Një hap pranë çmimeve “Oscar”, frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit, filmi ZGJOI gati të shkruajë historinë
Sot nis votimi i anëtarëve të Akademisë për të nominuar filmat në “Oscars 2022”.
Për herë të parë, në listën e ngushtë për të fituar një nominim është edhe Kosova me filmin “Zgjoi”.
Një kërkesë për përkrahje dhe promovim të filmit e ka bërë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.
“Të dashur qytetarë e bashkë-atdhetarë kudo që jeni nëpër botë. Nesër fillon votimi zyrtar për nominimet Oscar nga Akademia Amerikane e Filmit.
Republika e Kosovës, për herë të parë është në listën e ngushtë për të fituar një nominim me filmin e jashtëzakonshëm HIVE.
Andaj ju ftojmë që ta shpërndani këtë cover të filmit HIVE, për ta përkrahur dhe promovuar bashkë filmin tonë drejt fitores në Oscars! Bashkë mund t’ia dalim”, ka shkruar Ministria e Jashtme në Kosovë.
“Zgjoi” vjen nën regjinë e Blerta Bashollit dhe është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.
Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj.
Fahrije Hoti mbeti e ve në vitin 1998, kur paramilitarë serbë pushtuan Prizrenin dhe Rahovecin. Lufta la gati 200 gra të veja, duke e bërë Krushën e Madhe të njihet si fshati i të vejave të luftës.
Duke thyer tabutë e mentalitetit në komunën e saj, Fahrija themeloi së pari shoqatën “Gratë e Veja” në vitin 2003 për hulumtimin e personave të pagjetur. Më pas nisi biznes vetjak me konservimin e zahireve të dimrit, që në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen “Krusha”.
Ajo punësoi 50 gra, pjesa më e madhe të mbetura të veja nga koha e Luftës. Prodhimet e tyre furnizonin jo vetëm tregun vendas, por nisën eksportin edhe drejt Zvicrës.
Fahrije Hoti e vijoi rrugëtimin e saj nga biznesit drejt politikës. Më 2008–n u zgjodh asambleiste në Kuvendin Komunal të Rahovecit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për një mandat katër vjeçar. Por shpejt e la atë, duke iu përkushtuar krejt biznesit.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi që luan rolin e vejushës kosovare, Fahrije Hoti. Ndërkohë, në rolet e tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj,.
Filmi është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.
Ndërkohë në nëntor të vitit të shkuar u shpërblye edhe me çmimin “Die Tilda” për “filmin më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunshvajg në Gjermani.
“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Para këtij filmi, regjisorja Blerta Basholli ka realizuar disa filma dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër, ndër ta “Bardhezi” dhe “Lena dhe unë”.
Rruga Press