Kuriozitete

Pa ujë dhe ushqime, pamje apokaliptike nga ishulli i goditur nga vullkani

Ishulli i Tongës është duke u përballur me mungesën e ujit të pijshëm dhe ushqimit pas shpërthimit të vullkanit shkatërrues, i cili shkaktoi edhe një cunam në përmasa të jashtëzakonshme.

Uji i pijshëm që konsumohej nga mijëra njerëz të ishullit tashmë është ndotur, tha Kryqi i Kuq, ndërsa kryetari i parlamentit të Tongës shtoi se e gjithë bujqësia është shkatërruar totalisht.

Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar edhe imazhet e para nga ishulli, i cili për disa ditë ishte i izoluar totalisht nga bota. Pamjet janë të tmerrshme, me zonën që duket se është nga një tjetër planet. Shtëpi të shkatërruara, pemë të rrëzuara, gjithçka e mbuluar nga pluhuri. Vetëm të enjten do të mbërrijnë në ishull ndihmat nga Zelanda e Re dhe Australia, pasi puna për të pastruar pistën e aeroportit është drejt përfundimit.

Ndërkohë, studiuesit e NASA-s kanë përllogaritur fuqinë e shpërthimit në Tonga. Sipas tyre, ai është 500 herë më i fuqishëm se bomba atomike e hedhur në Hiroshima në Japoni, në fund të Luftës së Dytë Botërore. James Garvin, kryeshkencëtari në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore të NASA-s Goddard, tha për radion NPR se “numri që ne kemi arritur është rreth 10 megaton – 10 milionë tonelata, ekuivalent i TNT”.

Shpërthimi u dëgjua deri në Alaskë dhe sipas Michael Poland, i Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, mund të jetë shpërthimi më i fortë në tokë që nga viti 1883, kur shpërtheu vullkani Krakatoa në Indonezi.

“Ky mund të jetë shpërthimi më i fuqishëm që nga shpërthimi i vullkanit indonezian Krakatau më 1883 dhe që shënoi mijëra viktima”.

Rruga Press

YouTube player