Pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë u dyfishua me pandeminë, 99% e njerëzimit u varfërua
Njerëzit më të pasur në botë e kanë dyfishuar pasurinë e tyre gjatë pandemisë me COVID-19, thotë një raport i publikuar së fundmi nga grupi i avokatisë Oxfam, duke nënvizuar se si kriza globale e shëndetit ka thelluar ndarjen midis të pasurve dhe atyre që nuk kanë, si dhe nevojën për ndërhyrje të politikave për të adresuar këto pabarazi “vdekjeprurëse”.
Derisa pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë është rritur për më shumë së dyfish, duke shkuar nga mesatarisht 700 miliardë dollarë në 1,5 trilionë, mes marsit të vitit 2020 dhe nëntorit të vitit 2021, të hyrat e mesatarisht 99% të njerëzve në të gjithë botën ranë gjatë të njëjtës periudhë, dhe më shumë se 160 milionë njerëz u varfëruan, shton raporti i Oxfamit.
Grupi i mbrojtjes së varfërisë dhe drejtësisë ekonomike llogariti fitimet e pasurisë së ultra-elitës bazuar në të dhënat në kohë reale të Forbes për miliarderët.
Njerëzit më të pasur ishin Elon Musk, Jeff Bezos, Bernard Arnault dhe familja, Bill Gates, Larry Ellison, Larry Page, Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Steve Ballmer dhe Warren Buffett.
Ndërkohë, informatat për rënien e të hyrave për 99% të njerëzve në botë janë marrë nga të dhënat e Bankës Botërore, ka bërë të ditur Oxfami.
Kalkulimet po ashtu tregojnë se pasuria e miliarderëve të botës është rritur më shumë që kur ka nisur pandemia me koronavirus, sesa në 14 vitet e fundit.
“Miliarderët kanë pasur një pandemi të tmerrshme. Bankat qendrore pompuan triliona dollarë në tregjet financiare për të shpëtuar ekonominë, por shumë prej tyre kanë përfunduar në xhepat e miliarderëve që kalërojnë një bum të tregut të aksioneve”, ka thënë drejtoresha Ekzekutive e Oxfam International, Gabriela Bucher.
Ajo ka shtuar se nëse 10 njerëzit më të pasur në botë do të humbnin 99% të pasurisë së tyre, ata prapë do të ishin më të pasur se 99% e të gjithë njerëzve në planet.
Rruga Press