Lajme

Komisioni Evropian: Rimëkëmbja e Shqipërisë erdhi nga kërkesa e jashtme, investimet dhe konsumi i familjeve mbeten të dobëta

Rimëkëmbja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor ngadalësoi ritmin në tremujorin e tretë të 2021, por megjithatë mbeti e fortë, konstatoi Komisioni Evropian në raportin e tremujorit të katërt 2021 për vendet kandidate dhe potenciale kandidate. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i rajonit u zgjerua me 8.6% me bazë vjetore, krahasuar me 14.5% në tremujorin e mëparshëm.

Pavarësisht nga efektet e dobësimit të bazës, rritja vjetore e prodhimit u nxit nga kërkesa e fuqishme e brendshme dhe e jashtme. Në përputhje me performancën e fortë ekonomike, rritja e punësimit u përshpejtua në tremujorin e tretë të 2021, në raport me periudhën përkatëse të vitit të mëparshëm dhe normat e papunësisë ranë në shumicën e vendeve, ndërkohë që pjesëmarrja në fuqinë punëtore u rrit. Deficiti i llogarisë korente të rajonit u ngushtua ndjeshëm në 3.9% të PBB-së në katër tremujorët deri në shtator, niveli më i ulët në dhjetë vitet e fundit, i ndihmuar nga eksportet e larta, shtimi i flukseve të remitancave, të cilat përgjithësisht tejkaluan rritjen e deficitit të tregtisë së mallrave. Rimëkëmbja ekonomike mbështeti rritjen e të ardhurave buxhetore dhe reduktimin e deficiteve fiskale në të gjithë Ballkanin Perëndimor në njëmbëdhjetë muajt e parë të 2021-s, ndërkohë që raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ra në shumicën e vendeve në krahasim me fundin e 2020-s.

Lexo më shumë  Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut

Raporti konstaton se në Shqipëri rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik humbi disi vrullin në tremujorin e tretë të 2021 me PBB-në reale që u zgjerua me 7,0% me bazë vjetore, pas një rritjeje prej 18,4% në tremujorin e mëparshëm. Zgjerimi u nxit kryesisht nga kërkesa e jashtme dhe rritja e ndjeshme e konsumit publik, ndërkohë që investimet dhe konsumi i familjeve u rritën vetëm në mënyrë të moderuar.

Rritja e inflacionit në 2.4% në tremujorin e tretë u shkaktua kryesisht nga luhatjet e forta të çmimeve të ushqimeve dhe transportit, ndërkohë që në nëntor rritja e çmimeve të energjisë e shtyu normën e inflacionit për herë të parë në vite mbi objektivin e inflacionit prej 3%. Megjithatë, Banka e Shqipërisë (BSH) i konsideroi presionet inflacioniste kryesisht si kalimtare dhe ripohoi në dhjetor qëndrimin e saj të politikës lehtësuese monetare për periudhën afatmesme, duke mbajtur normën e saj në nivel të ulët rekord në 0.5%, si dhe normat e depozitave dhe kredive njëditore në përkatësisht 0.1% dhe 0.9%.

Raporti e vë theksin në uljen e kredive me probleme (6.2% në nëntor), përshpejtimin e kredisë në sektorin privat, rritjes së investimeve të huaja, rritjes së fortë të eksporteve, përmirësimit të sektorëve prodhues, rimëkëmbjes së tregut të punës dhe rikthimit të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve në nëntor, pas një rënieje prej disa muajsh. Në raport me PBB-në, kredia për sektorin privat u rikthye në nivelin e saj para pandemisë prej 39.6%.

Lexo më shumë  Kamberi: Serbia po pengon realizimin e ndihmës së Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës

Sipas raportit, në dhjetor 2021, qeveria rriti parashikimet për shpenzimet kapitale në rishikimin e pestë të buxhetit 2021, megjithëse deri në nëntor 36% e buxhetit kapital nuk ishte shpenzuar ende dhe deficiti fiskal ishte 1.8% e PBB-së, më pak se një e treta e plani i fundit. Në periudhën janar-nëntor, rritja e të ardhurave tatimore me 19.3% në vit ka tejkaluar planin e vitit 2021 si dhe nivelin e vitit 2019 në të gjitha kategoritë, përveç tatimit mbi fitimin dhe të ardhurat personale. Shpenzimet korente u rritën me 6.7% në terma vjetorë, të nxitura nga sigurimet shoqërore dhe mirëmbajtja, ndërsa shpenzimet kapitale u rritën fuqishëm me 33% me bazë vjetore (pjesërisht për shkak të punimeve të rindërtimit pas tërmetit) nga rritja e lartë në 2020. Borxhi publik qëndroi në 73.9% të PBB-së , me ulje me 1.8 pikë përqindje krahasuar me fundin e 2020-n, konstaton Komisioni Europian. /Revista Monitor/

Rruga Press

YouTube player