Nga 1 janari rritet pragu i regjistrimit të TVSH-së
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) do të rritet në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që është aktualisht. Shumë biznese të vogla po ankohen se me rritjen e pragut të TVSH-së, mallrat stok pritet t’u njihen si tepricë kreditore dhe se janë të paqartë për mënyrën e dorëzimit të inventarëve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj sqaroi për Monitor se si kreditim i TVSH-së për 2021 do të konsiderohet vetëm për bizneset importuese me xhiro nën 10 mln lekë, pasi biznesit që furnizohen brenda vendit nuk krijojnë mallra stok. Administrata tatimore pritet që së shpejti të publikojë edhe njoftimin për dorëzimin e inventarit.
“Çdo biznes që ka një qarkullim nën tavanin prej 10 mln lekësh për vitin 2020 do të jetë i përjashtuar nga TVSH-ja. Patjetër që ka subjekte që mund të jenë nën 10 mln lekë dhe do të jenë subjekt i TVSH-së, siç janë ato importuese, ku pavarësisht se mund ta keni qarkullimin më të ulët do të jenë të detyruara të jenë brenda TVSH-së. Ndërkohë që të gjitha subjektet kanë detyrimin që brenda periudhës të parë të janarit (ende nuk është publikuar njoftim për këtë) të dorëzojnë inventarin e tyre si çdo vit tjetër. Nëse qarkullimi i vitit 2020 bashkë me muajin dhjetor që deklarohet në mes të muajit janar parashikohet të jetë më i lartë se 10 mln lekë, atëherë do të jenë subjekt i TVSH-së në vitin 2021”, u shpreh Ibrahimaj.
Tatimet sqaruan më herët se të gjithë personat e tatueshëm, të cilët deri ne 31.12.2020 kanë pasur mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, (dmth kanë pagur tvsh-në për këto mallra) në bazë të nenit 9 të ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe udhëzimit Nr 6 datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, këto mallra do të konsiderohen si furnizim kundrejt pagesës dhe personi i tatueshëm është i detyruar të llogarisë ose rregullojë TVSH-në për këtë furnizim.
Bazuar në nenin 38 të ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar vlera e tatueshme e këtij furnizimi duhet të jetë e përbërë nga çmimi i blerjes së këtyre mallrave ose në mungesë të çmimit të blerjes nga vlera e kostos e përcaktuar në momentin kur personi i tatueshëm përfundon veprimtarinë e tij ekonomike të tatueshme.
Sipas tatimeve të dhënave të tatimeve deri në muajin tetor numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 ishte 3,4 miliardë lekë./MONITOR
Rruga Press