Art & Kulturë

LIBRI I JAVËS/NJË VETMI ME SHUMË ZHURMË-BOHUMIL HRABAL

Paraqitje nga Vaclav Jamek

Për Hiçin e Zotit

Kurrë nuk mund ta dimë në çfarë mënyre dukjet janë të gënjeshtërta, por në rrugën letrare të Bohumil Hrabalit, ato janë të shpeshta. Le të nisemi nga fillimi i tij, më 1963: ai të rren, kritika mrekullohet tek sheh që, ashtu si një flutur prej krisalidës së vet, po gjërohet një shkrimtar krejt i freskët dhe i realizuar plotësisht, që njëhopshëm vendoset midis tre, ose katër prozatorëve të mëdhenj çekë të gjysmës së shekullit. Sepse Hrabali nuk ka pritur gjersa të bëhej pesëdhjetë vjeç për të përpunuar veprën e vet. Djalosh i ri, ai nuk ishte veçse i shthururi i shkrimit, kampioni i dërdëllitjes, tek i cili do të admironin në pleqëri gërnjarin, ose mburracakun, gjithmonë të gatshëm për ta shtrirë dallgën e fjalëve mbi akëcilën ngastër të pazaptuar ende. Por letërsia, në këtë epokë tmerri, ishte e detyruar të rrugëtonte në fshehtësi, dhe Hrabali, gjatë dy dhjetëvjeçarëve, kishte vazhduar veprën e vet pa shpresë botimi, i njohur vetëm prej të barabartëve të vet, të cilët, porsi ai, gjendeshin të mbledhur kruspull në të njëjtën errësirë, apo në të  njëjtën heshtje. Duheshin vite të tëra orvatjesh dhe dredhish prej miqve – të tillë si Jiří Kolář – për të pasur botimin e parë të shkrimeve të tij: po lumi Hrabal është vauclusien, nuk fillon aty ku duket.

Burim i tjetër ngatërrese: Hrabali e vendos radikalisht në diskutim kuptimin e tekstit përfundimtar. Vështirësia qëndron se rigjen versione të ndryshme të të njëjtit tekst, shpesh të botuara në konkurrencë. Kësodore, Vetmi plot zhurmë ekziston në tri versione të njohura prej autorit, të cilave, nga njëri botim në tjetrin, iu shtoheshin larushi oportuniste, si rrjedhojë e një kërkese, ose e një presioni. Mund të bëhet fjalë dhe për ndërhyrje masive, të asijta si te një kolazh ku mpleksen së toku Barbara e dhembshur dhe Vetmi plot zhurmë, gjithë duke i hequr faqet më kritike, brenda pikëpamjes së një botimi “zyrtar”, në vitet 1980. Gjetiu, ujdisje më të kufizuara do të pakësonin paragrafë të ftilluar si tepër tronditës: në botimin e Vetmi plot zhurmë, përgatitur për botim më 1989, pra në një klimë më të ngrohtë për shkak të fundit të regjimit, shtypja dhe shkatërrimi kulturor që ai tregon nuk janë më një tabu, por nga ana tjetër, në hapësirën prej gjysmë faqeje të modifikuar, vetëvrasja e Hantës është dhënë prej një fantazme, prej një ëndrre të personazhit, dhe nuk paraqitet si një veprim real.

Përdhosja sistematike e tekstit, që dhunon ligjin e shenjtë të përfundimit, vjen kryesisht prej presionit të pushtetit ideologjik, i cili, të mos harrojmë, ka ndërtuar kushtin e përgjithshëm dhe përditshmëror të krijimit artistik gjatë gjithë jetës së Hrabalit. Veç të tjerave ndaj tij nuk kanë munguar qortimet, ndaj asaj që kundrohet si dobësi: është fjala për atë frymë përshtatjeje, të paaftë për mospajtueshmëri, e cila e çonte t’i priste shkrimet e veta gjer në atë farë feje sa një titull mund të mbulojë tekste krejt të ndryshme, sipas asaj që është përhapur prej botuesve zyrtarë, ose prej samizdat-ve. Por nuk duhet gjykuar shumë shpejt: më mirë do të ishte të kërkohej se ku qëndron mospajtueshmëria e Hrabalit në shkrime.

Nëse, në fakt, nën shtrëngesë, shkrimtari ka qenë i detyruar të ndryshojë tekstin e vet pa pësuar një dëm fatal në planin letrar, tekembramja ngjet kësisoj ngase kjo mënyrë veprimi nuk është në kundërshtim me një prirje të thellë të shkrimit të tij. Sipas gjasave, Hrabali nuk është nga ata autorë për të cilët çdo fjalë që hyn në ndërtimin një teksti bëhet e palëvizshme dhe e pazëvendësueshme, kurse alkimia e saj pjesëmarrëse në Domosdonë Misterioze që përcakton Veprën. E shpërdoruar prej historisë sonë të afërme, kjo rëndësi e fjalës ka ekzistuar. Tek Hrabali fjalët ndryshojnë; është ky spontanitet i fjalëve të shqyrtuara që prodhon variantet, ose kolazhet: me makinën e shkrimit, gërshërët bëhen për të një instrument i shkrimit.

A mos duhet thënë që stili i intereson pak, që historia e rrëfimit është gjithçka dhe që tek ai duhet parë veçanërisht fabultari i jashtëzakonshëm? Jo, përkundrazi: tek Hrabali gjithçka është kërkim i gjuhës, është vrulli i të rrëfyerit arsyeja e të qenit rrëfenjë, e cila bën të fluturojë mbroth Engjëllin e Çudisë: fabulën vetë. Hulumtimi i potencialit gjuhësor e drenazhon pasionin brenda aventurës, më shumë, ose më pak të mahnitshme (Kurs vallëzimi për të rritur dhe nxënës të përparuar, Shes shtëpinë ku nuk dua më të jetoj në kontrast me Trena të mbikëqyrur nga afër); në to Hrabali nuk është për një gjuhë të gjithëqëmtueshme: ajo çka i intereson është gjuha në harlisjen e vet, në grafullimin, është fuqia e vërshimit, e vërtetuar dhe e lartësuar nga kokrrizat e papastra që ajo mbart aty-këtu nëpër rrjedhën e pataksshme. Prej nga ku vjen dhe dalldia, trashëgimtare e surrealizmit, e aktit të shkrimit si vërshim i dhunshëm dhe spontan, me frerin e lëshuar: bash mu kështu Hrabali gjakon të shfaqet si pinjoll i denjë i pushtuesve mongolë, me pamjen prej aziatiku të plakur, me mollëzat e gjera të kërcyera. Marrëdhënia e tij me gjuhën ka të njëjtën shije me kuturisjen vetmitare, nga e cila mrekullohet te personazhet që krijon; njëri prej këtyre personazheve ia del të mishërojë këtë tepri të rrjedhshmërisë së të folurit, duke u bërë prej këtij faktinjë figurë qendrore e mekanizmave hrabalianë: është xhaxha Pepini, fjalaman i llahtarshëm, i vrullshëm dhe kataklizmik, personazh real, të cilit, në fillim, Hrabali i kishte regjistruar tregimet për t’i dëgjuar me miqtë, përpara se t’i hapte një vend në libra (Floknaja e sakrifikuar, Një milion akrobatë, Vuajtjet e plakut Werther).

Në të vërtetë Hrabali nuk e trajton kurrë gjuhën si një materie të thjeshtë, ngase ajo është gjithë e para: ai i qaset si një force të gjallë. E përfshirë në vërshimet e jetës, gjuha nuk bën gjë tjetër veçse shpreh (përçon) kërthndezjen e Hrabalit, ai është në të dukje, provë dhe themel – dhe është lavdia e tekstit që të jetë i lëvizshëm, i papastër, dhe asnjëherë përfundimtar! Kompromiset nuk llogariten qysh prej çastit që nuk mund ta detyrojnë këtë prirje te thellë; gjithmonë mund të rimbruhet një tekst. Ja, pra, sesi, përmes frikërave të tij, lind papajtueshmëria e Hrabalit: ajo është tek sipërania e gjuhës, e cila ngatërrohet me sipëraninë e jetës. Gjallëria, që nënkuptohet gjatë gjithë veprës së Hrabalit, është larg të qenit e kënaqur. Nëse në fillim trondit përmes një harlisjeje që shtrihet drejt një lloj idili galdues, sajuar me kuturisje dhe përsosmëri të të gjitha llojeve – veçanërisht erotike, ose seksuale – përsosmëri ku investohet energjia e tepërt me të cilën njeriu është i ngarkuar, në të vërtetë ky misticizëm i mrekullueshëm dhe gjasme sportiv nuk ka asgjë optimiste, sepse në çdo çast, në vetë fundin e mrekullisë, zbulohet një fërgëllimë përpara vanitetit marramendës të gjërave, e cila hapet tragjikshëm: e gjithë kjo tepri energjie, ç’kuptim ka, vallë? Kjo kundërshti kurioze, tek Vetmi plot zhurmë, shprehet ndërmjet figurës së Jezusit, i parë si atlet metafizik, dhe Lao-tsesë, dijetarit të deziluzionit. Nëse Hrabali, përfundimisht, merr anën e kampionit Jezus, kjo ngjet sepse atij i vjen krupë të adhurojë shtrëngesat vullnetare, rrëgjimin që duket se e imponon ndërgjegjja e vanitetit dhe ngase ai dyshon se nuk është veçse maskë e shterimit vital dhe e fshehjes së një lloj bashkëfajësie të fëlligësht me skandalin e vdekjes. Ajo çka është joshëse dhe e pëlqyeshme në vanitetin e pashërueshëm, është se ai është i padukshëm, ai rimëkëmbet gjithmonë, nuk lodhet kurrë, nuk mposhtet kurrë.

Kësisoj Hrabali është një shkrimtar që fal në jetë, dhe kjo për shkak të pasionit dhe sajimit të pafundme që shpalos njeriu për ta ruajtur dhe pasur jetën: ai është i shastisur, i verbuar, i joshur prej kësaj egërsie për të jetuar që është në bazën e gjithçkaje, dhe… ngjet përligija. Besimi tek instinkti që kjo gjë nënkupton nuk është një besim moral. Instinkti nuk është shumë i mirë, është thjesht e jeta e papërballueshme dhe mjaftueshmërisht justifikuar për këtë. I tronditur thellë në planin metafizik, Hrabali nuk jep gjykime morale mbi jetën: ai është krejt e kundërta e një metafizicieni moralist, – pra antipodi i një Ciorani. Nuk ka asnjë orvatje satirike në tablonë ku vizaton qesharaken njerëzore; për të kjo qesharakësi përbën provën më të vërtetë, më të pataksshme, thuajse heroike dhe emocionuese, të oreksit për të jetuar. Ky lartësim i forcës jetësore nuk të çon te mbinjeriu dhe nuk bëhet dorëzanë për mizorinë. Sigurisht, Hrabali e admiron barbaren dhe të egrën për shkak të dhëmbëve të saj të bukur, por kjo barbare është e dhembshur, veç kësaj, të fortët e vërtetë janë të dobëtit. Forca e jetës udhëton me këta njerëz të vegjël, që, sidoqoftë, nuk janë humbaraqë, sepse së mbrami ata çalltisin, bëjnë gjeste të mëdha për të frikësuar vdekjen, janë origjinalë, marifetçinj, kapadainj, maskarenj të vërtetë, pak rëndësi kanë të gjitha këto. Kësisoj , mund të shihen të bashkuara si dajaku edhe faqja, kallaballëku dhe fillikatësia, komedia dhe tragjedia dhe që, herëdokur, në disa kryevepra, shihet humnera që hapet te këmbët tona, duke i parë ato të vallëzojnë. Është fjala veçanërisht për Vetmi plot zhurmë, e cila e zbulon fare sheshazi pyetjen, së cilës mëton t’i përgjigjet pas Auschwitzit?

A do të kishte mundur, vallë, Hrabali t’i shkruante të gjithë ata libra të mëdhenj në vitet 1970-1980 pa regresin e tmerrshëm dhe pa përvojën e dëshpërimit që shkaktoi në shoqërinë çeke pushtimi i vitit 1968? Midis viteve 1963 dhe 1968 ai pushton pjesën e përparme të skenës letrare dhe është shkrimtari më popullor i vendit. Ajo çka qe botuar gjer në atë çast është e mjaftueshme për të kaluar në përjetësi me përgëzimet e jurisë. Me humorin, artin narrativ, i cili, në dobi të letërsisë, ujdis ndërthurje fantastike që e kanë rrjedhën tek birraritë popullore, Hrabali është një lulesë e re e gjenisë plebejase çeke; edhe një herë tjetër më shumë, ai ia del mbanë me sukses që, përmes veprës së vet, të futet në imagjinatën popullore, jo vetëm përmes dozave të mira të avangardizmit surrealist (“surrealizmi i ëmbël”, sipas një kritiku), por, gjithashtu, edhe trashëgimisë së ekspresionizmit “ekzistencial” çek, shumë më të dëshpëruar dhe të ftilluar si margjinal, ekspresionizëm që ai e gjykon të lartë dhe të qashtër.

Prej 1970 gjer më 1976, dhe rishmë midis 1982-1985, Hrabalit iu ndalua botimi: lutej të futej nëntokë. Por cok këtë kohë ai shkruan kryeveprat absolute: Unë që i kam shërbyer mbretit të Anglisë. Vetmi plot zhurmë (1976) dhe librat me frymëzim autobiografik, Floknaja e sakrifikuar dhe, sidomos, trilogjinë Dasmat në shtëpi. Por, përveç Floknaja e sakrifikuar, asnjëri prej këtyre librave të rëndësishëm nuk do të botohej para 1990 dhe Hrabali nuk do ta ketë të drejtën të shfaqet në publik veçse gojëvuvosur. Humori është gjithmonë i pranishëm aty, por shkrimet e tij muzgëtohen. Fillon të shfaqet vetmia: njeriu, duke iu kthyer ndërmarrjeve të ëndshme, ose të tmerrshme, i privuar brutalisht nga mbështetja që gjente gjer asokohe te vitaliteti i tjetrit, gjendet i vetmuar, me jetën dhe problemet e tij (Unë që i kam shërbyer mbretit të Anglisë).

Nëse heroi i këtij romani të fundit e sos kandilin e jetës në një tërheqje eremitike, vetmia e Hantës, këtij plaku të pandreqshëm që riparon letrën e presës së letrës që skandon kohën, por ngase kjo vjetër, është plot zhurmë, jo vetëm për shkak të është një vetmi në mes të njerëzve, dhe sepse i oshtijnë fjalët e atyre librave që qysh prej tridhjetë e pesë viteve i magazinon në kujtesë përpara se t’i shkatërrojë: një vetmi e mbledhur pikë-pikë, origjina dhe plaga më intime e së cilës gjendet në Auschwitz; bash kjo plagë e bën atë një provincial absolut, i cili përkon me të qytetëruarin e fundit.

Dihet se në kohën kur duhet ta siguronte bukën me punën e krahut, aty nga vitet 1954-1959, Harabali ishte vetë punëtor në një magazinë letrash të mbledhura, dhe aty njohu atë që do t’i jepte emrin, karakterin dhe një pjesë të fatit personazhit te Hantës. Midis gjithë personazheve vizllues që përshkojnë veprën e Hrabalit kjo qenie e kërbunjur dhe figurë e kruspullosur mund të jetë alter egoja e tij me e thellë; ngase ky kampion në përgjim të të gjitha rekordeve, njeh njëkohësisht edhe greminat vetëvrasëse. Së mbrami, shëtitja e Hantës në uzinën e kartonit industrial, nuk mund mos të të ndërmendë hedhjen për karton të dy librave të Hrabalit, të sapodala nga shtypshkronja.

Përtej këtyre shenjave, Hrabali, përmes monologut të Hantës, na shtëllit një histori thelbësore, një bllok prej jetës së ndrydhur në një nyje zbrazëtie, vetë plagën e mrekullueshme dhe mizore të një fati të shkatërruar, dhe kjo tek imazhi i atyre dengjeve prej letrash të vjetra që Hanta i fut në presë, i përkëdhel tek mesazhi sekret që ka formene zemrës. Margjinal për shkak të besnikërisë ndaj vlerave të një bote kalimtare, ndaj vlerave të një jete të denjë dhe të respektuar, ai bën zanatin e periferikëve, i cili është të merret me mbeturinat, dhe kësisoj, përmes një kthimi ironik të gjërave, është vetë ai që ngarkohet të shkatërrojë atë që është pafundësisht e çmuar për të, por e zhveshur nga interesi dhe çmimi për shoqërinë: veprat e shpirtit njerëzor. I qytetëruari i fundit nuk do të shërbejë veçse për të fshirë mbeturinat e mjera të qytetërimit të vet.

Shkatërrimi nuk prek këtu veçse shenjat dhe mbartëset e tyre, por detyrat që lypset të kryejë kundër jetës së vet shkatërruesi i detyruar, në planin simbolik, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e zgjatin punën e ndyrë, atë me anë të së cilës xhelatët i detyronin të burgosurit e kampeve të përqendrimit të bashkëpunonin për vdekjen e vet. Dhe është bash Auschëitzi që gjendet i pranishëm brenda qenies më intime të Hantës, duke thyer atë suste vitale që Hrabali e vendos përmbi të tjerat : susten erotike. Tek Hanta erotizmi gjasmon i shuar; ai heq dorë vetë nga përqafimet e trishta, të lëmekura, me qëllim që të harrohet ajo dhimbje që i ka zgjatur gjithë jetën: zhdukja e femrës që ka dashur në rini, arixheshka e vogël që s’i erdhi një ditë, ngase ishte arrestuar dhe internuar. Duhet ditur që në veprën e Hrabalit tema e përsëritur e dashurisë së një arixheshke përfaqëson shëlbimin e njeriut përmes erotizmit, sepse ky shëlbim bashkon dashurinë, sensualitetin dhe guximin (për të kundërshtuar refuzimin social), dhe do të kuptojmë kësisoj greminën e shëmtuar ku Hanta bindet të jetojë pas kësaj fatkeqësie, ndaj së cilës nuk do t’i humbasë kurrë ndjenjat e thekshme. Përgjatë gjithë tregimit shihet të kryhet një shugurim i jashtëzakonshëm i shkatërrimit. Sjellja e Hantës paraqitet si tepër e ritualizuar (e mbështetur nga elementë të shumtë përsëritës të tregimit), është një funeral i madh ritual i cili nxjerr në pah orvatjen që, për çastin, mund të duket thjesht estetike dhe një vogëlsirë (një bast i vendosur për pashkët që, në boshllëk, nuk arrin të fitohet), por që mëton dëshpërimisht të rindërtojë jetën kundër shkrirjes së “antropisë”, duke ruajtur kodet, si dhe qesharakësinë e një qenieje të strukturuar dhe të logjikshme.

Kësisoj, në fund, Vetmi plot zhurmë, shfaqet si parabolë e habitshme mbi kuptimin e veprës së artit. Në të vërtetë, më i rëndësishmi i ritualeve të Hantës, është mënyra si i merr për t’i ndrysur dengjet me letër të vjetër: është fjala thjesht për një mëtim artisti dhe kundërshtimi i Hantes merr veçoritë e një veprimi estetik. Riprodhimet e pikturave zbukurojnë së jashtmi çdo deng, por një libër i rrallë (por i flakur) është mbyllur në brendësi.

Ajo çka trondit është natyra ezoterike e këtyre veprave: nëse veprimi i Hantës është më së shumti një veprim krijues, vepra e krijuar prej këtij veprimi nuk është veçse jetëshkurtër, gjer në kohën e transferimit drejt një shkatërrimi të ri, i cili, në thelbin e vet, nuk mund të shikohet, dhe as të soditet nga ana e spektatorit: vetëm Hanta e di çka është ai. Vepra pas Auschwitzit heq dorë nga përjetësia, por gjithashtu, në mënyrë rrënjësore, ajo shkagon t’i zbulohet plotësisht dhe drejtpërdrejti soditësit. Zaten edhe më të ashpra se ato tablo. apo statuja që vendoseshin dikur në kisha në ato vende, të cilat , asnjë qenie njerëzore përveç Zotit nuk mund t’i shihte me sy, krijimi i Hantës nuk i lejon kërkënd t’i bëhet natyra e tij e thellë, parfumi tij shpirtëror i tjetërfartë (ai libër i Kantit, ose Gëtes, mbyllur në qendrën e vet kompakte.)

 Për cilin, pra, janë fatcaktuar këto libra? Nëse njerëzit nuk janë të gatshëm për t’i pranuar, përse vazhdojnë t’i prodhojnë, atëherë? Të fatcaktuara jo për një kishë, por për mekanikën indiferente industriale, tekembramja nuk është as vetë Zoti që luten t’i kundrojë: ato janë bërë për Hiçin e Zotit, për këtë pikë skajore të dëshpërimit, ku ky, në një mënyrë të errët, misterioze, dhe, përmbi të gjitha, dyshuese, bashkon mbase shpresat, dhe, për të gjithë si dhe për Hantën, progressus ad futurum përkon me regressus ad originem.

Dhe kur ai nuk mundet t’i dërgojë më dengjet e veta, i dëbuar, i zëvendësuar nga djem të rinj të dobishëm, të cilët nuk kanë gjendje shpirtërore, ngase ndofta nuk kanë më shpirt (ai nuk është nga ata që mund ta kaplonte ideja fëminore të shkonte të njomej në ujërat e qytetërimit , duke vrapuar me mbathje në stadiumin Olimpie), kur e pengojnë përfundimisht t’i dërgojë mesazhet e kota në Industrinë e Hiçit, atëbotë Hanta vendos të bëjë ai vetë të fundmin e mesazheve të veta të kota; me duart e veta do të likuidojë likuiduesin, fajtor ngase ka dashur atë që ky po shkatërron: jo ngaqë gjithçka të humbasë, sepse qysh kahershëm gjithçka është e humbur – por sepse jeta që po vjen, e pavetëdijshme dhe gjithë torua, duhet të rishpikë dëshpërimin e vet.

Përktheu: Balil Gjini


Shqipëroi: Balil Gjini
Shtëpia botuese: Zenit Editions, 2009


©RRUGA PRESS

YouTube player