Kuriozitete

Danezët duan të risjellin varkat vikinge

Në brigjet e Danimarkës, disa studentë detarë po lundrojnë në një varkë prej druri të punuar me teknikën “clinker”. Mund të mos duket si ajo, por kjo anije ka shumë të përbashkëta me anijet me vela të vikingëve të ndërtuara rreth një mijë vjet më parë.

Në dhjetor, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, agjencia e kulturës e OKB-së, futi traditën e punimit të këtyre varkave në listën e saj të Trashëgimisë Jomateriale, që erdhi si rezultat i një aplikimi të rrallë të përbashkët nga Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia.

Për gati dy mijë vjet, njerëzit e rajonit Nordik kanë ndërtuar varka të tilla duke përdorur të njëjtat teknika bazë.

Muzeu i Anijeve Viking në Danimarkë, në Roskilde, 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kopenhagen, është shtëpia e pesë anijeve të vikingëve. Ato janë të punuara prej druri në shekullin e 11-të dhe në bazë të traditës. Të pesë anijet u ndërtuan pothuajse një mijë vjet më parë vetëm 20 kilometra në veri të muzeut.

Kuratorja e Muzeut Triona Sorensen ka thënë se varkat e tilla janë ndërtuar duke përdorur një teknikë të karakterizuar nga mënyra se si dërrasat gjatësore mbivendosen njëra me tjetrën në skajin e jashtëm.

Më pas ato “qepen” së bashku me thupra.

“Kur e ndërtoni atë me këto mbivendosje brenda tij, ju keni një bazë mjaft fleksibël, por në të njëjtën kohë, tepër të fortë”, ka thënë ajo. “Kjo nënkuptonte se ata do të ndërtonin lloje të anijeve që nuk ishin parë më parë në këtë pjesë të botës”.

Anijet që konsiderohen si “simbol i trashëgimisë së përbashkët bregdetare nordike”, tradicionalisht janë përdorur për peshkim dhe për të transportuar materiale dhe njerëz. Ka dëshmi se teknika u shfaq për herë të parë mijëra vjet më parë, gjatë epokës së bronzit.

Tradita vazhdon në Evropën Veriore edhe sot e kësaj dite, megjithëse më shumë për festa, gara e ngjarje të tjera sportive.

“Në thelb ju e shihni atë kudo ku vikingët udhëtuan”, ka treguar Sorensen.

“E keni atë në Britani, e keni në Irlandë. Dhe pastaj edhe më vonë, sepse kjo është një traditë që ka vazhduar, vjen edhe si një lloj varke që përdoret edhe sot”.

Por ishte gjatë epokës së vikingëve, e konsideruar nga viti 793 deri në vitin 1066, që varkat e tilla gjetën pikën e tyre të lartë “zenitin”.

Norsemenët e njohur si vikingët bënë bastisje në shkallë të gjerë, kolonizim, pushtim dhe tregti në të gjithë Evropën, madje arritën deri në Amerikën Veriore.

Anijet e lehta, por të forta dhe të shpejta ishin të patejkalueshme në kohën e tyre dhe ishin bazë e themeleve për mbretëritë skandinave.

“Nëse nuk do të kishte pasur anije, nuk do të kishit epokë të vikingëve. Kjo është absolutisht e vërtetë”, ka thënë Sorensen.

“Ata nuk do të ishin zgjeruar kurrë përtej Skandinavisë siç kanë arritur më vonë. Do të kishin mbetur në shtëpi brenda Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, zonave që ne njohim sot. Ndërsa anijet, me plot kuptimin e fjalës, ua mundësuan atyre të zgjeronin atë lloj horizonti për të marrë masa më globale”.

Në Muzeun e Anijeve Vikinge në Roskilde, jo vetëm që ekspozohen varka të tilla, por të njëjtat edhe ndërtohen dhe riparohen.

Në kantierin pranë muzeut, mjeshtrit po riparojnë një varkë prej druri dhjetë metra, gati për sezonin e lundrimit, i cili fillon në maj.

Në të kaluarën ishte e zakonshme të fillonte trajnimin me një mjeshtër që në moshë të re, pasi që do të duheshin deri në dhjetë vjet për të mësuar këtë zanat.

“Kishte vikingë në Kostandinopojë dhe kishte vikingë në pjesën veriore të Kanadasë gjithashtu. Pra, ne e dimë se ata ishin atje dhe… ata duhet të kenë qenë duke lundruar në këto varka të ndërtuara me këtë lloj teknike”, ka thënë kreu i kantierit, Soren Nielsen.

“Edhe pse i panë anijet edhe të pjesës tjetër të botës, ata u kthyen, dhe ende ndërtonin varkat e tyre në këtë traditë”.

Muzeu thotë se numri i varkave të ndërtuara me këtë lloj teknike ka “rënë në mënyrë drastike” viteve të fundit.

Nielsen thotë se tani mezi ka 20 ndërtues të varkave me klinker në Danimarkë, ndoshta 200 në të gjithë Evropën Veriore.

Shpresohet se hyrja e kësaj teknike në listën e UNESCO-s do të ndihmojë në ruajtjen dhe bartjen e traditës edhe te brezat e ardhshëm.

Rruga Press

YouTube player