Sport

Ceferin vjen të hënën në Tiranë, takim me kryeministrin Rama

Situata e tensionuar rreth futbollit shqiptar, në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të federatës, ka bërë që UEFA të programojë një vizitë në Tiranë. Delegacioni i konfederatës europiane të futbollit, i cili do të kryesohet nga presidenti Aleksander Ceferin, pritet të mbërrijë të hënën në Shqipëri.

Pika më e rëndësishme e përcaktuar në agjendë është takimi me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Delegacioni i UEFA-s do të vijë pas sinjalizimeve nga drejtuesit e federatës, të cilët pretendojnë për ndërhyrje politike nga Bashkia e Tiranës, përpara asamblesë zgjedhore të 2 marsit.

Në anën tjetër, kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, ka theksuar se akuzat e tij për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve nga zyrtarët e FSHF nuk i ka adresuar si politikan, por si aksioner i klubit të Tiranës.

Kjo është hera e tretë që zoti Ceferin do të jetë në Shqipëri. Fillimisht ai e vizitoi vendin tonë në vitin 2016,periudhë në të cilën po zhvillonte fushatën për drejtimin e UEFA-s. Ardhja e dytë u regjistrua në nëntor të vitit 2019, për ceremoninë e inaugurimit të Arenës Kombëtare. Edhe në atë rast, slloveni 54-vjeçar u takua me kryeministrin Rama, si edhe vizitoi presidencën, ku u dekorua nga kreu i shtetit.

Rruga Press

YouTube player