Art & Kulturë

Shqip kuvendojmë, apo Çorbë trazojmë?

Në vitin 1905 Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo) botonte në “Kalendari Kombiar” një rrëfenjë që qartazi ngrinte një problem të kohës me gjuhën shqipe. Shqetësimi i tij për përzierjen e gjuhës shqipe me gjuhë të tjera, vazhdon të jetë aktual edhe sot. Nëse në fillim shekullin e 20 shqiptarët kishin më shumë marrëdhënie me Turqinë dhe Greqinë e natyrisht edhe fjalori përzihej me fjale nga kjo gjuhë, në fillim të shekullit të 21 greqishtja e turqishtja janë zëvendësuar me italisht me anglisht etj. Më poshtë e plotë rrëfenjën e Mid’hat Frashërit.

***

Një ditë, në Stamboll isha me një shok. Si ecëm mjaft kohë në baltë të rrugëve, si u lodhëm duke kërcyer gur mbi gur nga frik’ e baltës, hymë në një kafene të çlodheshim pak.

Kafeneja ishte gjysmë plot. Cilido kish zënë vend: kush këndonte një gazetë, kush kuvendonte me shokun, kush merrej me të rrëkëllyer qelqet me birë. Këtu- këtje, dukeshin dy a tre faqezinj, pun’e të cilëve ishte të hapnin veshët e të rrëmbenin ndonjë fjalë e ta thoshin atë tek qeveria… Unë me shokun tim, ndenjëm në një çip, ku ishin edhe dy miq shqiptarë.

Harrova t’ju them që shoku im ishte turk, por një turk i perëndisë, i ndershëm dhe i mirë. Të dy miqtë shqiptarë ishin të rinj, të mveshur bukur, me kollaro një pëllëmbë të lartë dhe me nga një shkop me kokë t’argjendtë; kishin mësuar në Stamboll.

Njëri i thosh tjetrit:

-Efendëm, bendeznesi të ta bëj arz, madeja është kështu: nga sebepi q’u – bë katl…

Shoku im m’u qas në vesh e më tha:

-Këta zotërinj kuvendojnë një turqishte të ndryshme!

-Flasin shqip, – i thashë unë.

Miku im thosh të drejtën; të dy djaloshët s’kuvendonin shqip, por as turqisht. I thashë njërit:

-Or, i uruar, pse s’kuvendoni shqip, po trazoni një çorbë të fëlliqur? Ç’janë këto fjalë të huaja, që përzieni në gjuhën tuaj? S’kini turp të turpërohi?

Edhe m’u kujtua që mjaft shqiptarë e kanë për mburrje të përziejnë një shumicë fjalësh të huaja, kur kuvendojnë shqip. Myslimanët, që kanë nxënë turqisht, trazojnë fjalë nga kjo gjuhë; të krishterët, që kanë mësuar greqisht, trazojnë gjuhën e tyre me fjalë të marra nga gjuh’e Athinës, edhe thonë; malista, parakallo, kalimera, matotheo, efharisto, etj. (Këto fjalë shqip përkthehen: si urdhëron, të lutem, mirëdita, për perëndinë, tungjatjeta, etj.)

Do me turqisht qoftë, do me greqisht, ata që trazojnë gjuhën shqip me fjalë të tjera, bëjnë një faj të madh. Bëjnë faj se është një gjë fort e shëmtuar të vërë njeriu fjalë të huaja në një gjuhë. Kur e flet vetë, njeriu s’i ve re: po kur dëgjon një tjetër, që kuvendon një gjuhë të përzier me fjalë të huaja, ahere e kupton se sa shëmtim ka.

Bëjmë faj duke përforur fjalë të huaja, harrojmë fjalët shqip dhe prishim gjuhën tonë.

Pastaj, fjalët që përdorim nga turqishtja e nga greqishtja, i marrim pa ndonjë nevojë, veç ca të paka si çorbë, hesap, akoma, etc. Në vend që të themi efendëm – duhet të themi zot, zotni: në vend të vade- të themi punë; në vend të sebep – të themi shkak, ngjarje; në vend të katl të themi vrasje; në vend mahqum të themi u dëmtua… Sa për fjalën bendenezi, këtë fjalë të ndyrë, as duhet ta përdorim fare.

Bendenezi do të thotë robi juaj dhe përdoret për të vogëlsuar veten dhe për të rritur tjetrin; gjuha shqip s’ka nevojë për këtë fjalë dhe as me ndonjë gjuhë s’thotë njeriu për vetene tij robi juaj; në shqip themi: unë, dhe atij q’i flasim i themi: zotëri, zotrote, po kurrë bendenezi.

Duke menduar që çdo shqiptar ka detyrë të përpiqet të flasë dhe të shkruajë drejt dhe pastër gjuhën e tij, guxova të dërgoj këto radhë te “Kalendari”, që të nxënë mend ata që thonë: efharisto!

Lumo Skëndo

*Kalendari Kombiar, 1905

YouTube player