Kuptoni konfliktin Rusi-Ukrainë përmes 5 hartave
Lëvizje masive e trupave, dërgesa të armëve, kërcënime reciproke, raunde të pafundme të bisedimeve dhe tensione të nivelin më të lartë nga viti 2014. Mundësia që Rusia të nisë një konflikt të shkallës së lartë në territorin ukrainas ka mbizotëruar në mediet botërore për disa javë pa ndonjë zgjidhje diplomatike në horizont. Në ShBA, mbi 8.000 ushtarë janë në gjendje gatishmërie për t’u nisur në çdo kohë në Evropën Lindore. Në anën e Moskës, mbi 100.000 trupa janë dërguar afër kufirit me Ukrainën.Duke e marrë parasysh gjendjen e krijuar, më poshtë gjenden pesë harta, të cilat ndihmojnë për t’i shpjeguar ndërlikimet në “fushën e shahut” në Ukrainë, duke nisur nga rrënjët gjeografike e politike të pretendimeve ruse deri te pasojat globale të një krize të nivelit të plotë në Ukrainë.
1. Zgjerimi i NATO-s
Rusia ka qenë shumë e qartë në kërkesat e saj ndaj Perëndimit. Qeveria e Vladimir Putinit dëshiron që Shtete e Bashkuara dhe Evropa ta ndryshojnë tërësisht arkitekturën e tyre të periudhës pas Luftës së Ftohtë. Në veçanti, Kremlini kërkon që NATO-ja të zotohet me shkrim që nuk do të pranojë asnjë shtet të Evropës Lindore (si Moldavia, Ukraina ose Gjeorgjia) dhe t’i tërheqë trupat ushtarake të vendosura në territoret lindore, si në Bullgari e Rumani.
Shtetet e NATO-s në periudhën 1949 – 1982 (majtas) dhe shtetet anëtare deri më 2020 (djathtas) – Hartat: “El Confidencial”
Moska pretendon se Uashingtoni dhe NATO-ja i kanë shkelur vazhdimisht premtimet e bëra në vitet e hershme të nëntëdhjeta se aleanca nuk do të zgjerohej në shtetet e ish-bllokut sovjetik. Megjithatë, ky zotim i pretenduar nuk u fut kurrë në ndonjë marrëveshje dhe aleanca kurë nuk ka pranuar se një gjë e tillë ka ndodhur, madje as gojarisht. Vetë Mikhail Gorbachev, atëher sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, kishte pranuar se “çështja e zgjerimit të NATO-s nuk është diskutuar fare dhe madje as nuk është përmendur në ato vite”.
Pavarësisht këtij debati historik, nga këndvështrimi i Kremlinit të tanishëm, zgjerimi i NATO-s drejt kufijve të tij përbën kërcënim për sigurinë e Rusisë. Ndonëse procesi i zgjerimit nuk ngrihet nga vetë aleanca, por nga nisma e shteteve që vullnetarisht kërkojnë një gjë të tillë, qeveria ruse vlerëson se një pjesë e madhe e shteteve evropiane, që janë anëtarësuar në organizatë nga viti 1990, janë pjesë e sferës së saj të ndikimit. Kthimi sa më i madh prapa i ndryshimeve të tri dekadave të fundit dhe garancia se Ukraina dhe Gjeorgjia fqinje nuk do të bëhen kurrë aleate në NATO është njëra nga prioritetet kryesore të Putinit.
2. Bipolariteti i rremë i Ukrainës
Që nga fillimi i luftës në Donbas më 2014, njëra nga klishetë më të përsëritura në medie ka qenë pretendimi për përçarjet e rrënjosura thellë brenda popullatës ukrainase. Hartat, ku tregohet se në rajonet perëndimore flitet gjuha ukrainase e në rajonet lindore gjuha ruse, janë përdorur shumë herë për ta arsyetuar narracionin se gjysma e vendit e ka kthyer fytyrën nga Evropa, ndërsa gjysma tjetër nga Moska. Hartat e tjera, ku shfaqet përçarja në rezultatin e zgjedhjeve mes kandidatëve “evropianë” dhe “pro-rusë” gjithashtu e kanë pasur të njëjtin funksion.
Përqindja e të anketuarve, sipas rajoneve të Ukrainës, që më 2014 e kundërshtonin ribashkimin me Rusinë
Por ky narracion përçarës është i mbështetur në thjeshtëzime masive, të cilat e anashkalojnë faktin se shumica e qytetarëve të Ukrainës i flasin relativisht të aftë për t’i folur të dyja gjuhët. Për më tepër, gjuha, identiteti dhe opinioni politik i ukrainasve nuk janë të ndërlidhur aq ngushtë sa duket se tregojnë këto harta dyngjyrëshe. Me përjashtim të rajoneve të Donetskut e Luhanskut, ku konflikti po vazhdon edhe sot e asaj dite, popullsia e pjesës tjetër të Ukrainës Lindore e kundërshton në masë të madhe ribashkimin me Rusinë.
Ndonëse ka dallime të konsiderueshme politike mes lindjes dhe perëndimit të Ukrainës, ato nuk janë shumë më ndryshe se dallimet që mund të shihen në një hartë zgjedhjesh në Gjermani, Itali ose ShBA, mes tjerave. Në mënyrë të ngjashme, perceptimet për NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Rusinë dallojnë sipas rajoneve, por pjesa lindore rusishtfolëse vazhdon të jetë më e drejtuar nga Perëndimi, sesa ka paragjykuar Moska.
3. Gazi rus, problem i madh për BE-në
Në bisedimet e tanishme diplomatike mes Rusisë, ShBA-së dhe NATO-s, Bashkimi Evropian nuk është i ftuar në tavolinë dhe luan një rol dytësor. Reagimi i vendeve anëtare ndaj dërgimit të trupave të Moskës, ndonëse dënues në të gjitha rastet, ka qenë më i kujdesshëm se reagimet e Uashingtonit dhe Britanisë së Madhe. Njëra nga arsyet është se, në një kontekst të krizës energjetike, në të cilën çmimet e rrymës janë rritur shumë në mbarë kontinentin, BE-ja është shumë e varur nga gazi natyror nga Rusia.
Gazsjellësit që e furnizojnë Evropën me gaz: me ngjyrë të portokalltë – gazsjellës nga Rusia; me ngjyrë rozë – gazsjellës nga Norvegjia; me ngjyrë të kaltër – gazsjellës nga Algjeria
Gazsjellësit rusë kanë funksionuar me gjysmë kapaciteti me muaj. “Gazprom”-i, kompania parashtetërore që e kontrollon tërë rrjetin e gazit të Rusisë, këmbëngul se i ka plotësuar të gjitha zotimet afatgjata për furnizim të Evropës, por, duke mos vendosur gaz shtesë në treg, po i bën presion furnizimit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se Moska është duke e mbajtur të paktën një të tretën e gazit që do të mund ta dërgonte në destinacione evropiane. Ky pakësim i qarkullimit, theksoi agjencia, “rastis me rritjen e tensioneve gjeopolitike në lidhje me Ukrainën”.
Kjo i ka detyruar 27 shtetet e BE-së që ta zgjerojnë shumë importimin e gazit të lëngshëm natyror, sidomos nga Shtetet e Bashkuara. Por kjo po mundësohet vetëm sepse kontinenti po paguan çmime goxha më të larta se rajonet e tjera për këtë lëndë. Në anën tjetër, nuk ka gaz të lëngshëm në botë që do të mund ta shmangte situatën katastrofale, nëse Kremlini do të vendoste që t’i mbyllte tërësisht gazsjellësit. Për të ardhmen e parashikueshme, Brukseli vazhdon me duart e veta të lidhura në marrëdhënien e tij me Moskën.
4. Deti i Zi, i kontrolluar nga Kremlini
Pavarësisht se është shteti më i madh në botë me territor, Rusia ka një problem të rëndësishëm gjeografik në lidhje me qasjen e saj në det. Për të siguruar qasje në Detin Mesdhe, asaj i duhet mbajtja e kontrollit të Detit të Zi. Ky skenar u ndërlikua më tej për Moskën me ndarjen e Bashkimit Sovjetik, pasi baza e tij më e rëndësishme detare, Sevastopoli, u bë ukrainase. Konflikti i vitit 2014, i cili kulmoi me aneksimin e Krimesë nga Rusia, e ktheu këtë vend historik ushtarak te Kremlini.
Bazat detare në Detin e Zi: pikat me ngjyrë rozë – baza ruse; pikat me ngjyrë të kaltër – baza ukrainase; pikat me ngjyrë të portokalltë – baza bullgare; pikat me ngjyrë të bardhë – baza rumune; pikat me ngjyrë rozë të lehtë – baza turke
Pas përpjekjeve gjithëpërfshirëse për modernizim, flota ruse sot është një forcë që duhet llogaritur në Detin e Zi. Ajo përbëhet nga një luftanije më e madhe, pesë luftanije më të vogla dhe shtatë nëndetëse, plus një grup anijesh që mund të prekin edhe në tokë, barka patrulluese e motobarka. Të ballafaquar me këtë fuqi dhe të dëbuar nga Sevastopoli, ukrainasit kanë pak për të bërë. Aseti i tyre i vetëm i rëndësishëm është një fregatë. Të tjerat janë të gjitha barka të lehta patrulluese dhe barka më të vogla me kapacitet të vogël ushtarak.
Gjëja e vetme që do të mund ta shpëtonte Kievin në këtë skenar është NATO-ja, por është vështirë të imagjinohet një skenar ku aleanca do të ishte e gatshme për t’i përdorur luftanijet e veta kundër Rusisë përpos si mbrojtje. Saktësisht në këtë kuptim, aleanca ka filuar që t’i mobilizojë asetet për të lëvizur drejt zonës së konfliktit. Spanja, për shembull, ka dërguar një anije (“Meteor”) dhe një fregatë (“Blas de Lezo”). Shtetet e Bashkuara e kanë zhvendosur grupin detar të aeroplanmbajtëses “Harry S. Truman”, e cila tani ndodhet në ujërat afër Greqisë.
5. Rreziku global i një lufte lokale
Ukraina është njëra nga eksportueset më të mëdha të grurit në botë. E njohur me shekuj si “hambari i Evropës”, nga plantacionet e saj të mëdha varet arritja e bukës në miliona tryeza përreth botës. Në vitin 2020, Ukraina kontribuoi përafërsisht me 18 milionë tonë grurë në tregun global ose me 75 për qind të të gjitha të mbjellave të këtij drithi prej 24 milionë tonësh. Në rrethana normale, të mbjellat e vitit 2022 në Ukrainë do të duhej të mbulonin 12 për qind të eksportit global të grurit.
Përqindja e kultivimit të grurit në Ukrainë sipas rajoneve – Tri rajone me përqindje më të lartë ndodhen në vijën e frontit mes ushtrisë ukrainase e separatistëve pro-rusë.
Problemi? Pasi procesi i korrjes është ende disa muaj larg, fushat kryesore bujqësore të Ukrainës janë në vijën e zjarrit të një konflikti të plotë të mundshëm me Rusinë. Unaza e provincave, që i rrethon zonat e tanishme të luftimeve – Donetskun dhe Luhanskun – të kontrolluara pjesërisht nga rebelët pro-rusë dhe prapa të cilave Kremlini e ka vendosur grumbullin e madh të ushtarëve, të cilët i ka dërguar në atë zonë që nga prilli i vitit të kaluar, e përmban përqendrimin më të madh të kultivimit të grurit në vend. Vetëm tri rajone – Kharkiv-i, Dnipropetrovsk-u dhe Zaporizhia – ofrojnë deri 22 për qind të grurit të Ukrainës.
Çfarëdo pengese e shkallës së lartë ndaj eksportimit të grurit ukrainas do të ishte shok ndaj tregut global të drithërave, i cili tashmë është duke e përjetuar njërin nga inflacionet më të larta të çmimit të ushqimit në disa dekada. Kostoja e grurit në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore ka shkuar në nivelin e njëjtë si para protestave të “Pranverës Arabe”, një dekadë më parë. Nëse të mbjellat preken nga grumbulli i skenarëve të mundshëm – nga shkatërrimi i infrastrukturës si rezultat i bombardimeve deri te largimi i bujqve përballë një pushtimi të mundshëm -, ka gjasë që viktimat e kësaj lufte nuk do të jenë të kufizuara në pjesën e brendshme të kufijve ukrainas./“El Confidencial”
Rruga Press