Lajme

Kurti: Ligji për Gjykatën Komerciale i shërben shtetit të së drejtës si parakusht të zhvillimit ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sot kanë përmbushur një zotim të tyre zgjedhor, për krijimin e Gjykatës Komerciale.

Kurti ka falënderuar deputetët për votim.

“Edhe formalisht u hap rruga për krijimin e Gjykatës Komerciale. Ishte ky zotim i yni zgjedhor, prioritet në programin qeveritar, që sot e mori epilogun nga Kuvendi i Republikës. I falënderoj të gjithë deputetët për votimin dhe diskutimet. Shumë gjatë sektori privat është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve. Vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila”, ka theksuar ai.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Kryeministri ka pohuar se, ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit.

“Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës.

Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka operuar me kapacitete mjaft të kufizuara, me ç’rast mesatarja e zgjidhjes së vetëm një rasti të natyrës ekonomike merrte 4 deri në 5 vite kohë”, është shprehur Kurti.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Më tej, kryeministri ka theksuar se themelimi i Gjykatës Komerciale do të përmirësoj gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash.

“Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit.
Ky ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv në vendin tonë. Lehtësohet tërheqja e investimeve të jashtme, duke na bërë kredibil, seriozë dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, drejt zhvillimit ekonomik”, pohoi ai.

Kurti ka shtuar tutje se, ligji për Gjykatën Komerciale i shërben shtetit të së drejtës si parakusht të zhvillimit ekonomik.

Rruga Press

YouTube player