Lajme

Shifrat zyrtare/ Kosova shpëtoi sërish turizmin e Shqipërisë në 2021, 46% e peshës totale

Kosova shpëtoi edhe në vitin 2021 turizmin shqiptar ashtu sikurse ndodhi edhe një vit më parë.

Tashmë shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve të publikuar nga Instituti i Statistikave bëjnë të qartë faktin se pa turizmin patriotik ecuria e sektorit do të ishte më e dobët. Në raport me vitin më të mirë të turizmit, 2019, Kosova është rritur me 17.5 për qind.

Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve ka bërë që pesha e hyrjeve nga Kosova të rritet në raport me totalin. Në vitin 2019 turistët nga Kosova ishin sa 35 për qind e totalit ndërsa në vitin 2021 46 për qind pra thuajse sa gjysma e hyrjeve. Nëse Kosova do të kishte pasur të njëjtat numra si në vitin 2019 atëherë rënia e vitit 2021 në raport me 2019 do të ishte 17 për qind.

Në total në vend gjatë vitit 2021 hynë rreth 5.7 milionë turistë apo 11.2 për qind më pak sesa viti 2019. Përveç Kosovës që ishte me rritje pjesa tjetër e grupeve të turistëve ishin me rënie ku më e theksuar kjo ishte me Greqinë me 54 për qind më pak sesa në vitin 2019. Kjo lidhet me faktin se Greqia aplikoi masa kufizuese shumë më të forta sesa pjesa tjetër e vendeve. Me Italinë rënia ishte 24 për qind, me SHBA 20 për qind me Poloninë 15.2 për qind, me Gjermaninë 28 për qind dhe me Spanjën e Anglinë respektivisht 54 për qind dhe 33 për qind.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Nga një analizë e shifrave rezulton se nga gjithë shtetet e tjera kanë ardhur një milionë turistë më pak ndërsa nga Kosova 400 mijë më shumë në raport me 2019.

Shifrat e lëvizjeve në krahasim me 2020

INSTAT raportoi se numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin Dhjetor 2021, është 667.432 dhe krahasuar me Dhjetor 2020, ky tregues rezulton me rritje 50,7 %. Në Dhjetor 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 267.409, krahasuar me Dhjetor 2020, ky numër është rritur me 47,9 %.

“Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është 5.688.649, duke u rritur me 2,1 herë, në krahasim me vitin 2020. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2021, është 4.190.786, duke u rritur 44,2 %, krahasuar me vitin e mëparshëm (tab1).

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Gjatë vitit 2021, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4,6 herë, Spanja me 4,5 herë dhe SHBA me 3,9 herë, krahasuar me vitin 2020” thuhet në publikim.

Nga ana tjetër daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Dhjetor 2021 janë 342.909. Krahasuar me Dhjetor 2020, ky numër është rritur 59,0 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Dhjetor 2021, janë 279.987. Krahasuar me Dhjetor 2020, ky numër është rritur 79,5 %.

“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Dhjetor 2021 janë 342.909. Krahasuar me Dhjetor 2020, ky numër është rritur 59,0 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Dhjetor 2021, janë 279.987. Krahasuar me Dhjetor 2020, ky numër është rritur 79,5 %”nënvizon INSTAT./MONITOR

YouTube player