LDK sapo bëri histori në Kuvend! Votoi kundër një marrëveshje ndërkombëtare
Ministri i Financave dhe Transfereve në Kosovë tha në llogarinë e tij në Facebook se mosvotimi i marrëveshjes financiare ndërkombëtare nga LDK-ja është diçka që nuk ka ndodhur më parë.
Në secilin rast kur Kosovës i është ofruar një marrëveshje nga jashtë, e dobishme apo e dëmshme, ky subjekt ka votuar pa hezitim.
Kjo është hera e parë që LDK-ja hezitoi, pavarësisht se kjo ishte marrëveshje tejet e rëndësishme, me dobi të madhe për qytetarët e Kosovës për sa i takon skemës së ndihmës sociale.
Më poshtë e gjeni qëndrimin e plotë të ministrit Murati:
LDK sapo bëri histori në Kuvend!
Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot.
Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi.
Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë, që është aq e nevojshme sidomos në këto kohë.
Po ashtu, projekti kishte synim ndërtimin dhe integrimin e sistemeve që këto familje të mbështeteshin drejt integrimit në tregun e punës, ashtu që mbështetja sociale të ishte e përkohshme, dhe të shërbente si fazë kalimtare deri në punësimin e tyre.
Nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra mijëra familje.
Rruga Press