Opinion/Aktualitet

Kërkesa ruse për largimin e NATO-s nga Ballkani dhe Shqipëria (dhe një Traktat Miqësie që duhet shfuqizuar)

Nga Shaban Murati

Se sa rëndësi ka Ballkani për strategjinë ruse të influencës në Europë e dëshmon këmbëngulja patologjike e presidentit Putin dhe e diplomacisë ruse për të larguar NATO-n nga Ballkani. Në datën 21 janar në konferencë shtypi, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i pyetur se çfarë don të thotë për Bullgarinë dhe për Rumaninë kërkesa e Rusisë që NATO të kthehet në gjendjen e vitit 1997, deklaroi:

“Ne po flasim për tërheqjen e forcave të huaja, të pajisjeve dhe të armatimeve, si dhe ndërmarrjen e hapave të tjera, për t’u kthyer në kuadrin që kishim në 1997 në vendet jo anëtare të NATO-s. Kjo perfshin Bullgarine dhe Rumanine”.

Me një fjalë shefi i diplomacisë ruse paraqet kërkesën qe vendet e NATO-s në Ballkan duhet të çarmatosen dhe të dalin nga NATO. I ashtuquajturi rikthim në konfiguracionin e vitit 1997 don të thotë një rikthim mbrapa i historisë dhe një dalje nga anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve ish-komuniste, që u bënë anëtare nga viti 1999.

Kështu Rusia aspiron dhe ëndërron të pamundurën që gjithë ky grup shtetesh ish-komuniste, që nga republikat pribaltike e deri te Shqiperia dhe Maqedonia e Veriut të ikin nga NATO dhe futen në sferën e influencës ruse, siç kanë qenë në kohën e perandorisë komuniste sovjetike.

Meqë ligjet e historisë nuk lejojnë kthim mbrapa dhe as ringjalljen e perandorisë komuniste sovjetike, e cila përfshinte edhe vendet e Europës Lindore, Kremlini ka planifikuar ta realizojë nëpërmjet forcës së armeve dhe ta detyrojë kohën të kthehet mbrapa dhe të thyejë ligjet e historise, duke rikrijuar perandorinë e vdekur komuniste sovetike.

Mirëpo për ambicjen ruse ka një pengesë të pakapërxyeshme të zhvillimit historik, që është integrimi atlantik i të gjitha shteteve ish-komuniste të Europës, pra anëtarësimi i tyre në NATO, themeli i së cilës është mbrojtja kolektive e përbashkët, ku sulmi ndaj njerit shtet konsiderohet sulm ndaj gjitha shteteve anëtare.

Ndaj Kremlini dhe diplomacia ruse në dalldinë e tyre perandorake kanë prodhuar ëndrrën halucinante që vendet atlantike nga Ballkani dhe gjitha shtetet ish- komuniste nga Balltiku në Ballkan të largojnë forcat atlantike dhe të dalin nga NATO.

Nuk është rastësi që Kremlini po kërkon ikjen e NATO-s dhe daljen nga NATO vetëm të vendeve ish-komuniste të Ballkanit. Nuk po kërkon Moska përshembull largimin e forcave të NATO-s apo daljen nga NATO të Turqisë dhe të Greqise. Ky selektim flet qartë se Kremlini ka rivizatuar hartën e hegjemonisë së vet imperiale komuniste dhe rivendikon si sfera të saj të influencës vetëm vendet ish-komuniste në Europë, me logjikën absurde se kanë qenë pjesë e perandorisë së dikurshme komuniste sovjetike.

Me këtë mentalitet të çakorduar shtetëror mund të imagjinohet se çfarë do të ndodhte sikur gjithë metropolet e dikurshme të ngriheshin dhe të rivendikonin sferat e influencës në shtetet, që kanë qenë pjesë e atyre perandorive. Vetëm perandoria osmane ka pasur si pjesë të saj 77 shtete të sotëm.

Udhëheqja ruse po manifeston një filozofi politike antihistorike, që prodhon një sjellje agresive ndërkombëtare në rritje, siç po dëshmohet aktualisht me konfliktin e ri ushtarak, që po gatuan në kufijtë me Ukrainën.

Prapavija e rrezikshme e kërkesës ruse për çarmatosjen e shteteve anëtare të NATO-s në Ballkan pritet të pasohet nga përpjekje të reja të nëndheshme dhe të mbidheshme të Moskës për të dëmtuar kohezionin atlantik dhe mburojën e përbashkët të vendeve atlantike. Një valë e re diversioni dhe agresioni rus duhet pritur ndaj njerit apo tjetrit shtet anëtar të NATO-s nga Balltiku në Ballkan.

Ndaj meriton një analizë të menjëherëshme institucionale nga gjitha shtetet ballkanike anëtare të NATO-s, përfshirë Shqipërinë, për t’u dalë përpara të papriturave të qëllimeve dhe strategjisë agresive të ndërhyrjes ruse në Ballkan.

Kërkesa arrogante e Rusisë për vendet e Ballkanit që të largojnë forcat dhe praninë ushtarake të NATO-s nga territori i tyre dhe të dalin nga NATO duhet parë në dy aspekte. Aspekti i parë është ushtarak. Në këtë drejtim Moska synon që vendet e Ballkanit anëtare të NATO-s të mbeten pa mbrojtje ushtarake përballë agresivitetit dhe rivendikimit rajonal dhe kontinental rus për hegjemoni.

Pa mburojën atlantike shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan bëhen objekt i lehtë i gëlltitjes politike dhe ushtarake ruse. Kërkesa ruse për çarmatosjen atlantike të vendeve të Ballkanit u evidenton edhe njeherë me forcë shteteve anëtare të NATO-s se sa e pazëvëndësueshme është mburoja kolektive atlantike përballe agresivitetit dhe aneksionizmit rus.

Aspekti i dytë është gjeopolitik dhe lidhet me strategjinë e presidentit Putin për të sanksionuar sferën sovjetike të influencës në Europen Lindore dhe Jugore. Këtë rivendikim gjeopolitik Kremlini e pretendon si rivendosje e ekuilibrit gjeopolitik në kontinentin e ndarë europian, si në kohën e fjalimit të famshëm të Çërçillit në Fulton në 1946 kur foli për herë të parë për perden e hekurt midis botës komuniste sovjetike dhe botës demokratike.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Këtë perde të hekurt ëndërron sot prapë presidenti Putin, i cili prishjen e Bashkimit komunist Sovjetik dhe humbjen e hegjemonisë ruse në gjysmën ish-komuniste të Europës e konsideron vazhdimisht si katastrofa më e madhe gjeopolitike dhe kombëtare e Rusisë.

Kërkesën arrogante të shefit të diplomacisë ruse për çarmatosjen e Bullgarisë dhe të Rumanisë dhe për largim të NATO-s nga krahu lindor i saj, e hodhën poshtë menjëherë shtetet përkatëse. Në 21 janar në Bullgari reaguan njëzëri të gjitha instancat e larta te shtetit.

Kryeministri Kirill Petkov deklaroi se “Bullgaria është shtet sovran dhe vetem Ne do të vendosim si ta organizojmë mbrojtjen e vendit tonë”. Presidenti Rumen Radev e cilësoi kërkesën ruse “të papranueshme dhe të pakuptimtë”. MPJ e Bullgarise në komunikatën e saj të posaçme iu drejtua Rusisë duke i theksuar se “Territoret kombëtare të vendeve të NATO-s janë territore të Aleancës dhe trupat e NATO-s nuk janë trupa të huaja”.

Ministria e Jashtme e Rumanisë në komunikatën e saj në 22 janar deklaron: ”MPJ e Rumanisë hedh poshtë si të papërshtatëshme dhe të pabazë deklaratën e Ministrisë së Jashtëme të Rusisë. MPJ e Rumanise i kujton Rusisë se prania e NATO-s në shtetet aleate është një reagim krejtësisht mbrojtës në përgjigje të sjelljes agresive në rritje të Rusisë në fqinjësinë lindore”.

Në 22 janar reagoi edhe NATO përmes zëdhënëses së saj, Oana Lungesku: ”Kërkesa ruse do të krijonte anëtarë të NATO-s të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dyte, gjë që ne nuk mund ta pranojmë. NATO hedh poshte çdo ide të sferave të influencës në Europë”.

Ajo që e bën më jodinjitoze kërkesën ruse është fakti që përpiqet të fshehë të vërtetën mbi shkaqet e situatës kërcënuese të krijuar në fushën e sigurisë në Europë dhe konkretisht në kufijtë rusë me Ukrainën.

E vërteta e madhe historike dhe diplomatike është se para vitit 2014 nuk ka pasur asnjë prani të forcave të NATO-s në krahun lindor të saj. Prania u bë e nevojshme për mbrojtjen e shteteve aleate në atë krah vetëm pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm rus të Krimesë. Agresioni rus ndaj Ukraines dha alarmin e madh se Rusia po niste avancimin agresiv të planeve për ringjalljen e Bashkimit Sovjetik dhe të sferave sovjetike të influencës.

Është absurde që Rusia kërkon largimin e forcave të NATO-s nga Bullgaria dhe Rumania, shtete që nuk janë në kufi me Rusinë, ndërkohë që Rusia vetë ka trupa ushtarake në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji, shtete që janë në kufi me shtetet anëtare të NATO-s.

Forcat ushtarake ruse në këto shtete janë të paftuara dhe pa lejen e qeverive të atyre shteteve dhe janë të paligjëshme. Qeveritë e tre shteteve të mësipërme, edhe direkt Moskës, edhe në forumet ndërkombëtare, i kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të trupave ruse nga territoret e tyre. Rusia vazhdon të mbajë arbitrarisht trupat e saj në këto tre shtete, duke dhunuar sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre.

Nuk mund të mos habisë fakti që, ndërsa NATO në mbledhjen e Këshillit NATO-Rusi në 12 janar ia hodhi poshtë Moskës kërkesën për largimin e pranisë atlantike nga vendet aleate të krahut lindor, ministri i jashtëm rus edhe pas kësaj del dhe përsërit të njejtën kërkesë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në 12 janar deklaroi se “Aleatët i bënë të qartë Rusisë se ata nuk heqin dorë nga kapacitetet për të mbrojtur dhe ruajtur njeri-tjerin, përfshirë praninë e trupave në pjesën lindore të Aleancës”.

Këmbëngulja ruse për çarmatosjen e vendeve të NATO-s është shtuar, sepse janë shtuar ethet e Moskës për të ndërmarrë aventurën e re ushtarake kundër Ukrainës. Një agresion i ri ushtarak rus në Ukrainë do të shënonte një shkallëzim shumë të madh të rrezikut për lirinë dhe pavarësinë e shteteve anëtare të NATO-s në rajon.

Ndaj edhe NATO është e detyruar të marrë masa shtesë mbrojtëse përballë kërcënimeve të reja ruse ndaj sigurisë së përbashkët atlantike. Në 24 janar NATO njoftoi se aleatët po venë forcat në gatishmëri dhe po dërgojnë luftanije dhe avionë luftarakë shtesë në dislokimet e NATO-s në Europën Lindore.

Franca shprehu gatishmërinë e saj që të dërgojë trupa në Rumani nën komandën e NATO-s. Spanja po dërgon luftanije për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s dhe po konsideron të dërgojë avionë luftarakë në Bullgari. Hollanda po dërgon avionë gjuajtës F-35 në Bullgari. Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë njoftoi në 24 janar se do të rrisë pjesëmarrjen e saj në patrullimet e NATO-s nga bazat në Rumani.

Në 23 janar gazeta e mirënformuar amerikane “Njujork Tajms” bënte të ditur se presidenti Bajden po konsideron vendosjen e disa mijra trupave amerikane si dhe luftanijeve dhe avionëve në vendet aleate të NATO-s në Balltik dhe në Europën Lindore. “Euractiv.com” jepte në 21 janar deklaratën e presidentit amerikan Bajden se “SHBA kanë një obligim të shenjtë sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s për t’i mbrojtur ato vende, që janë pjesë e NATO-s-“

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

SHBA dhe NATO i japin një mesazh serioz Rusisë se nuk do të lejojnë asnjë rivendikim rus për sfera influence në drejtim të shteteve sovrane të NATO-s nga Balltiku e deri në Ballkan. Presidenti Putin dhe diplomacia ruse kanë në objektivin e tyre të influencës gjithë Ballkanin.

Ata e nisen me rivendikimet ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë, por Moska e ka bërë të qartë se oreksi i saj janë gjitha shtetet ish-komuniste të Ballkanit, sepse të gjitha përfshihen në hartën ruse të “konfiguracionit të vitit 1997” të daljes nga NATO. Kjo don të thotë që edhe vendet e tjera atlantike të Ballkanit si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë objektiv i ambicjes së hegjemonizmit rus.

Në këtë funksion strategjik Rusia po e armatos në mënyrë të shpejtuar Serbinë, duke i dhënë makinës së madhe ushtarake serbe përmasa rajonale. Rusia po e armatos Serbinë me sisteme të reja raketash dhe me armët më të sofistikuara për ta përdorur si instrument ushtarak të shantazhit dhe të avancimit të saj në Ballkan.

Rusia zhvillon dy herë në vit në territorin e Serbisë manovra të mëdha ushtarake të forcave të saj zbarkuese. Rusia ka në Serbi bazë ushtarake në qytetin e Nishit, ku sipas mediave botërore ndodhen rreth njëmijë forca speciale ruse të tipit të “ushtarëve të gjelbër” të Putinit, të cilët të veshur me uniforma pa shenja dalluese pushtuan Krimenë në vitin 2014. Rusia ka rekrutuar Serbine si vëzhguese në aleancën e saj usharake “CSTO”, me emrin e së cilës Moska maskoi ndërhyrjen e saj të re ushtarake në Kazakistanin ish-sovjetik në 6 janar të këtij viti.

Në mënyrë të veçantë Shqipëria duhet ta analizojë me seriozitet këtë situatë të rivendikimit ushtarak dhe gjeopolitik rus ndaj vendeve atlantike ish-komuniste të Ballkanit, që përfshihen në propozimet ultimative të Rusisë drejtuar NATO-s në 17 dhjetor 2021 dhe të specifikuara për Ballkanin nga ministri i jashtëm rus në 21 janar.

Shqipëria vërtet nuk ka luftanije dhe avionë për të dërguar në mbrojtje të aleatëvë të saj atlantikë në anën tjetër të Ballkanit, por ajo ka zërin e saj diplomatik dhe shtetëror për ta ngritur me forcë si anëtare e OKB dhe për më tepër tani si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB.

Shqipëria duhet të prononcohet zyrtarisht për dënimin e rivendikimeve hegjemoniste të Rusisë ndaj vendeve atlantike të Ballkanit. Shqipëria duhet të bëjë detyrën e saj si anëtare e NATO-s për të kontribuar në mbrojtjen diplomatike atlantike të Bullgarisë dhe të Rumanisë nga kërcënimi i tanishëm diplomatik dhe ushtarak rus.

Situata e re kërcënuese, ku siç theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg në 12 janar “ka një rrezik real për një konfikt të ri të armatosur në Europë”, më nxit që për të njëqindën herë t’u drejtohem autoriteteve më të larta të Shqipërisë me kërkesën për të shfuqizuar Traktatin e Miqësisë me Rusinë, të sigluar në 8 dhjetor 2004 në Tiranë nga ministrat e jashtëm Sergej Lavrov dhe Kastriot Islami.

Është një traktat, që përmban nene qartësisht antiatlantike dhe antikombëtare. Duket si rastësi, por nuk është, që traktati me Rusinë përkon pikërisht me kerkesen e sotme te Lavrovit nga vendet e NATO-s në Ballkan, sepse dhe traktati ka angazhimin që Shqipëria të mos lejojë forca të huaja të qendrojnë apo të kalojnë në territorin shqiptar nëse një palë e tretë,(NATO), është në konflikt me Rusinë.

Në Tiranë bëjnë sikur e kanë harruar ekzistencën e traktatit të sigluar, por ministri i jashtëm rus Lavrov pas 16 vitesh ia rikujtoi direkt në konferencë shtypi kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës së tij në Moskë në 26 shkurt 2020, duke i kerkuar se “Traktati eshte gati. Ta vemë në veprim”. (Më gjërë shih gazeta “Dita”, 4.3.2020).

E kam përsëritur dhjetra herë dhe e përsëris prapë që Shqipëria duhet ta shfuqizojë dhe ta nulifikojë sa më parë atë traktat të dëmshëm, për t’i hequr Moskës çdo pretekst juridik dhe diplomatik të një shantazhi ndaj Shqipërisë për të dalë nga NATO.

Si diplomat i vjetër nuk e kam kuptuar asnjëherë përse qeveritë e Shqipërisë, të të dy partive kryesore politike, nuk e shfuqizuan kurrë atë traktat të dëmshëm për interesat tona kombëtare dhe shtetërore, si dhe për interesat atlantike dhe perëndimore në rajon. Duket antiamerikanizmi i fshehtë brenda dy partive politike ka penguar një akt të tille.

Dhe mos harroni: antiamerikanizmi, që tani ka dalë hapur në politikën shqiptare, vetëm një hap është larg filorusizmit të hapur./Dita

Rruga Press

YouTube player