirë. Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, pjesë e OSHEE Group, mori përsipër që të garantonte sigurimin e energjisë për të gjithë ata që nuk kishin një furnizues privat, por me çmime tregu. Periudha tranzitore fillimisht u mendua se do të ishte dymujore, janar dhe shkurt.

Më pas, duke pasur parasysh problematikat që ngrinte biznesi, periudha tranzitore u shty me afat dyvjeçar. Në fund të vitit 2019, thuajse të gjithë bizneset private u nxorën “me dhunë” në treg për të siguruar të vetëm energjinë, duke shënuar finalizimin e fazës së parë të liberalizimit. Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ende vazhdon të luajë rolin e tij për disa ndërmarrje ujësjellësish, duke u ofruar atyre çmime tregu që çdo muaj kalojnë në Entin Rregullator të Energjisë.

Lexo më shumë  Kurti uron Von der Leyen: Mezi presim të punojmë së bashku për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit

Sipas ligjit, ata që duhet të dalin të tregun e lirë janë konsumatorët e lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 kilovolt. Këto kategori duhet të kishin dalë në treg që në fund të vitit 2020, sipas parashikimeve ligjore. Por pandemia, e cila ngadalësoi zbatimin e projektit të sistemit të matjes, e bëri të pamundur. Burime nga kompania e Shpërndarjes OSHEE bënë të ditur se projekti është në fazën e marrjes në dorëzim nga Operatori i Sistemit të Transmetimit tek Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe kjo po bëhet nga një grup pune, i krijuar nga të dy operatorët.

Ky projekt që u mbështet nga Banka Botërore, parashikonte vendosjen e një sistemi matjeje specifik, që më pas fillon të regjistrojë të dhënat e konsumit. Mbetet e paqartë se cila do të jetë data kur do të finalizohet marrja në dorëzim e projektit, por të njëjtat burime konfirmuan se sapo kjo të ndodhë, bizneset do të dalin në treg të lirë. Ashtu sikurse ndodhi me bizneset e lidhur në 35 kilovolt, edhe për ata të lidhur në tension të mesëm do të ketë një periudhë tranzitore prej dy vitesh, për furnizim me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Gradualisht, gjatë kësaj periudhe, bizneset do të duhet të gjejnë furnizues privat. Sa u takon konsumatorëve të lidhur në 0.4 kv, që kryesisht janë biznese të mesme, të vogla dhe familjarë, liberalizimi nuk është detyrues. Kjo do të thotë që nëse ata e shohin të leverdishëm gjetjen e një furnizuesi privat, pasi u ofrohen çmime më të mira energjie, mund të dalin lirisht në treg të lirë. Nëse ata parapëlqejnë shërbimin publik mund të qëndrojnë pa asnjë kufizim brenda tij.

“Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për subjektet e lidhura në 35 KV ka përfunduar. Ai është menaxhuar, duke iu ofruar mbështetje çdo furnizuesi dhe konsumatori të lidhur në 35 KV. Hapi i radhës do të jetë përfshirja në këtë proces të klientëve/konsumatorëve në nivel tensioni të mesëm, të cilët me mbarimin e fazës së parë, janë pajisur me sistem matje inteligjente.

Rreth 700 konsumatorë në rrjetin e tensionit të mesëm (20/10/6 kV) janë pajisur me sistem matjeje inteligjente.
OSSH SH.A. / OSHEE GROUP po punon të krijojë të gjithë infrastrukturën teknike, “softuerike” për të mundësuar dhe për të menaxhuar me standarde të larta këtë proces. Sistemi i matjes inteligjente do të shtrihet shumë shpejt dhe në konsumatorë të nivelit 0.4 kV, numri më i madh i të cilëve u përket konsumatorëve familjarë dhe biznese të mesme e të vogla” do të nënvizonte administratori i OSHEE, Adrian Çela për “Monitor” në një intervistë të pak javëve më parë.

Çmimet e energjisë për bizneset e liberalizuara arrijnë rekordin në shtator 2021, në 24 lekë/kwh

Shtatori i këtij viti shënoi çmime rekord për energjinë për bizneset në tregun e lirë, por matësi më real i situatës dhe efekteve të krizës janë çmimet që kanë rezultuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Ky furnizues i cili blen energji për llogari të kompanive që kanë detyrimin e daljes në treg të lirë, por nuk kanë gjetur një furnizues privat, tarifoi në shtator energjinë me 24-25 lekë/kwh, më i larti, me të cilën është siguruar ndonjëherë energjia që nga momenti kur nisi procesi i liberalizmit. Më herët, rekordin e mbante janari 2019, me një çmim 18.73 lekë/kwh. Biznesi i lidhur në 35 kilovolt blinte para liberalizimit energjinë nga OSHEE me tarifën e rregulluar 11 lekë/kwh.

Furnizuesi i Mundësisë së Fundit kryen çdo muaj blerjen e energjisë në tregun e lirë dhe më pas paraqet në Entin Rregullator të
Energjisë aplikimin në bazë mujore për tarifën me të cilën do të paguajnë bizneset këtë energji. Tarifa ka në bazë një metodologji që parashikon çmimin fillestar të paguar për blerjen e energjisë, kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, kostot që vijnë për burimet njerëzore dhe ato operative, si dhe një marzh fitimi për kompaninë.

Pavarësisht se në periudha të caktuara, çmimi në tregje mund të rezultojë i ulët, ERE nuk aplikon asnjëherë tarifën më të ulët se 9.5 lekë/kwh, aq sa është tarifa për konsumatorët familjarë, duke tentuar që të nxisë bizneset të dalin të vetëm në treg të lirë. Por viti 2021 po rezulton me një situatë krejt ndryshe nga e zakonshmja, e cila shfaqet shtrenjtim çmimesh vetëm në vite të thatë kur situata hidrike nuk ishte e mirë.

Këtë vit, çmimet nisën të rriten që në shtator, ndërkohë që tetori rezultoi me nivele të cilësuara si të “çmendura” dhe të papara ndonjëherë. Në bursa, çmimet arritën në nivelet 323 euro/Mwh i cilësuar i paprecedentë, teksa u vu theksi në faktin se këtë herë nuk kemi të bëjmë vetëm me çështjen e çmimeve të larta, por edhe të sasisë së paktët të energjisë në dispozicion.

Një shqetësim të tillë e shprehu Kryeministri Edi Rama, në seancën e fundit të Parlamentit ku theksoi se sigurimi i energjisë është bërë sfidues.

Rama deklaroi se do të ketë një program të dedikuar, për mënyrën sesi do të ndahet barra e kësaj krize mes palëve, ndërkohë që ka përjashtuar rritjen e çmimit për biznesin e vogël dhe familjarët. Rama tha se plani do të diskutohet publikisht me palët për të qartësuar se kush do të mbajë barrën. Por fakti që familjarët dhe bizneset e vogla përjashtohen lë të kuptohet se biznesi i madh dhe ai i lidhur në tension të mesëm do të jenë ata që do të ndajnë koston e kësaj situate.

Aktualisht vendi është në gjendjen e emergjencës në furnizim i shtrirë deri në 15 prill 2022 dhe që sipas ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” parasheh një sërë masash të cilat mund të merren në funksion të garantimit. Kompanitë publike ndërkohë kanë ndalur investimet, duke pritur zhvillimet që do të pasojnë dhe duke pasur prioritet vetëm garantimin e sasisë së energjisë që nevojitet për konsum.

MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *