Lajme

Ministri Aliu në Preshevë: Beogradi mund të na bëjë ndalesa, por ne do të insistojmë vazhdimisht

Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut autoritet serbe ia kanë lejuar vizitën zyrtare në Preshevë. Megjithëse, Aliu në një konferencë të përbashkët që pati me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin tha se Beogradi mund t’iu bëjë ndalesa por që do të bëjnë vazhdimisht kërkesa për të vizituar Komunën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës. Kjo meqenëse atij dhe tre ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës, autoritete serbe nuk ua kishin lejuar vizitën që do të bënin me 28 nëntor.

“Ne do të bëjmë vazhdimisht kërkesa për ta vizituar Preshevën. Autoritet në Beograd mund të na bëjnë ndalesa por ne do të insistojmë vazhdimisht, pra po ta refuzonin tash këtë kërkesë që erdha unë do ta bëja një kërkesë tjetër për pak më vonë, pra nuk do të hezitojë të bëjë kërkesa të vijë ta vizitojë Preshevën., njëjtë sikurse edhe ministrat tjerë nëse me 28 nëntor kemi planifikuar të vinim katër ministra bashkë, tash erdha vet por në vizita tjera mbase do të jemi prapë bashkë”, ka thënë Aliu.

Megjithëkëtë, Aliu u shpreh i lumtur që vizitoi Preshevën. Nga aty ai u shpreh se veç obligimit personal, është edhe obligim i Qeverisë së Kosovës që të përkujdeset për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

“Është obligim edhe i imi personal, por në veçanti është edhe obligim i Qeverisë së Kosovës që të përkujdeset për të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Komunën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës. Ne do të jemi përherë pranë, do të vijmë në vizita, përpiqemi që në vizitat tona t’i inkurajojmë qytetarët tanë që të qëndrojnë ashtu siç kanë qëndruar përherë”, ka thënë Aliu.

Ministri theksoi se është detyrë që në aspektin politik në negociatat me palën serbe Qeveria e Kosovës t’i ngrejë çështjen e të drejtave të qytetarëve të Luginës.

“Është detyrë e jona që edhe në aspektin politik Republika e Kosovës në negociata, në takime me palën serbe përherë ta ngrejë çështjen e të drejtave të qytetarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë duke pasur parasysh përherë parimet e reciprociteti”, nënvizoi ministri Aliu.

Mes tjerash ai ka folur edhe për kontributin që kanë dhënë qytetarët e Preshevës ndër vite për qytetarët e Kosovës.

“Edhe në luftën tonë qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës kanë qenë përherë aktiv dhe rrjedhimisht lirinë që në e gëzojmë në Kosovë është liri e fituar edhe me kontributin e qytetarëve të tyre dhe Kosova e ka për detyrë dhe obligim që këtë të mirë t’ua kthejë vëllezërve të tri këtyre komunave dhe kjo është vetëm detyrë e jona dhe , nuk po bëjmë asgjë më tepër, bile po bëjmë pak me atë që duhet të bëjmë”, tha ai.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani u shpreh e lumtur për vizitën e ministrit Aliu, për çka ka përshëndetur siç tha ajo praktikën e krijuar nga Qeveria e Kosovës që në vazhdimësi rajonin ta vizitojnë ministrat e saj.

“Më në fund ne pas shumë pengesave e nga autoritet shtetërore, miku jonë, dhe vëllai jonë i Preshevës, ministri i MMPH erdhi në vizitë në komunë e Preshevës. Përshëndes praktikën e krijuar nga Qeveria e Kosovës që në vazhdimësi rajonin tanë ta vizitojnë ministrat e saj. Kjo përveç thellimit të bashkëpunimit mes përfaqësuesve të udhëheqësve të shqiptarëve në Luginë me autoritet qendrore të Kosovës është përkrahej e madhe sidomos për qytetarët tanë. Kjo praktikë shërben edhe për sensibilizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginë”, ka thënë ajo./KP

Rruga Press

YouTube player