Aksidentet rrugore, trafiku shtoi ndjeshëm numrin në vitin 2021
Viti 2021 regjistroi zyrtarisht 1376 aksidente rrugore. Një shifër më e lartë krahasuar me periudhën janar-dhjetor të vitit 2020, kur qarkullimi ishte më i ulët si pasojë e karantinës dhe masave të tjera kufizuese kundër Covid-19. Gjatë kësaj periudhe, u shënuan 1234 aksidente rrugore. Megjithatë, krahasuar me vitin 2019, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, numri i aksidenteve është ulur me 8,1%.
Sipas ekspertit për sigurinë rrugore Arben Luzi, situata është përmirësuar dhe risku është duke u ulur si pasojë e rritjes së ndërgjegjësimit të vetë qytetarëve dhe masave të shtuara për drejtuesit e mjeteve.
“Infrastruktura rrugore po vjen duke u përmirësuar nga viti në vit. Kjo ka dhënë rezultat me uljen sadopak të numrit të aksidenteve. Megjithatë, vend për t’u përmirësuar ka në çdo moment”.
Sipas ekspertit, shkak kryesor për aksidentet rrugore mbetet trafiku i rënduar kryesisht në kryeqytet si pasojë e shtimit të vazhdueshëm të numrit të automjeteve. “Trafiku krijon stres për ata që përdorin transportin publik, po për drejtuesit e mjeteve? Kjo e ul sigurinë rrugore”, thotë Luzi.
Shifrat mbeten sërish shqetësuese nëse krahasohemi me vendet e Bashkimit Europian apo shtete të rajonit si Kosova. Me 197 viktima të transportit rrugor, Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të vdekshmërisë në rrugë, me 69.6 të vdekur për 1 milion banorë, kundrejt mesatares së BE prej 42 vdekjesh për 1 milion banorë./a2/
Rruga Press