Editorial

‘Mbretucë lakuriqë’ përballë Albin Kurtit

Shkruan Klejd Këlliçi
Terreni i politikës në Shqipëri e Kosovë, shpesh konsiderohet si përralla e Andersenit “Mbreti Lakuriq”. Mënyra si ndërtohet dëshira e diskursi politik, pak i përngjan me përkthimin e dëshirës në politika publike. Pak mendonin, e pse shumë dëshironin, që Fatos Nanon të kthente paratë e firmave piramidale, e po kështu pak mendonin dhe pse dëshironin se Berisha do ti mbante duart e pastra, pas rikthimit në pushtet, në vitin 2005. Pjesa tjetër e historisë demokratike shqiptare është vrasje iluzioni se ky vënd bëhet. Mbreti është gjithnjë lakuriq, e çdo përpjekje për t’a veshur, duket e kotë. Në këtë pikë askush nuk beson më as në dëshirën e Ramës për ta qeverisur si duhet këtë vend, e as në mundësinë e Bashës se do të jetë i aftë të fitojë zgjedhjet. Për këtë arsye, shumëkush pezmatohet e irritohet nga veprimet e mosveprimet e burokratëve të huaj, që enden skutave të qendrës. E vetmja shpresë është ndërhyrja e tyre, si për të thënë, se dhe vetë eksiztenca e shtetit shqiptar është një iluzion. Një iluzion, i trishtë pasi nënvizon pafuqinën e pamundësinë e zhvillimit në një anë, e papërgjegjshmërinë kronike të klasës politike.
E megjithatë, diçka ka ndryshuar, qoftë dhe thjeshtë për të vënë në dyshim pamundësinë e ndryshimit, qeverisja e Vetëvendosjes në Kosovë. Këtë nuk e ve re vetëm tek përpjekjet e aktet që provojnë ndryshimin, se sa tek reagimi që ato prodhojnë. Ky është momenti kur klasa opozitare në pushtet, ushtria e llazoreve mediatike e taborret e komentuesve të hapësirë virtuale, janë rrjeshtuar në frontin e përbashkët. Duan të venë në pah pamundësinë e ndryshimit, plotfuqinë thuajse instiktive të korrupsionit, e për pasojë dobësinë strukturore të shtetit të Kosovës. Shumë kush priste në shteg provën e zjarrit të qeverisë Kurti, takimin me Vuçiçin, dialogun. Dashakeqë, skeptikë, sehirxhinj deluzionalë, komentues të rastit, të gjithë me dëshirën perverse për të parë se si do të shkatërrohej Kurti përballë figurës pa yndyrë të Vuçiçit. E kjo jo se mund, por sepse ishte e sigurtë që do të ndodhte, ishte prova e parë e zjarrit të ‘popullizimit’ të Kurtit, e realitetit të përfaqësuar nga Vuçiçi. Të thuash që Kurti mbajti qëndrim dinjitoz është pak e të thuash se u kthye në Prishtinë fitimtar është shumë.  Bëri atë çka duhej të bënte, të tregonte se ishte përfaqësuesi i një shteti, i aftë të artikulojë e thotë mendimin e vet, pa komplekse inferioriteti e me forcën për ti bërë ballë pasojave. Bëri atë për të cilën ishte investuar e kishte fituar zgjedhjet, respektim e mandatit popullor e për pasojë, Vuçiçit i komunikoi atë që thjeshtë dihej më parë e që nuk ndryshoi më vonë. U përmend e u zgjua, e kuptoi, bratstvo ramjano-thaçjane, ka mbaruar.

Lexo më tej: Dialogu i ri dhe humbësit moralë politikë

Më shumë se Vuçiçin, Brukseli dogji në Prishtinë e Tiranë. Pak kush mendonte se Albini do të rezistonte, e shumë kush ishte përgatitur të përsëriste skenarin e pafuqisë që ribëhet realitet. Nervozizmi i madh kaploi çingijet e Ramës, tashmë të ridimensionuar nga puthadoret e Erdoganit e lepe-peqet ndaj Vuçiçit. U pezmatuan se këndej shitën detin e andej mbrojtën tokën. Se këndej, në emër të “integrimit” e investimit nesër shesin dhe tokën, ndërsa andej në emër të shteformimit do të jenë në gjendje që nesër të na mbrojnë të gjithëve. U pezmatuan në Prishtinë, se panë se dialogu, nuk është dorëzim, por dinjitet, e shtetet nuk janë të tilla nëse nuk kanë dinjtet. E dinjitetin e shtetit e bart ai që përfaqson vullnetin popullor, në këtë rast Albini.
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *