Simbolet misterioze të gdhendura në shkretëtirat e Katarit
Arkeologët kanë gjetur rreth 900 gdhendje shkëmbore, ose “petroglife”, në Al Jassasiya, Katar. Ato janë kryesisht shenja enigmatike që ngjasojnë me kupa të formave të ndryshme, por edhe skicime varkash me vela, si dhe simbole e shenja të tjera.
“Megjithëse, arti shkëmbor është i zakonshëm në Gadishullin Arabik, disa nga gdhendjet në Al Jassasiya janë unike dhe nuk mund të gjenden askund tjetër. Këto gdhendje përfaqësojnë një shkallë të lartë kreativiteti dhe aftësish vëzhgimi nga ana e artistëve që i kanë bërë ato. Mbizotërojnë format e varkave, ndoshta sepse në besimet e popujve të lashtë ato përfaqësonin simbolikën e një mjeti që mundësontë kalimin nga kjo botë në tjetrën”, tha për CNN Travel Ferhan Sakal, kreu i gërmimeve në Muzeun e Katarit.
Al Jassasiya, u zbulua në vitin 1957 nga një ekip danez dhe një nga gdhendjet më të veçanta të identifikuara janë dy rreshta të mbushura me simbole që i bënë studiuesit të mendonin se është skicimi i një loje me guralecë që luhej në lashtësi, por të tjerë e kanë kundërshtuar këtë teori.
Për disa arkeologë, shumë prej këtyre formave, si rreshta apo kupa, mund të jenë përdorur për të klasifikuar dhe ruajtuar perlat ose si sisteme për të llogaritur kohën dhe baticat. Dilemat, gjithashtu, lidhen edhe me epokën se kur mund të jenë realizuar këto gdhendje. Megjithatë, mendohet se ato mund të jenë bërë në kohë të ndryshme, nga epoka e neolitit e deri në kohë më të vona.
RrugaPress