Editorial

Mazohizmi politik duhet të marrë fund

Nga Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 28 janar – Në prag të vizitës në Kosovë, dje z. Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, i dha një intervistë të gjatë gazetës relativisht të re ndër ne – Reporteri.
Për dy ditë rresht ajo është bërë objekt trajtimi e interpretimi në studiot televizive, rrjetin social por edhe në komunikimin intern ndërpolitik. Krejtësisht e pritshme, meqë personaliteti i z Eskobar dhe pesha diplomatike e tij konsiderohet kruciale për mbarëvajtjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja.
Njëra nga përgjigjet e z Eskobar që qëllimisht u la nën hije ose u keqinterpretua ishte edhe kjo:

Gabriel Escobar: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele.”

Komenti i gazetës Reporter (PDK):

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS).”

Në këtë linjë manipulimi dhe keqinterpretimi të deklaratës së z. Gabriel Escobar, dje e sot vazhdojnë trumpetimet e mediave të kontrolluara nga establishmenti që shkoi në histori më 14 shkurt 2021 dhe me gjasë do të vazhdojnë deri në fund të vizitës së paralajmruar të z Eskobar.

Për fat të keq, kështu veproi edhe RTK sot, në emsionin e lajmeve të mëngjesit (ora 8.00).

Këtë prirje të mazohizmit politik, të shndërruar në shkollë specifike në kuadër të të ashtuquajturit “gandizëm rugovian”, të ushtruar keq në vitet e ’90-ta në Kosovë, vazhdojnë ta aplikojnë edhe pas tri dekadave, pavetëdijshëm o me qëllime të ulta politike, një shtresë e gjerë në jetën tonë politike dhe rrjedhimisht edhe mediat.

Në intervistën integrale askund nuk e gjeni dot të ketë thënë z Eskobar se
“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cënon sovranitetin e Kosovës”, ndërkaq në njërën prej fjalive në tekstin hyrës të Reporterit thuhet taksativisht :”Sipas tij, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cënon sovranitetin e Kosovës”!


Është për të ardhur tepër keq se në ç’shkallë superiore të mazohizmit politik ka përfunduar mendimi politik i opozitës në Kosovë që kryesisht trumbetohet në studiot e debateve dhe lajmet qëndrore të pothuajse shumicës së shtëpive televizive ndër ne! Në këtë linjë gjykimi politik, me elemente të theksuara të mazohizmit politik, redaksia e Reporterit shtron pyetjen që po sjellë më poshtë, sikur të ishte pjesë e ndonjë gazete nga Beogradi:
“…rishtazi qeveria refuzoi mbajtjen e referendumit të kërkuar nga Serbia në Kosovë. Qëndrimi publik i partisë në pushtet, Vetëvendosjes, është që e njëjta gjë do të bëhet edhe në zgjedhjet serbe që do të mbahen në prill….”

Por, duket se kjo pyetje e ka irrituar edhe vet G.Eskobarin, prandaj ai i jep përgjegjen e merituar: “Kosova është shtet sovran. Si e tillë, ajo ka të drejtë të caktojë se me çfarë kushtesh mund të mbahen zgjedhjet e vendeve të tjera në territorin e saj.” Sidoqoftë statusi i tij prej diplomati, nuk ia lejon që mos ta zbusë paksa këtë qëndrim, duke pohuar në fund të përgjigjes se:
“Mirëpresim mundësinë për të diskutuar me qeverinë e Kosovës për identifikimin e zgjidhjeve dhe aranzhimeve, që janë të pranueshme për të, duke siguruar mundësinë për të votuar për ata që kanë të drejtë vote.”

Në këtë linjë të mazohizmit politik, një ish- ambasador i Kosovës, bashkëautor i një raporti të një universiteti amerikan të shumëcituar së fundmi për qeverinë amerikane, kishte pohuar me sforcim të theksuar kosovacentrizmin e tij, duke bërë përpjekje ta imputoj si qëndrim të aministratës Biden, duke pohuar se, kushdo që angazhohet për Bashkim të Kosovës me Shqipëri, pritet të jetë në listën e të sanksionuarve!
Por edhe speciet mazohiste që përbëjnë tharmin e kosovacentristëve, kanë marrë përgjegjen e duhur përmes kësaj përgjigje:

“…Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i sanksionojnë individët apo entitetet për pikëpamjet e tyre politike.”
Lexues të dashur, lexojeni me vëmendje të shtuar këtë pyetje të Reporterit “tonë”! Keni parasysh, ajo është formuluar nga një shqifolës, jo nga ndonjë serbishtfolës i Beogradit, siç mund të supozoni pasi ta keni lexuar:
“Në letrën e Sekretarit të Shtetit, Blinken, kryeministrit Kurti i kërkohet që Kosova do të duhej të zbatojë vendimet e gjykatës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave. Sa e kuptojmë ne, ka të bëjë me një vendim të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese në të mirë të Manastirit të Deçanit, me të cilin vendoset që 24 hektarë tokë i takojnë manastirit. A pritni që Kosova ta përmbushë këtë kërkesë të Shtëpisë së Bardhë?”
Iritimi e mazohizmit politik këtu duket se arrinë shkallën sipërore.

Pak dinjitet njerëzor e politik, pak dashuri më shumë ndaj Republikës dhe të ardhmes së saj, do të ishte terapia fillestare më e mirë.

Ajo përmbysje e madhe që ndodhi më 14 shkurti 2021, që unë jam i prirë ta cilësoj si Revolucion i qetë, përveç tjerash, hyn në histori edhe duke i dhënë fund këtij lloii të mazohizmit politik.

© Rruga Press

YouTube player