Lajme

Foreign Policy: Shqipëria ‘hallka’ e përballjes së Perëndimit me Pekinin në Ballkan

Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po kalojnë nga rroli i të qenit indiferent në pjesëmarrëse, pas ndikimit të Kinës në rajon. Angazhimi amerikan nxjerr në pah përplasjen e mundshme midis ambicieve gjeoekonomike të Kinës në rajon dhe rritjes së ndikimit perëndimor.

Ndërkohë që shumica e vendeve të Ballkanit kanë pranuar para kineze, Shqipëria ka zgjedhur të angazhohet në mënyrë selektive me Pekinin. Derisa ka rreth 120 projekte të lidhura me Kinën me vlerë pothuajse 32 miliardë dollarë në Ballkan – shumica e të cilave janë në sektorët e infrastrukturës dhe energjetikës – Shqipëria është larguar nga rritja e borxhit kinez në këmbim të projekteve.

Washingtoni është përgjigjur në mënyrë të favorshme duke rritur investimet dhe lidhjet ushtarake. Në fillim të janarit 2022, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Evropë njoftoi se po krijonte një bazë ushtarake në Shqipëri. Kjo erdhi vetëm disa muaj pasi vendi ishte nikoqir i stërvitjes ushtarake ‘Defender Europe 2021’, operacioni më i madh në Evropën Juglindore që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan Foreign Policy.

Investimet amerikane, ndonëse ende të vogla, po rriten me shpejtësi. Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, investimet e huaja direkte amerikane gjatë tremujorit të tretë të 2020-së u rritën me 48 për qind apo rreth 140 milionë dollarë.

Interesi ripërtërirës së Washingtonit për Shqipërinë filloi në vitin 2020, kur vendi iu bashkua nismës Clean Network, një program i administratës së ish-presidentit Donald Trump që kërkonte të sfidonte dominimin e firmave kineze në teknologjinë mobile të rrjetit 4G dhe 5G. Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që u bashkua dhe e ka përdorur pjesëmarrjen e saj për të favorizuar Washingtonin.

Lexo më shumë  Zgjedhjet e 9 shkurtit, Konjufca fton mërgimtarët që të regjistrohen dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar në ambasada ose konsullata

Në fund të 2020-ës, zyrtarët amerikanë dhe shqiptarë nënshkruan memorandumin për bashkëpunim ekonomik, gjatë një vizite të nënsekretarit për Zhvillim Ekonomik, Keith Krach. Kjo lëvizje i hapi rrugën investimeve të SHBA-së në projektin e hidrocentralit të Skavicës dhe termocentralit të Vlorës, një hap simbolik në kundërshtimin e interesave kineze në vend përkatësisht ndaj projektit për nxjerrjen e naftës në fushën e Patos-Marinzës nga Geo-Jade Petroleum.

Pavarësisht animit të Shqipërisë drejt Perëndimit, Kina ende nuk është e frenuar. Në fund të tetorit 2021, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vizitoi Shqipërinë gjatë rrugës për në samitin e G20-së në Romë. Vitet e fundit, Pekini ka mirëpritur rritjen e tregtisë me Shqipërinë. Bregdeti i Adriatikut është gjithashtu me interes për zgjerimin e iniciativës kineze “Një brez, një rrugë”.

Kina kishte krijuar nismën 16+1 për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Por me vendet si Republika Çeke dhe Sllovakia që kanë filluar të lodhen nga investimet e “rënda” të Pekinit, më pas duke e zemëruar këtë të fundit pas mbështetjes për Tajvanin dhe me Lituaninë që tërhiqet nga nisma, mbajtja brenda partnerëve strategjikë, si Shqipëria është thelbësore për Pekinin.

“Shqipëria ka një vlerë simbolike për Kinën dhe vendi është një nga më interesantët në rajon për shkak të lidhjeve të saj historike me Kinën dhe përafrimit të saj me nismën ‘Një rrugë, një brez’”, tha Stefan Vladisavljev, koordinator në Fondacionin BFPE.

Nga ana tjetër, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe është e përkushtuar për anëtarësimin e saj në BE, gjë që vendos orientimin e përgjithshëm strategjik të politikës së jashtme të vendit drejt Perëndimit.

Si Washingtoni ashtu edhe Brukseli kanë hartuar plane për zhvillim ekonomik që synojnë të zbehin ndërhyrjet kineze, duke premtuar se do të investojnë më shumë në Ballkanin Perëndimor.

Lexo më shumë  Kryeministri australian pranon me krenari rrënjët arbëreshe: Kam lidhje me Shqipërinë

Ashtu si shumë vende të Ballkanit, Shqipëria po përgatitet të anëtarësohet në Bashkim Evropian, pavarësisht se zgjerimi i BE-së është anashkaluar vazhdimisht nga Brukseli. Nëse kjo qasje vazhdon, do të krijohet një vakum më i madh për ndikimin kinez.

“Pekini shihet si një burim i besueshëm për financim për projekteve nga disa qeveri në Ballkanin Perëndimor”, tha Valbona Zeneli, kryetare për nisma strategjike në Qendrën George C. Marshall.

Për të nxitur vendet e Ballkanit në drejtimin e duhur, sipas Zenelit, BE-ja duhet të ngadalësoj zgjerimin kinez.

“Për të promovuar zhvillim pozitiv, BE-ja duhet të krijojë kushte specifike që adresojnë marrëveshjet e investimeve me Kinën si pjesë e politikës së saj të zgjerimit, duke përfshirë transparencë më të madhe dhe mekanizma kontrolli për investimet”, sqaron ajo.

Për momentin, gatishmëria e Shqipërisë për të kufizuar investimet kineze dhe për të “mashtruar” Brukselin, Pekinin dhe Washingtonin i jep vendit një mundësi të rrallë për të qenë një ndërmjetës i fuqisë rajonale.

Serbia është partneri kryesor i Kinës në Ballkanin Perëndimor, me investime, kryesisht në formë kredie, që arrijnë në rreth 8 miliardë dollarë. Maqedonia e Veriut fqinje ka marrë gjithashtu kredi kineze dhe më i famshmi është Mali i Zi, ku e futi veten në borxhe serioze pasi mori një kredi pothuajse 1 miliard dollarë nga Banka e Eksport-Importit e Kinës për të ndërtuar një autostradë.

Në Greqi, kompania e transportit Cosco e Kinës kontrollon Portin e Pireut – i katërti më i madh i kontejnerëve në Evropë – një lëvizje që ka shkaktuar shumë shqetësime në Bruksel.

Duke u bashkuar me të gjithë lojtarët kryesorë, Shqipëria mund të jetë potencialisht një pionier për kombet më të vogla të kapur në “hallkën” e përballjes së Perëndimit me Pekinin.

Rruga Press

YouTube player