Zgjedhjet presidenciale franceze: Kush janë kandidatët kryesorë dhe platformat e tyre
Nga Brian Mcculloch
Na ndajnë vetëm disa muaj nga zgjedhjet presidenciale në Francë. Raundi i parë do të mbahet më 10 prill, dhe i dyti, nëse do të jetë i nevojshëm, më 24 prill. Presidenti aktual, Emmanuel Macron, shpreson të jetë i pari që do të rizgjidhet në detyrë qëkur nisi praktika e mandateve5-vjeçare në vitin 2000.
Por të paktën 6 kandidatë me peshë, dhe 9 të tjerë që kanë deklaruar synimin e tyre për të kandiduar, synojnë që ta mposhtin atë. Deklarimi i aspiratës nuk do të thotë se ata do të kandidojnë realisht. Kjo pasi që të përfshihen në listën zyrtare, kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e të paktën 500 përfaqësuesve, me jo më shumë se 50 përfaqësues nga një departament.
Për figurat më pak të njohura, por edhe për ata që njihen si ekstremistë, kjo mund të jetë një pengesë e madhe. Ja cilët janë pretendentët kryesorë aktualë, përfshirë presidentin Macron, që zyrtarisht nuk është deklaruar si një kandidat, por është thuajse e sigurt se do ta bëjë këtë në ditët e ardhshme:
La République en Marche (Republika në Marshim): Emmanuel Macron
Kur të shpallë zyrtarisht kandidaturën, presidenti aktual do të thotë se i duhen edhe 5 vjet të tjera për të zbatuar planet e tij për ta transformuar Francën. Macron, 43 vjeç, kryeson në shumicën e sondazheve, dhe shumë francezë mendojnë se deri më tani ai ka punuar relativisht mirë.
Asnjë president nuk është rizgjedhur në detyrë qëkur pas ndryshimeve kushtetuese hyri në fuqi mandati 5-vjeçar në fund të presidencës së Jacques Chirac’s, dhe filozofia e ‘dégagisme’ (dëbimit të politikanëve nga postet që mbajnë) është një forcë e fortë politike në vend, e cila krenohet se ndonjëherë është e paqeverisshme.
Megjithëse Macron nuk e ka shpallur ende kandidaturën e tij, disa nga politikat e tij kryesore politike janë forcimi i BE-së, duke përfshirë punën për ndërtimin e një ushtrie të unionit, krijimin e një organizate botërore për mjedisin, dhe rishikimin e skemës së pensioneve në vend.
Les Républicains (Republikanët): Valérie Pécresse
Pécresse, 54 vjeçe, ishte fituesja surprizë e zgjedhjeve paraprake për Les Républicains, opozita zyrtare ndaj mbështetësve të presidentit Macron në parlament. Ish-ministre e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor nën qeverinë e presidentit Sarkozy, ajo miratoi një projekt-ligj për reformën universitare, edhe pse nxori në protestë më shumë se 1 milionë njerëz.
Më vonë, ajo u promovua në postin e Ministres së Buxhetit, derisa Sarkozy u larguar nga detyra. Që prej asaj kohe është zgjedhur dy herë presidente e këshillit rajonal Ile-de-France, një post që më parë është mbajtur nga të majtët.
Pasi u largua nga Les Républicains për shkak të asaj që ajo e shihte si lëvizjen e saj në të djathtën ekstreme, Pécresse iu ribashkua partisë për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake. Ajo mbështet kontrollet më të rrepta mbi emigracionin, por po e bazon fushatën në përvojën e saj qeveritare, kompetencën dhe aftësinë e provuar për të fituar në zgjedhjet e vështira. Ajo është shumë pro-evropiane dhe pro-euros.
Rassemblement National (Aleanca Kombëtare): Marine Le Pen
Le Pen, 53 vjeçe, përfaqësoi Frontin Kombëtar në zgjedhjet e fundit presidenciale, duke u renditur e dyta në raundin e parë, përpara se të mposhtej në një debat televiziv përballë Emmanuel Macron dhe të humbiste rëndë në raundin e dytë.
Këtë herë, ajo po e bazon fushatën e saj tek motoja“liri për francezët”, dhe ka ndryshuar emrin e partisë së saj në Tubimi Kombëtar, duke u larguar nga disa prej qasjeve të saj më ekstremiste dhe duke dënuar racizmin. Platforma e saj është sërish kundër emigracionit dhe anti-islamike, me një politikë ekonomike shumë proteksioniste, dhe një politikë të jashtme të bazuar në lidhjet e ngushta me Rusinë e Vladimir Putinit.
La France Insoumise (Franca Rebele):Jean-Luc Mélenchon
Mélenchon, 70 vjeç, është lideri karizmatik i së majtës ekstreme La France Insoumise, një parti trockiste e cila gjatë dekadës së fundit e ka lënë tërësisht në hije Partinë Komuniste tradicionalisht staliniste.
Ai dëshiron ta nxjerrë Francën nga eurozona dhe nga Bashkimi Evropian, të cilin e sheh
si të dominuar nga interesat kapitaliste, dhe është në favor të një ekonomie shumë proteksioniste, bazuar në dhënien e pushtetit tek punëtorët francezë. Mélenchon merr vazhdimisht 10 për qind në sondazhe. Ai shpreson që ta rrisë mbështetjen duke e pozicionuar veten si alternativa e vetme ndaj qendrës së djathtës dhe së djathtës ekstreme.
Reconquête (Ripishtimi): Eric Zemmour
Zemmour, 63 vjeç, është një polemist që kaloi nga puna si gazetar terreni në atë të analistit politik në televizion. Ai është angazhuar në të djathtën ekstreme dhe në disa media të kontrolluara tani nga miliarderi Vincent Bolloré, që besohet gjerësisht se po e financon garën e tij presidenciale.
Politikat e Zemmour përfshijnë masa shumë të rrepta kundër migracionit, ndalimin me ligj që foshnjave t’u vihen emra jo francezë (pavarësisht se për shembull emri i tij Eric është me origjinë skandinave), dhe heqjen e së drejtës për çdo lloj përfitimi për të huajt që nuk kontribuojnë për shtetin.
Ai është i prirur ta rishkruajë historinë e vendit, duke pretenduar se qeveria kolaboracioniste e Vishisë ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve francezë, ndërsa mendon se Franca gjendet në pragun e një lufte të dhunshme civile. Partia e tij, Reconquête, u krijua për të luftuar atë që ai e sheh si “zëvendësimin” e francezëve nga të huajt. Pavarësisht nga popullariteti i tij relativ në publikun francez, ashtu si Mélenchon, edhe Zemmour mund ta ketë të vështirë të sigurojë firmat e 500 zyrtarëve të zgjedhur.
Europe Ecologie Les Verts (Evropa Ekologjike e Të Gjelbërve): Yannick Jadot
Një ish-gazetar, ai beson se të jesh i Gjelbër do të thotë domosdoshmërisht të jesh i majtë, ndaj favorizon politikat për të luftuar ndryshimet klimatike. Ai këmbëngul se kjo do të jetë e mundur duke ruajtur rritjen ekonomike. Kjo parti paraqitet më mirë në zgjedhjet evropiane, dhe më pak në zgjedhjet presidenciale. Jadot shpreson ta ndryshojë këtë prirje.
Parti Socialiste (Partia Socialiste): Anne Hidalgo
Kryetarja aktuale e bashkisë së Parisit, është kandidatja e socialistëve pasi fitoi zgjedhjet brenda partisë. Por ajo mund të përballet ende me një sfidë serioze nga brenda partisë,pasi mbështetja ndaj saj në sondazhet e para ka qenë e dobët. Hidalgo, 62 vjeçe, po e bazon fushatën e saj në vlerat tradicionale socialiste të promovimit të barazisë duke taksuar të pasurit, ndërsa është shumë pro-evropiane.
Por kandidatura e saj dëmtohet jo pak nga performanca e saj si kryetare bashkie. Gjatë mandatit të saj, Parisi e ka humbur një pjesë të shkëlqimit të tij, për shkak të problemit të pazgjidhur të menaxhimit të mbetjeve,dhe dështimit të skemës së makinave elektrike.
Sipas disa analistëve, një nga gabimet e saj më të mëdha është fiksimi që ka për kufizimet e shpejtësisë. Në shumicën e rrugëve në Paris, nuk mund të ecet me më shumë se 30 km/h, gjë që krijon shpesh shumë trafik. Gjithsesi, Hidalgo ka mbështetjen e asaj që dikur ishte një makineri partiake e frikshme, dhe po bën përpjekje për të mbledhur mbështetës jashtë Parisit.
Disa nga pretendentët e tjerë potencialisht të fortë janë Jean Lassalle, që dëshiron një rikthim tek vlerat e Francës rurale, punonjësi i fabrikës Philippe Poutou qëformoi një parti të së majtës ekstreme të quajtur Nouveau Parti Anticapitaliste (Partia e Re Anti-kapitaliste), që fitoi disa vende në zgjedhjet me fundit lokale, dhe Arnaud Montebourg, një ish-Ministër i Financave nën presidencën Hollande, dhe që drejton një biznes të prodhimit të mjaltit.
Po ashtu në garë është edhe Christiane Taubira, ish-Ministre e Drejtësisë nën presidentin François Hollande gjatë viteve 2012-2016. Ajo garoi në presidencialet e vitit 2002, dhe është gruaja e parë me ngjyrë që pretendon të marrë postin më të lartë në Francë. Gjithsesi deri me sot ajo nuk e ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën./ “Connexion”/Perktheu:Bota.al
Rruga Press