Pesë vende largojnë familjet e diplomatëve nga Ukraina
Shtetet e Bashkuara, Australia, Britania, Gjermania dhe Kanadaja po largojnë familjet e diplomatëve nga ambasadat e tyre në Ukrainë. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba ka thënë të martën se katër vende – Shtetet e Bashkuara, Australia, Britania dhe Gjermania kishin informuar Kievin për vendimin e tyre.
Më vonë, Ministria e Jashtme kanadeze njoftoi vendimin e saj për të larguar përkohësisht anëtarët e familjeve të diplomatëve kanadezë nga Ukraina.
“Për shkak të pranisë së vazhdueshme ushtarake ruse dhe aktiviteteve destabilizuese në dhe rreth Ukrainës, ne kemi vendosur të tërheqim përkohësisht anëtarët e familjes së diplomatëve kanadezë nën moshën 18 vjeç”, njoftoi Ministria e Jashtme kanadeze në një deklaratë.
“Siguria e kanadezëve, punonjësve tanë dhe familjeve të tyre jashtë vendit është një prioritet kryesor”, thuhet në deklaratë. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada kanadeze në Ukrainë thanë se “do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën”.
Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë të ngjashme të dielën duke u bërë thirrje familjeve të diplomatëve amerikanë në Ukrainë që të largohen nga vendi, duke thënë se Rusia mund të ndërmarrë veprime ushtarake në çdo kohë. Gjithashtu sipas agjensisë së lajmeve Kyodo, qeveria japoneze po shqyrtonte largimin e qytetarëve të saj, përfshirë diplomatët.
Ukrinform, duke cituar faqen e lajmeve NOS, citoi ministrin e Jashtëm holandez Vopke Hukstra se “stafi i ambasadës holandeze në Ukrainë dhe familjet e tyre mund të kthehen në Holandë nëse dëshironin”.
Rruga Press