Shqipëri, Gjykata Kushtetuese u bë me 5 anëtarë, i duhet edhe një për të qenë funksionale
Altin Binaj është bërë anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Kandidatura e tij, u dërgua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në Parlament, kurse të enjten në Kuvend u votua me 96 vota pro, 11 abstenime dhe 4 votuan kundër.
Binaj bëhet kështu anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese. Bërja funksionale e saj është një nga kushtet e vendosura nga Brukseli për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim dhe ambasadorët në Tiranë prej kohësh kanë ushtruar presion pozitiv për ta përmbyllur këtë proces.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim e përshëndeti votimin e gjykatësit duke shtuar se tani duhet votuar edhe një gjykatës tjetër për ta bërë Kushtetuesen funksionale. Ajo e ka quajtur këtë si një lëvizje madhore duke shtuar se kjo e afron vendin më afër BE-së.
Ambasadorja ka këmbëngulur vazhdimisht që Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë vendime për disa çështje tepër të rëndësishme, si vlefshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të ngrihet brenda fundit të vitit 2020. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Tashmë Kushtetuesja është bërë me 5 anëtarë nga 9 që duhet të ketë në kushte normale. Për të qenë funksionale duhet të ketë së paku 6 gjyqtarë në detyrë.
Ky organ u zhbë qysh prej vitit 2018, kur filloi procesi i vetingut. Disa gjykatës dhanë vetë dorëheqje duke dashur t’i shpëtojnë vetingut, derisa në fund ky organ mbeti me vetëm tre anëtarë.
Rruga Press