Kuriozitete

Arkeologët pretendojnë se zbuluan bizhuteritë më të vjetra në botë

Arkeologët që punojnë në shpellën “Bizmoune” në jugperëndim të Marokut javën e kaluar publikuan një zbulim befasues në “Science Advances”. Ata kanë zbuluar atë që besohet të jetë bizhuteria më e vjetër në botë. Ekipi gjeti 33 rruaza guaca, të cilat pretendohet se datojnë midis 142 mijë dhe 150 mijë vjet më parë.

Rruazat u gjetën gjatë periudhës 2014 – 2018, në kohën kur ekipi po punonte për të konfirmuar një datë të saktë për artefaktet përmes analizave shkencore. Studimi, i udhëhequr nga El Mehdi Sehasseh, një student i diplomuar në Institutin Kombëtar të Shkencave Arkeologjike dhe Trashëgimisë në Rabat, përfshiu analizimin e uraniumit dhe vrojtimin se kur ishin depozituar rruazat në shtresat e sedimentit, gjë që u dha studiuesve të dhëna për të kuptuar me pas se në çfarë periudhe ishin punuar bizhuteritë.

Në pamje të parë, ishte e paqartë nëse rruazat e gjetura ishin në fakt bizhuteri, pasi ato ishin rruaza të guaskave. Por studiuesit arritën në përfundimin se ato ishin vërtet bizhuteri bazuar në studimin e ngushtë të vrimave në guaska, të cilat ishin krijuar nga ndërhyrja njerëzore. Shumë rruaza të një lloji të ngjashëm janë gjetur më parë në rajon, por asnjëra nuk ishte më shumë se 130 mijë vjet e vjetër.

Rreth vrimave gjenden shenja shpimi të përsëritura, gati mikroskopike, që sugjerojnë se janë bërë nga një njeri duke përdorur një mjet dhe përtej këtyre vrimave ka kaluar një fije për t’i varë më pas. Disa nga rruazat kishin gjithashtu gjurmë okër mbi to, një pigment i përdorur zakonisht nga njerëzit e lashtë për dekorimin.

Ky stil i rruazave lidhet me kulturën ateriane të epokës së gurit të mesëm në Afrikën e Veriut. Aterianët përpunuan guri të lidhur me shtiza për gjueti dhe prej kohësh janë vlerësuar me krijimin e shembujve të parë të kulturës materiale simbolike, ose me fjalë të tjera, bizhuterive.

Studiuesit e përfshirë në gërmim shprehen mjaft të sigurt se rruazat janë përdorur si një formë komunikimi, jo vetëm si zbukurim. “Ato ndoshta ishin pjesë e mënyrës se si njerëzit shprehnin identitetin e tyre pra përmes veshjeve të tyre”, ka thënë Steven L. Kuhn në një intervistë për “Eureka Alert!”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *