Dialogu i ri dhe humbësit moralë politikë
Shkruan Elvis Hoxha
Dialogu me Serbinë nuk duhet të prodhojë vetëm barazinë mes dy shteteve, por dhe humbësit moral të dialogut pervers që u zhvillua për pothuaj një dekadë. Dialogu i ri duhet të riformatojë plotësisht qëndrimet dhe kuptimet e ngjarjeve dhe shteteve në kokat e aktorëve dhe faktorëve. Personazhet në këto kohë të qeta, por dhe të gjalla të politikës, po ndeshen me domosdoshmërinë për të gjetur një sjellje të re.
– Vuçiçi deklaron se nuk ka jetuar kurrë një takim të tillë me Kosovën. Kjo do t’i bëjë mirë atij dhe shoqërisë serbe. Kosova deklaron një politikë evropiane për Ballkanin, ndërsa Serbia kërkon zgjerim territori, sipas programeve të veta shovinistë të programuar prej pothuaj 2 shekujsh. Vuçiçi e mbështet suksesin e tij në pushtet vetëm mbi një politikë të tillë shoviniste. Albin Kurti i propozoi paqen. Por Vuçiçi nuk mund ta pranojë, sepse suksesi i tij nuk është i mundshëm në sekuencën e paqes. Ai është biri shpirtëror i Sheshelit.
– Evropa e ka ditur përherë se cili është Vuçiçi, por tani do të duhet ta pranojë haptas.
– Mbetjet e regjimit në Kosovë, PDKLDKAAK natyrisht që nuk mund ta pranojnë një dialog të ri, pasi i nxjerr haptas si punëtorë kundër subjektivitetit shtetëror të Kosovës. Mbetjet e regjimit të vjetër në Kosovë e kanë mundësinë e sjelljes kaq të pakët, sa komandanti Haradinaj flet po si skuthi Skënder Hyseni.
– Ndërmjetësve të dialogut do t’iu duhet të kuptojnë se vlen më mirë një përgatitje e gjatë për një dialog të frytshëm, se sa një përgatitje e shkurtër për dialog dinak.
– Lajçaku dhe Borrelli janë në hall. Kur Vuçiçi thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, edhe ata nën zë qajnë hallin e shteteve të tyre. Le të mos mërziten. Njohja prej shteteve të tyre do të ndodhë tani shpejt.
Le të flasim tani ca më gjatë për një aktor tjetër politik, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë:
– Fill pas mbarimit të pafrytshëm të konferencës së shteteve të Ballkanit perëndimor në Tiranë, për ta rehabilituar veten para mikut të vet, presidentit serb, Rama gjeti si vend tëpreferuar për intervistë euronews-in serb. Natyrisht që nuk mendoi se mund të jepte ndonjë intervistë për ndonjë kanal të Kosovës, ose qoftë edhe të Kroacisë.
– Edi Rama ka lënë të kuptohet jo një herë, por shumë herë se gjatë regjimit diktatorial, bota jugosllave dhe ajo serbe kanë qenë hapja e tij në botën perëndimore. Madje ai lë përherë të kuptohet se kjo ka qenë e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Përndryshe nuk do t’i jepte Çelësin e Tiranës Bregoviçit, ndërsa Tiranës ia shkatërron tërë monumentet e trashëgimisë dhe kulturës. Në të gjithë e dimë mirë se shumica e shqiptarëve ndiqnin kanalet italianë. Rama ka deklaruar jo pak herë se është i magjepsur nga atletët dhe kultura serbe. Dashuria e tij për Mihajlloviçin mbetet proverbiale. Për Ramën, kultura shqiptare nuk ka vlerë, ajo serbe është e ndritur.
– Në kohën kur të gjithë kanceleritë e botës përshëndesnin dënimin e Mlladiçit, Rama deklaronte para opinionit serb se e vetmja mënyrë për ta trajtuar të shkuarën mes Kosovës dhe Serbisë ishte fshirja e kësaj të shkuare. Pra mund dhe duhet të harrojmë viktimat shqiptare të gjenocidit serb, por kurrsesi Mihajloviçin dhe Bregoviçin, as kulturën sllave të Ramës. E vërteta e gjenocidit ndaj Kosovës, për Republikën e Shqipërisë vihet në dyshim nga shijet sportive të Ramës.
– Besoj se si unë edhe shumë shqiptarë të tjerë e vlerësojnë fatin që kanë lindur shqiptarë e jo serbë. Sepse, në rast të kundërt, nuk do të mund të duroja dot faktin se vendi im është i mbushur plot me individë që kanë kryer vrasje dhe përdhunime. Në betejën e gjatë politike të jetës, ia vlen të jesh nga ana e fituesit dhe jo e humbësit. Por kur bëhet fjala për betejën morale të jetës, është më mirë me qenë nga ana e viktimës se e xhelatit. Rama preferon xhelatin.
– Sa për kompleksin e inferioritetit që shpreh Rama ndaj inteligjencës serbe, le ta themi përsëri se serbët janë mes kombeve të rrallë që kanë akademikë që kanë projektuar shfarosjen e etnive të tjera. Secili prej nesh mund të ketë dobësitë e veta në lidhje me kultura dhe popuj. Edhe unë kam dobësitë e mia. E adhuroj filozofinë dhe kulturën franceze, por nuk kjo gjë nuk ma rrudhte aspak aftësinë e mendimit dhe nuk më ndalonte të tallesha me rioshët e majtë francezë që merakoseshin për viktimat e mundshme serbe nga bombardimet e NATO-s pa e vrarë mendjen qoftë edhe për pak minuta për foshnjet shqiptare që ishin vrarë nga paramilitarët serbë në Kosovë. Sado filozofë të jesh, nuk mund ta jetosh në abstrakt raportin intelektual në lidhje me dhimbjen e tjetrit, sidomos kur ajo është prodhuar në mënyrë shtetërore. Sado çun bulevardi të jesh, siç është Rama, duhet të kesh pak ndërgjegje e perceptim që të mos thuash broçkulla që nesër do të të hedhin te humbësit moralë të politikës.
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara