Britania e Madhe tërheq stafin e ambasadës nga Ukraina
Pasi Uashingtoni tërhoqi disa anëtarë të stafit të tij diplomatik në Ukrainë, Londra tani ka ndjekur shembullin, raporton BBC.
Autoritetet britanike njoftuan dje se rreth gjysma e stafit të saj në Kiev do të kthehet në MB. Masa vjen pasi Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se planifikon të vendosë ish-deputetin e parlamentit ukrainas Yevhen Murayev për të udhëhequr qeverinë në Kiev.
Në një intervistë me Reuters të cituar nga BBC, Murayev i quajti pretendime të tilla “budallaqe”.
Pas një takimi online midis Presidentit të ShBA, Joe Biden, dhe liderëve evropianë si Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha dje se “çdo agresion i mëtejshëm nga Rusia kundër Ukrainës do të ketë kosto të rënda”, raporton Deutsche Welle.
Autoritetet në Kiev vunë në pikëpyetje vendimin për largimin e stafit të ambasadës, raporton The Guardian. “Ndërsa ne respektojmë të drejtën e vendeve të huaja për të garantuar mirëqënien dhe sigurinë e misioneve të tyre diplomatike, ne besojmë se një hap i tillë është një hap i parakohshëm dhe një shembull i kujdesit të tepruar”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Rruga Press