Editorial

Mashtruesi Mero Baze i shtrembëron faktet në linjë me interesin serb në Kosovë

Dihet mjaft mirë obsesioni i Mero Bazes në lidhje me shpikjen e dezinformatave, shtrembërimit të fakteve, lajmeve me fakte gjysmë të vërtetë që prodhojnë një gënjeshtër të plotë. Dihet poashtu edhe pasioni i Mero Bazes kur vjen fjala te prodhimi i lajmeve dhe gjykimeve të rremë për të përbaltur kryeministrin e Kosovë, z. Kurti.

Dje Mero Baze rikonfirmoi edhe një herë një tjetër pasion të madh: mbrojtjen e fakteve të shtrembëruar dhe interesave serbe vetëm e vetëm që të sulmojë z. Kurti.

Në një status të tij në facebook, antigazetari i pushtetit Baze u shpreh se ardhja e z. Kurti në Tiranë në zgjedhjet e kaluara, ku si qytetar i Republikës së Shqipërisë ushtroi të drejtën për të votuar, ishte nder që ai u bëri serbëve, sepse shërbeu si argument që ata të kërkojnë të votojnë për referendumin serb.

“Arsyetimi i Albin Kurtit se qytetarët që banojnë në një shtet tjetër nuk mund të votojnë për një shtet tjetër ka rënë ditën që ky tipi në foto me detyrë kryeministër i Kosovës ka shkuar e ka votuar kundër qeverisë së Shqipërisë hapur dhe me deklarata politike. Askush nuk e ndali askush nuk u shqetësua nga deliri i tij. Të vetmëve që u ka bë nder janë serbët e Kosovës pasi kanë një argument përse duhet të votojnë në referendumin e Serbisë”, u shpreh Mero Baze, me një arsyetim që edhe një fëmijë 7 vjeçar do ia kuptonte mangësinë.

Mero Baze e di shumë mirë që kryeministri Kurti erdhi në Tiranë dhe ushtroi të drejtën e votës, ndërkohë që Shqipëria nuk erdhi në Kosovë që zgjedhjet e saj t’i mbante edhe në Kosovë (Nëse do të ndodhte diçka e tillë do të ishte e jashtëzakonshme, por kjo kërkon një diskutim tjetër).

Nërkohë, Vuçiq kërkon që shteti serb të organizojë zgjedhjet për referendumin serb brenda në Kosovë, gjë që e bën Kosovën, de facto, provincë serbe pa sovranitet dhe pavarësi.

Asnjë serbi të Kosovës me shtetësi edhe të Serbisë nuk i ndalohet të shkojë në Serbi dhe të votojë në referendumin serb, ashtu siç z. Kurti shkoi në Tiranë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. Për më tepër, qytetari me shtetësi të dyfishtë në Kosovë ka edhe më shumë mundësi për të votuar në Serbi, se sa kishte mundësi të votonte z. Kurti në Shqipëri. Qytetari me shtetësi të Kosovës dhe Serbisë mund të votojë edhe pa shkuar fare në Serbi, përmes postës apo përmes një zyre të posaçme ekzistuese. Ndërkohë, pikërisht përpara syve tanë Baze shprehet se z. Kurti paska arsyetuar se qytetarët e një shteti tjetër nuk mundkan të votojnë në një shtet tjetër, kjo një gënjeshtër e pabesushme dhe e paskrupullt si vetë Mero Baze. Qeveria serbe do të donte shumë që një kryeministër i Kosovës të diskriminonte minoritetet duke ua hequr të drejtën e votës, në mënyrë që të legjitimohej prania serbe në Kosovë për të vënë drejtësi, kundër shtypjes që do të prodhohej aty dhe analisti Baze nuk është aspak larg këtij përfytyrimi për kryeministrin e Kosovës, të cilin e paraqet si të tillë.

Duket theksuar edhe se presidenti serb Vuçiq është duke e përdorur çështjen e referendumit serb për ta konkretizuar në praktikë tezën ekspansioniste serbe se Kosova është Serbi dhe organizimi i referendumit serb brenda territorit të Kosovës do të ishte dëshmia më e fortë e kësaj gjëje.

Referendumi serb në Kosovë, përveçse antikushtetues dhe kundër praktikave të shteteve të pavarur, sovranë dhe demokratik, duhet kundërshtuar edhe për arsyen se pushteti serb, por edhe Mero Baze, duhet ta kuptojë mirë se Kosova është e pavarur dhe kjo nuk do të vihet kurrë më në diskutim. Tani e tutje, diskutimet duhen bërë rreth krimeve serbe te shqiptarët dhe borxhet që ky shtet me të shkuar dhe aktualitet kriminal ka.

Këto çështje një analisti pushteti si Mero Baze nuk i interesojnë, ai ka për detyrë vetëm që të mashtrojë opinionin publik duke propaganduar idenë se z. Kurti është vetë fajtori i kësaj situate, pa bërë dallimin esencial mes asaj se si votoi kryeministri i Kosovës në Shqipëri dhe asaj se si shteti serb do të organizojë referendum brenda territorit të Kosovës.

Mero Baze nuk e ka problem që duke shpifur kundër z. Kurti vendoset në linjën serbe kundër Kosovës dhe i bashkohet presionit që po i bëhet z. Kurti në mënyrë që ai të lejojë shkeljen e pavarësisë dhe vendosjen e praktikave antikushtetuese, në dobi të përmbushjes së orekseve serbe. Bazes i intereson vetëm të kryejë detyrën, jo ndaj profesionit, jo ndaj të vërtetës, të drejtës dhe kombit të tij, por ndaj pushtetit të cilit ai ka shërbyer me aq zell dhe që e ka mbajtur në oborr kaq gjatë.

©Rruga Press

YouTube player