Kuriozitete

Me çfarë janë të lidhura nivelet e litiumit në tru

Studentët e kimisë e njohin si elementi më i lehtë i ngurtë, ndërsa entuziastët e elektronikës si një material i mirë për të prodhuar bateri dhe miliona të tjerë e njohin si ilaç efektiv. Fillimisht është përdorur si formë trajtimi për “nervozizmin e përgjithshëm”, me njëfarë suksesi në shekullin e XIX.

Më vonë, për pak kohë u bë përbërës i 7 Up, ashtu si Coca-Cola dikur kishte në përbërje kokainën. Por në vitin 1948, qeveria amerikane e ndaloi përdorimin e litiumit në këtë mënyrë.

Ironikisht,një vit pas ndalimit, përdorimi i litiumit u vëzhgua me kujdes nga shkenca. U provua se përdorimi i tij ishte i sigurt në trajtimin e një sërë gjendjesh, veçanërisht manive. Tani përdoret gjerësisht për të trajtuar çrregullimin bipolar dhe depresionin, megjithëse nëse merret në doza të larta mund të jetë toksik.

Por si funksionon saktësisht litiumi në trup nuk dihet. Po ashtu, pak është studiuar sesi ndikojnë te ne sasitë e litiumit që marrim natyrshëm nga ushqimi dhe uji. Një studim i ri i publikuar në “Scientific Reports” merr përsipër ta plotësojë këtë boshllëk në literaturë. Gjetjet e tij sugjerojnë se litiumi është edhe më i rëndësishëm sesa mendohej më parë.

Studiuesit ekzaminuan 139 mostra nga truri i tre individëve të vdekur: i pari kishte vdekur për shkaqe natyrale dhe nuk ishte trajtuar kurrë me litium; i dyti ishte vetëvrarë dhe gjithashtu nuk ishte trajtuar kurrë me litium; dhe i treti i trajtuar me litium dhe kishte vdekur për shkaqe natyrale.

Truri i dy subjekteve që vdiqën nga një vdekje natyrale përmbante shumë më tepër litium në lëndën e bardhë sesa në lëndën gri. (Lënda gri është e përfshirë në procesin e të menduarit, ndërsa lënda e bardhë në transferimin e informacionit.) Te personi që ishte vetëvrarë kishte shumë më pak litium në lëndën e bardhë në krahasim me lëndën gri. Studiuesit konkluduan se duhej konsideruar roli i një varfërimi akut të litiumit në vetëvrasje.

Duket se shpërndarja e litiumit kontrollohet në tru.

Jutta Schöpfer, e cila udhëhoqi studimin, shpjegon: “Rezultatet tona janë mjaft novatore, sepse ne për herë të parë konstatuam shpërndarjen e litiumit në kushte fiziologjike. Meqenëse ia dolëm të përcaktonim sasinë e gjurmëve të elementit në tru pa administruar më parë mjekim dhe për shkak se shpërndarja është shumë e ndryshme, supozojmë se litiumi me të vërtetë ka një funksion të rëndësishëm në trup”.

Autorët vërejnë se “rezultatet mbështesin në përputhje me rrethanat tezën se litiumi mund të jetë i një rëndësie thelbësore jo vetëm te kafshët, por edhe te njerëzit”. Të dhënat përputhen mirë me gjetjet e fundit që sugjerojnë se njerëzit që marrin sasi të mëdha të litiumit nëpërmjet ujit të pijshëm kanë më pak gjasa të kryejnë vetëvrasje. Për më tepër, studime të tjera sugjerojnë se nivelet e litiumit në ujë lidhen me shkallën e krimit lokal dhe shfaqjet e sëmundjeve neurodegjenerative.

Rruga Press

YouTube player