Kriza në kufirin ukrainas
Nga Der Spiegel
Cilat sanksione mund ta dëmtojnë Rusinë?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa po shpresojnë se përdorimi i sanksioneve do ta ndalojë presidentin rus, Vladimir Putin, nga pushtimi i Ukrainës. Mirëpo masat e tilla ndëshkuese nuk janë gjithmonë të parashikueshme, e nganjëherë ato mund të kthehen bumerang dhe të shkaktojnë dëm të madh në shtëpi.
Kur kemi të bëjmë me zgjedhjen e fjalëve, Perëndimi është plotësisht dakord. Një sulm rus në Ukrainë do të kishte “pasoja politike” dhe “çmim të rëndë”, kanë këmbëngulur si Washingtoni ashtu edhe Brukseli. Përfaqësuesi kryesor i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka treguar se kohët e fundit blloku po përgatit një “grumbullim të plotë sanksionesh” kundër Moskës.
Megjithatë, problemi është se pasojat e masave të tilla ndëshkuese për ekonominë ruse nuk janë gjithherë të parashikueshme, e dëmi në ekonominë e dikujt tjetër mund të jetë i madh. A duhet që Perëndimi të ndalojë blerjen e naftës dhe gazit rus? Cilat do të ishin pasojat e një bojkoti në sektorin e teknologjisë së Rusisë, apo përjashtimit të vendit nga sistemi ndërkombëtar i transferimeve bankare SWIFT? Si mund ta ndëshkojë Perëndimi Putinin pa zënë vet në thua? Opinionet për pyetje të tilla mund të ndryshojnë ndjeshëm kur evropianët dhe amerikanët të fillojnë t’i marrin në konsideratë përgjigjet e mundshme prej luftënxitjes së presidentit rus, Vladimir Putin.
Fuqia e gjysmëpërçuesve
Është e padiskutueshme që ekonomia e Rusisë do të goditet rëndë, nëse Perëndimi do t’i shkurtojë dërgesat e mikroçipëve në vend, si përgjigje ndaj pushtimit. Një veprim i tillë do të ishte i dëmshëm për industrinë e avionëve dhe industrinë e armëve, të cilat janë kyç për eksportet ruse dhe për prestigjin e vendit. Masat shtesë në diskutim përfshijnë kufizime në dërgesat e pjesëve të nevojshme për ndërtimin e aeroplanëve luftarakë dhe raketave.
Edhe gjysmëpërçuesit e thjeshtë, që kushtojnë vetëm disa euro secili, mund të shërbejnë si levë e rëndësishme. Industria globale e çipave dominohet kryesisht nga kompanitë e SHBA-së dhe nga aleatët e saj, me fabrikat më moderne të vendosura në SHBA, Evropë, Tajvan dhe Korenë e Jugut. Me sanksionet e saj kundër Huaweit, SHBA-ja tashmë ka treguar se sa efekt ka përdorimi i furnizimeve me çipa si armë kundër armiqve. Që kur administrata e ish-presidentit Donald Trump kufizoi eksportin e procesorëve të telefonave inteligjentë në Huawei, shitjet e kompanisë kineze të teknologjisë kanë rënë.
Rusia është shtëpia e shumë pak fabrikave, kryesisht të vjetra, dhe ato mbështeten shumë në patentat perëndimore. Për shembull, prodhuesi i kompjuterëve IRU, i cili punon në zhvillimin e një kompjuteri desktop të prodhuar plotësisht në Rusi, importon procesorët e tij nga Tajvani. Kurse prodhuesit e çipave Angstrem-T kanë falimentuar në vitin 2019 pasi u detyruan t’i ndërpresin lidhjet me partnerët amerikanë, për shkak të sanksioneve të vendosura pas pushtimit të Moskës në Krime.
Megjithatë, do të duheshin disa muaj që bojkoti i çipeve të kishte më shumë efekt. Në të kundërt, shkëputja e Rusisë nga sistemi SWIFT, shtylla kurrizore e botës financiare, do të kishte një ndikim të menjëhershëm. Rreth 11.000 banka në më shumë se 200 vende përdorin rrjetin për t’u kujdesur për transaksionet ndërkufitare. “Për shkak të pasojave masive, një kërcënim i besueshëm për të përjashtuar Rusinë nga SWIFT-i do të ishte jashtëzakonisht efektiv”, ka thënë Gabriel Felbermayr, drejtor i Institutit Austriak të Kërkimeve Ekonomike në Vjenë.
Megjithëkëtë, dëmi kolateral i një lëvizjeje të tillë do të ishte i rëndë. Edhe pse kompanitë në Rusi do të duhej të gjenin rrugë alternative të përpunuara për të paguar faturat e tyre të huaja dhe fluksi ndërkufitar i parave të gatshme dhe mallrave do të ndalohej dhe Perëndimi do të vuante.
Eksportet në Rusi nga kompanitë në Evropë nuk do të mund të paguheshin më dhe Evropa nuk do të ishte në gjendje të paguante për dërgesat e gazit natyror nga Rusia. Për më tepër, borxhi rus i mbajtur nga bankat evropiane do të rrezikohej. Konsiderata të tilla bënë që Friedrich Merz, kreu i mundshëm i ardhshëm i Unionit Demokristian të Gjermanisë (CDU), të paralajmëronte për “një bombë atomike për tregjet financiare”.
“Një sanksion që Moska do ta kuptonte vërtet”
Problemet do të ishin të përmasave të ngjashme nëse Perëndimi do të ndalonte importet e naftës dhe të gazit natyror nga Rusia. Edhe ky, siç thotë Felbermayr, do të ishte “një sanksion që Moska do ta kuptonte vërtet”. Ama, do të kishte pasoja të rënda edhe për Perëndimin.
Rreth 55 për qind e gazit natyror të Gjermanisë vjen nga Rusia. Teorikisht, Berlini mund t’u drejtohet vendeve të tjera për ndihmë, por nuk ka mjaft terminale të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë dhe asnjë në Gjermani.
Në të njëjtën kohë çmimet për gazin e lëngshëm do të rriteshin në qiell. Objektet e magazinimit gjerman janë më boshe sesa kanë qenë për një kohë të gjatë dhe për shkak se tregjet janë liberalizuar, Qeveria nuk ka shumë leva për të kundërshtuar presionet e tilla të çmimeve. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka premtuar të ushtrojë më shumë kontroll mbi tregun e gazit.
“Ne duhet të përmirësojmë aftësinë tonë për t’u përgatitur për dimrin e ardhshëm në mënyrë që objektet e depozitimit të gazit të jenë plot”, ka theksuar ai në një intervistë me “Der Spiegel” këtë javë. Ai gjithashtu ka shtuar se synonte ta reformonte të gjithë tregun. Mirëpo premtime të tilla nuk ndihmojnë shumë në konfliktin aktual, andaj një pezullim i importeve të gazit duket po aq i pamundur sa mbyllja e Rusisë nga sistemi SWIFT.
Situata duket ndryshe kur bëhet fjalë për tubacionin e gazit natyror “Nord Stream 2” mes Gjermanisë dhe Rusisë. Kjo rrugë e dërgesës nuk nevojitet urgjentisht, duke supozuar se Rusia nuk i ndërpret dërgesat përmes tubacioneve ekzistuese.
Gjermania dhe SHBA-ja kanë rënë dakord që gazsjellësi “Nord Stream 2” nuk do të hyjë në funksion nëse Rusia fillon një luftë – një marrëveshje e bërë midis presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, para se ajo të largohej nga detyra. Që do të thotë se gjithçka varet nga ajo se çka Rusia do të bëjë dhe nëse do të shihet më pas si fillimi i një lufte. Ose nëse Rusia kërkon ta destabilizojë Ukrainën pa nisur në fakt një pushtim fizik.
“Perëndimi”, thotë një diplomat i rangut të lartë të BE-së, “do të japë një përgjigje të përshtatshme dhe të koordinuar”.
Rruga Press