Opinion/Aktualitet

Këshillimi Kombëtar, 250 mln lekë nga taksat e shqiptarëve për show-n e Ramës

Viti 2022 ka startuar me një tjetër projekt të Qeverisë së Edi Ramës, të quajtur Këshillimi Kombëtar, i cili do ti kushtojë buxhetit të shtetit një shumë prej afro 250 milionë lekë të vjetra. Ndoshta një shumë jo shumë e madhe kundrejt milionave që tenderohen pothuajse çdo ditë me fitues të paracaktuar, por një shumë e cila mund t´i zgjidhte jo pak halle shtresave në nevojë në këto ditë të acarta.

Këshillimi Kombëtar, i cili mbart me vete një seri pikëpyetjesh, lidhur me plotësimin e formularëve, mënyrën e postimit të tyre, apo edhe vërtetësinë e të dhënave, do të kushtojë 250 milionë lekë.

Shifra në fjalë del nga një vendim i Qeverisë për shtesë fondesh për Agjencinë e Bashkqeverisjes dhe për Institutin e Statistikave.

Lexo më shumë  Jo PROTESTA, por kjo "Asgjë-ja" po kthehet në pengesën tonë më të madhe dhe më të shtrenjtë drejt Europës

Për Agjencinë e Bashkëqeverisjes shtohet fondi prej 197 milionë lekësh të vjetra. Shifra ndahet në dy zëra. I pari, prej 150 mln lekësh shkon për fushatën promovuese të informimit publik për programin e këshillimit, përmes reklamimit në mediat audivizive dhe të shkruara, elektronike dhe rrjetet sociale.

Shifra prej 47 milionë lekësh do të shkojë për realizimin e materialeve promocionale në sheshe dhe ambiente të tjera publike, ku kryhet procesi i plotësimit të pyetësorit gjatë gjithë këshillimit.

Për Institutin e Statistikave është vënë në dispozicion shuma prej 53 milionë lekësh të vjetra për digjitalizimin e të dhënave që do të përfitohen nga Këshillimi Kombëtar.

Paratë për këtë proces do të sigurohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Vetë Rama është impenjuar maksimalisht në procesin e Këshillimit, që sipas tij ka njohur mbështetje të madhe nga qytetarët, që në ditët e para të shpërndarjes.

Lexo më shumë  Rama kërkon të implikojë NATO-n - Media franceze: Nuk ka prova se Rusia qëndron pas protestave në Shqipëri

Rama kërkon të kthejë në iniciativa ligjore, pyetjet që iu ka adresuar shqiptarëve, por sërish jemi shumë larg demokracisë së drejtpërdrejtë, që përfshin ndërmarrjen e Referendumeve.

Në rastin e Këshillimit, është vetë qeveria ajo që ngre pyetjet, ajo që shpërndan formularët, ajo që përpunon të dhënat, dhe në final ajo që vendos që këto iniciativa të kenë apo jo formën e ligjit.

Rruga Press

YouTube player