Tensioni në Ukrainë, nisi takimi Blinken-Lavrov në Gjenevë
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, u takuan për bisedime në Gjenevë të premten, mes frikës në rritje se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën.
“Ky është një moment kritik”, ka thënë Blinken në fjalën e tij hyrëse gjatë takimit.
SHBA-ja dhe Rusia “nuk presin të zgjidhin mosmarrëveshjet tona këtu sot”, shtoi ai, por shpreson të testojë nëse diplomacia është ende një opsion i zbatueshëm.
Ndërkohë, Lavrov ka thënë se Rusia nuk po pret një përparim në bisedimet kryesore.
Moska ka 100,000 trupa pranë kufijve të saj me Ukrainën, por mohon se planifikon ta pushtojë atë.
Përtej tryezës në një hotel luksoz zviceran, Blinken paralajmëroi homologun e tij rus për një përgjigje “të bashkuar, të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia e bën atë hap.
Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë kërkesa Perëndimit, të cilat ai thotë se kanë të bëjnë me sigurinë e Rusisë, duke përfshirë ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Ai dëshiron që aleanca mbrojtëse perëndimore të braktisë stërvitjet ushtarake dhe të ndalojë dërgimin e armëve në Evropën Lindore, të cilën Moska e sheh si oborrin e saj.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se Rusia nuk po pret një përgjigje me shkrim ndaj këtyre vijave të kuqe të premten. Një përgjigje pritet javën e ardhshme, raportojnë mediat ruse.
“Propozimet tona janë jashtëzakonisht konkrete dhe ne presim përgjigje po aq konkrete,” tha zoti Lavrov ndërsa bisedimet kishin nisur.
Rruga Press