Lajme

Bashkitë, 12 tendera me probleme, kryesojnë Tirana e Durrësi. Pa konkurrencë impianti i Bovillës dhe kopshti Zoologjik

Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit kryesojnë listën e institucioneve të pushtetit vendor që kanë rezultuar me tendera problematikë. Nga 29 procedura me fond më shumë se 100 milionë lekë gjatë vitit të kaluar, 12 prej tyre janë shënuar me flamur të kuq. Problemet kryesore janë në Tiranë dhe Durrës, ku janë konstatuar tendera pa garë apo përzgjedhje e ofertave që kanë kushtuar më shumë në buxhetin e bashkive.

Viti që lamë pas ka regjistruar 29 procedura prokurimi me vlerë mbi 100 milionë lekë, të zhvilluara nga disa Bashki ku gati gjysma prej tyre kanë rezultuar me probleme.

Sipas Open Data, janë të paktën 12 procedura, të cilat janë shënuar me flamur të kuq për mungesë konkurrence dhe skualifikimin i ofertave më të leverdisshme.

Lexo më shumë  Kosova do të hapë fabrikën e prodhimit të municionit dhe dronëve. Kurti: Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake

Nga analiza rezulton se më problematike është Bashkia e Durrësit, për shkak të procedurës së dhënies me negocim dhe në mungesë konkurrence të kontratës ‘Depozitimi i mbetjeve urbane’ me një kosto prej 1.14 miliard lekësh.

Kontraktori përfitues i këtij tenderi është kompania ‘Integrated Energy BV SPV’, e cila ka fituar dhe kontratën koncesionare të incineratorit të Tiranës.

Një tender tjetër problematik është ai i ndërtimit të rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza të fshatit Shënavlash me fond limit mbi 364 milionë lekë.

Kjo procedurë është zhvilluar me garë të hapur por gjatë vlerësimit është s’kualifikuar ofertuesi me vlerë më të ulët.

Po në Bashkinë Durrës gjatë vitit 2021 është zhvilluar tenderi ‘Loti I Nafte 10 ppm ULSD’ në të cilin ka marrë pjesë vetëm operatori ‘Kastrati shpk., i cili është shpallur fitues.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

E njëjta situatë paraqitet dhe në Bashkinë e Tiranës. Institucionet në varësi të saj kanë zgjedhur që të paktën 3 tendera me fond limit mbi 2 miliard lekë t’i zhvillojnë në mungesë të konkurrencës.

Procedurat problematike janë ‘Shtesa e Impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë në të cilën është shpallur fitues operatori me ofertën më të lartë, ndërsa ‘Shtesa e Kontratës Rikonceptimi i Kopshtit Zoologjik’ dhe ‘Blerje Kimikate për UKT’, të cilat janë zhvilluar në mungesë konkurrence.

Një procedurë e njëjtë është ndjekur dhe me disa tendera të zhvilluara nga Bashkitë Pogradec, Poliçan, Elbasan Dropull dhe Shkodër.

Edhe në këto raste nuk mungojnë sinjalizimet e Open Data për mungesë konkurrence dhe skualifikimin i të gjithë operatorëve përveç fituesit.

YouTube player